2 Gusht 1992 – 2 Gusht 2012
Festohet 20-vjetori
i Fronëzimit
të Kryepiskopit Anastas
Më 2 gusht, në Katedralen e re “Ngjallja e Krishtit”, në
kryeqytet, u kremtua 20-vjetori i Fronëzimit të Fortlumturisë
së Tij, Kryepiskopit Anastas, një nga çastet më domethënëse
në rrugën e ringritjes kanonike të Kishës Orthodhokse pas
regjimit ateist. Ky kremtim vinte pas atij madhështor të 24-
qershorit, në ditën e 20-vjetorit të zgjedhjes së Fortlumturisë
së Tij, Anastasit, që ishte dhe dita kur niste ringritja kanonike
e Kishës sonë.
Me këtë rast, nga Kryepiskopi Anastas u krye Liturgjia
Hyjnore festive, së bashku me të gjithë anëtarët e Sinodit të
Shenjtë të Kishës sonë dhe klerikë të shumtë. Liturgjia u ndoq
nga besimtarë nga Tirana dhe nga i gjithë vendi, të ardhur për
të festuar së bashku në këtë ditë të shënuar.
Në fund të Liturgjisë Hyjnore, Kryepiskopin e përshënde-
tën dhe e falënderuan anëtarë të Sinodit të Shenjtë, Mitropoliti
i Beratit, Hirësia e Tij Ignati, i cili e vuri theksin në misionariz-
min e Fortlumturisë së Tij dhe shembullin që jep ai për mbarë
orthodhoksët. Ndërsa Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani,
shprehu falënderimin e tij për veprën e madhe të Kishës dhe
të Kryepiskopit Anastas në kontributin e gjithanshëm për
zhvillimin e Kishës dhe mbarë shoqërisë shqiptare.
Në Liturgji morën pjesë edhe disa miq klerikë të lartë nga
Mali i Zi, të cilët shprehën gjithashtu urimet më të mira dhe
ndjesinë e mrekullisë që përjetohet kur shihet çfarë është arritur
në këta 20 vjet ringritjeje nga gërmadhat.
Kryepiskopi Anastas falënderoi për vlerësimet dhe përcolli
urimin e tij, duke theksuar se në këta 20 vjet shihet një prani e
ndjeshme e Kishës Orthodhokse në zhvillimin e shoqërisë.
“…Zoti i shpresës le të na mbushë të gjithë me gëzim dhe da-
shuri…”- uroi gjatë fjalës së tij Kryepiskopi Anastas. Ky festim
thekson krenarinë dhe vlerësimin për figurën drejtuese të Ki-
shës me frymën e tij të paqes, mirëkuptimit, të mençurisë dhe
respektit për çdo qenie njerëzore. Ai e ka udhëhequr Kishën
në kohë paqeje dhe në kohë trazirash, gjithmonë me mençuri
dhe urtësi, aq sa Kisha Orthodhokse është një faktor i rëndë-
sishëm zhvillimi në jetën shoqërore të Shqipërisë.
I. Koti