Elefter (Lef) Nosi u lind në qytetin e Elbasanit më 9 prill të vitit 1877, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, patriot, arkivist, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog e politikan. Njihet si babai i filatelisë shqiptare.
Lef Nosi u arsimua fillimisht në vendlindje e më pas në Athinë. Megjithëse nuk i përfundoi studimet e larta për farmaci (kreu vetëm 2 vjet), pas kthimit në qytetin e tij, iu kushtua me zell të veçantë punës për njohjen e gjërë dhe të thelluar të historisë dhe të kulturës shqiptare. Formimi i shëndoshë intelektual dhe atdheu i tij, qenë shtysat e forta që Nosi të fitonte rolin e merituar të një protagonisti në ngjarjet e stuhishme, që pararendën ngritjen e flamurit kombëtar në Vlorë. Më 1902 shpëtoi pa u dënuar, sepse nuk iu provua fajësia. Ideja e Lef Nosit për Shtetin e Ri Shqiptar mori formë në programin politik që së bashku me Faik Konicën shtypën në Londër më 1907.
Më 1909, ai u zgjodh kryetar i klubit “Vllaznia” në Elbasan. Merr pjesë në Kongresin e Manastirit. Një vit më vonë, botoi gazetën “Tomorri” ku ka përkrah Aleksandër Xhuvanin, Luigj Gurakuqin, Simon Shuteriqin, Kristo Dakon (25 III 1910). Ai ishte një nga figurat qendrore që kontribuuan në organizimin dhe zhvillimin e Kongresit Arsimor Kombëtar të Elbasanit (tetor 1909), si edhe të çeljes të së parës shkollë normale në vend (1 dhjetor 1909).
Dy artikuj të përkthyer nga shtypi evropian bëhen shkak që turqit e rinj ta arrestonin dhe t’i jepnin dënimin kapital. Drejtori i Shkollës Normale u kap paraditen e 7 gushtit 1910 në Elbasan. Katër ditë më vonë dënohet nga një gjykatë ushtarake dhe internohet në Bursë të Turqisë. Ndërkohë qeveria e re e xhonturqve kishte nisur një fushatë kundër çdo gjëje që shprehte lëvizje për pavarësi, sidomos ndaj atyre që shpreheshin në gjuhën shqipe. Përballë këtyre sulmeve u gjend dhe Normalja e Elbasanit të cilën qeveria osmane e mbylli në tetor të vitit 1910. Përballë kësaj situate Fan Noli nga Bostoni i shkruante Lef Nosit në Elbasan që do të ishte mirë dhe njëkohësisht një goditje për qeverinë osmane që Normalja të transferohej jashtë tokave shqiptare në ndonjë shtet të Evropës.
Shkolla nuk u transferua jashtë, por qëndroi mbyllur afro 18 muaj për t’u hapur nga marsi i vitit 1912. Për rikthimin e tij nga internimi do të angazhoheshin pothuajse të gjithë miqtë e tij. Do të lirohej nga internimi 9 muaj më vonë për t’u gjendur përsëri në Elbasanin e tij, në mesditën e 9 prillit 1911. Ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit, si Ministër i Post-Telegrafit. Si- pas arkivave të mbajtuna nga Qeveria e Përkohshme e Vlonës, ishte një nga nismëtarët themeltarë për vendosjen e një shërbimi informativ.