Petro Poga lindi në Erind të Gjirokastrës ku edhe ndoqi mësimet e para. Më pas shkollohet në Gjimnazin e Janinës dhe pastaj për drejtësi në Universitetin e Stambollit ku fitoi një kulturë të gjerë. Njihte mirë disa
gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht, greqisht dhe turqisht. Në Stamboll bashkëpunoi me vëllezërit Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, si dhe me Jani Vreton, Koto Hoxhin, Shahin Kolonjën, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin. Në vitin 1884 themeloi dhe botoi gazetën “Drita” të Stambollit, që më pas e vijoi botimin patrioti rilindas Pandeli Sotiri. Ne kujtimet e tij, Petro shkruan: “Fletorja ‘Drita’ e zgjoi idealin e shenjtë kombëtar dhe ndikoi për çrrënjosjen nga zemrat e shqiptarëve të mendimit që fetë nuk e ndryshojnë kombin, duke mos mundur të ndryshojnë gjuhën dhe zakonet që formojnë kombin.” Në vitet 1906-1908, Petro Poga gjendet në Gjirokastër ku dha ndihmesën në përhapjen e gjuhës shqipe dhe ndjenjave kombëtare. Roli i tij më i dukshëm u shfaq në themelimin e klubit patriotik “Drita” të Gjirokastrës.
Në vitin 1912 Petro Poga mbështeti fuqimisht kryengritjen antiosmane të Shqipërisë së Jugut. Në nëntor të vitit 1912, parësia e Gjirokastrës e zgjedh delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Petro Poga bëhet kështu një nga nënshkruesit e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, Petro Poga caktohet Ministër i Drejtësisë, si pjesë e qeverisë së parë shqiptare, post të cilin e mban deri në vitet ’20. Krahas kësaj detyre, Ismail Qemali dhe Qeveria e Vlorës e ngarkuan edhe me detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë 1913-1915. Së bashku me avokatët e shquar Kristaq Tutulani dhe Feim Mezhgorani harton Statusin që shkëputi Gjykatën Shqiptare nga juridiksioni i Perandorisë Osmane.