Tryeza që e mbledh dashuria
e krishterë
Vizitë e Kryepiskopit Anastas në mensën e Kishës për personal më në nevojë.
Ka kohë që Kisha jonë organizon në Tiranë drekën “Tryeza e dashurisë”, në ndihmë të per- sonave më në nevojë. Ajo ofrohet dy herë në ja- vë për më shumë se 50 veta. Të martën, 8 maj, Kryepiskopi Anastas, i cili ka qenë mbështetësi i vazhdueshëm i veprimtarisë së saj, vizitoi këtë mensë. Ai shoqërohej nga episkopi i Bylisit Asti.
Fortlumturia e Tij hyri në mensë në kohën kur po bëheshin gati për të drekuar dhe atë Ilia po psalte tropare. Ai u prit me shumë gëzim dhe ngrohtësi nga të pranishmit. Pasi bekoi tavolinën, Kryepiskopi drekoi bashkë me ta.
Në bashkëbisedimin me të pranishmit dhe gratë orthodhokse që kontribuojnë falas për të kryer këtë shërbim, Kryepiskopi Anastas ndër të tjera tha: “Ka shumë njerëz të sëmurë dhe të moshuar që jetojnë të vetmuar. Ne dhe ju duhet t’u qëndrojmë pranë, që të mos e ndiejnë vetminë. Të moshuarve, të sëmurëve dhe të gjithë atyre që nuk kanë mundësi të dalin, iu shkëlqejnë sytë kur i vizitojnë. Le t’u krijojmë mundësi të ndiejnë dorën e shoqërisë. Në siste- min e mëparshëm çdo gjë pritej nga shteti. Tani duhet të kemi vetë iniciativë dhe t’i japim dorën njëri-tjetrit. Kështu, secili nga ne, duke vepruar në këtë mënyrë do të ndiejë dorën e shoqërisë”.
Atë Ilia Mazniku falënderoi Kryepiskopin për vizitën dhe më pas folën e falënderuan disa nga personat që frekuentojnë mensën. Z. Sali u shpreh i pari. Ai tha: “Në emrin tim personal, pse jo dhe të gjithë shokëve të mi, falënderoj nga zemra Hirësi Anastasin, që ka çelur këtë mensë, në të cilën ushqehemi ne fukarenjtë dhe
do të dëshiroja që ta kishim përsëri pranë nesh. Jam shumë i emocionuar që ai drekoi bashkë me ne”.
Një i moshuar tjetër u shpreh: “Shumë të gëzuar jemi që midis nesh vjen dhe drekon Kryepiskopi. Një personalitet që na dhuron, bën shumë për të na larguar urinë dhe vetminë. Faleminderit!”
Një zonjë e pranishme nga gratë falënderoi për gjithçka, gjithashtu ajo shprehu dëshirën për ta pasur përsëri Kryepiskopin pranë tyre.
Biseda u zhvillua e lirshme dhe mjaft e ngrohtë.
Në fund Fortlumturia e Tij Anastasi i dhuroi secilit librin “Tani të gjitha u mbushën me dritë…” dhe gazetën “Ngjallja” të muajit prill 2012.
L. P.