Festimi i Ujit të Bekuar
në Berat
Shërbesat kishtare u kryen në dy kishat kryesore të qytetit, ne kishën e Shën Spiridhonit si dhe në Katedralen e Shën Dhimitrit, nën drejtimin e Mitropolitit të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignatit.
Kulmi i kremtimit është padyshim hedhja e kryqit nga ura e Goricës në ujërat e lumit Osum. Ky veprim që simbolizon bekimin, me anën e kryqit, të të gjitha ujërave përshtatet me kushtet e përkryera gjeografike të qytetit tonë, duke sjellë në Berat pelegrinë nga e gjithë Shqipëria. Me hijeshi u përshkua bulevardi “Republika” nga kortezhi i klerikëve dhe i besimtarëve të shumtë drejt vendit ku do të hidhej kryqi, me guxim u sfiduan temperaturat e ulëta nga 11 djem të cilët u përpoqën për të kapur kryqin.
Në kthimin e litanisë kortezhit iu bashkuan ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit z. Genc Pollo, Zëvendëskryetari i Kuvendit Popullor z. Nasip Naço, Rektori i Universitetit të Tiranës, z. Dhori Kule, Kryetari i Bashkisë Berat z. Fadil Nasufi, Prefekti i Qarkut z. Bujar Hoxhaj, si dhe përfaqësues e autoritete të shumtë lokalë e qendrorë.