Tiranë 22.1.2012
Pa ngurrim, zgjodhe përkushtimin e plotë ndaj Kishës
Fjala e Kryepiskopit Anastas në hirotoninë e Episkopit të Bylisit, Astit
Fort i dashuri biri im, Asti,
I nderuar episkop i zgjedhur i Bylisit,
“Beko Zotin, o shpirti im” (Ps. 102:1)
Pe dritën e diellit në një epokë kur errësira e ateizmit kishte pllakosur Shqipërinë. Por pate bekimin të lindësh në një familje orthodhokse, nga prindër besimtarë, Zoi dhe Jolanda, të cilët edhe në ditët më të errëta ruajtën të ndezur në zemrën e tyre flakën e shpresëtarisë. Prandaj, mos harro të thuash vazhdimisht: “Beko Zotin, o shpirti im”.
Menjëherë pas ringritjes së Kishës Ortho- dhokse Autoqefale të Shqipërisë, u pagëzove dhe u fute bashkë me motrën tënde të zgjedhur Eleni – sot zëvendësprokurore e Durrësit – në rininë orthodhokse.
Pas kësaj me shumë dëshirë vendose të studiosh në Akademinë tonë Orthodhokse Theologjike “Ngjallja e Krishtit”. Dhe pas katër vitesh studimi të zellshëm, vazhdove, me bursë të veçantë të Kryepiskopatës, studime më të larta në Fakultetin Theologjik të Universitetit “Aristosteli” të Selanikut. E për të gjitha këto, mos resht së thëni vazhdimisht vargun e psal- mistit: “Beko Zotin, o shpirti im”.
Pastaj, pa ngurrim, zgjodhe përkushtimin e plotë ndaj Kishës. Pikërisht në gusht të vitit 2003 u hirotonise dhjak dhe më vonë, në nëntor të vitit 2009, presviter. Para pak kohësh, vendosëm bashkërisht të vazhdosh studimet pasuniversi- tare në Selanik. Për të gjitha këto dhurata të Perëndisë dhe të njerëzve që të duan, mos resht së thëni vazhdimisht: “Beko Zotin, o shpirti im”.
Me zell, përkushtim dhe dashuri i shërben Kishës në çdo sektor që të kërkohet. Në kohët e sotme kritike, kur Kisha Orthodhokse Autoqe- fale e Shqipërisë përballet me nevoja të shumë- llojshme dhe urgjente, Sinodi i Shenjtë vendosi të të ngarkojë një përgjegjësi të re të rëndësi- shme: Të të zgjedhë episkop titullar të Episko- patës, dikur të shkëlqyeshme, të Bylisit dhe të të ngarkojë një sektor shumë të rëndësishëm, atë të “Shërbimit Apostolik”. Gëzohemi në mënyrë të veçantë, sepse biri i një familjeje or- thodhokse shqiptare dhe madje nga qyteti i vjetër i të krishterëve të parë dhe i martirëve, atij të Durrësit, merr përgjegjësinë episkopale. Duke përmbledhur përvojën apostolike, Apostull Pavli, në letrat e fundit drejtuar bashkëpunëtorëve të tij të dashur, këshillon nxënësin e tij, Timotheun:
“Ti pra vuaj porsi ushtar i mirë i Jisu Krishtit” (2 Tim. 2:3). Dhe në një pikë tjetër, në po këtë letër: “Vuaj bashkë me mua për ungjillin sipas fuqisë së Perëndisë” (2 Tim 1:8). Në leximin e Apostullit të së kremtes së sotme të Apostull Timotheut dhe të oshënarit martir Anastas Per- siani, përcaktohet qartë dhe me forcë, si duhet të sillet një episkop i ri: “Askush le të mos të të përbuzë për rininë tënde, por bëhu shembull i besimtarëve, në fjalë, në shoqëri, në dashuri, në frymë, në besë, në zemër të qëruar” (l Tim. 4:11-12).
Tani ti do të jesh më i riu i episkopëve. Por kjo nuk të pengon, përkundrazi, të fton të fitosh respektin e të tjerëve me përulësi, mirësjellje, mentalitet apostolik. Të bëhesh shembull i be- simtarëve; me fjalë e me vepra, me dëshminë spontane, jetën në Shpirtin e Shenjtë, me besimin e nxehtë krijues, me dëlirësinë e kristaltë.
Në letrën e dytë drejtuar Korinthianëve nga apostull Pavli së bashku me Timotheun, për- shkruhet me detaje detyra jonë: “Për asgjë nuk japim asnjë pengesë, që të mos shahet shërbesa jonë. Por në çdo gjë e paraqesim veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë” (2 Kor. 6:3-4).
Dhe e shpjegon: a) me shumë durim (në shtrë- ngime, në nevoja, në ngushtica, në rrahje, në bur-
gje, në trazira, në mundime, në agripni, në kresh- ma). b) “në dëlirësi, në urtësi, në zemërgjerësi, në mirësi”. c) “në Frymë të Shenjtë”, (me fry- mën dhe fuqinë e Shpirtit të Shenjtë) “në dashuri jo hipokrite, në fjalë të së vërtetës, në fuqi Perëndie”.
Të mos presim që mundi dhe kontributi ynë të gjejnë gjithmonë përgjigje. Duhet të jemi të gatshëm të durojmë shpifje, kundërshti, madje edhe dështime. Por çfarëdo të ndodhë, ftohemi të ruajmë paqen dhe gëzimin tonë. Përfundi- misht, të na mjaftojë Perëndia. Në mënyrë të
përsëritur ta kam shtjelluar këtë mendim, që ofron fuqi të pamposhtur dhe liri të brendshme.
Në mënyrë të papërsëritshme dhe shprehë- se, këtë të vërtetë e përmbledhin vargjet që pasojnë: “Në lavdi e në çnderim, në emër të mirë e në emër të keq; si gënjeshtarë, po të vërtetë; si të panjohur, po të njohur mirë; si njerëz që vdesin, po ja tek rrojmë; si të munduar, por jo të vdekur; si të hidhëruar, por gjithnjë të gë- zuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pa- sur; si njerëz që nuk kanë asgjë, por të gjitha i kemi në dorë (2 Kor. 6:8-10).
Pra, me këtë frymë jeto përgjegjësinë tënde episkopale: “…rri zgjuar në të gjitha” shqyrto me (vijon në faqen 8)
(vijon nga faqja 7) kthjelltësi fryme, me qetësi dhe dallueshmëri gje- ndjet e ndryshme, “vuaj, bëj punë ungjillori, shër- besën tënde mbaroje” (2 Tim. 4:5), përpiqu duke pranuar vuajtjen, puno me zell për përhapjen e Ungjillit në shoqërinë e sotme shqiptare; kryeje në plotësinë e saj detyrën që të ngarkon Kisha.
Dhe kjo këshillë ngarkohet me një mallëngjim të veçantë, ndërsa Apostulli, tashmë i moshuar, në fundin e jetës së tij, shton: “Sepse unë tani jam duke derdhur gjakun, edhe koha e të ikurit tim arriti (4:6).
Që prej dorëzimit tënd në hierodhjakon, emri i episkopit dhe i martirit të parë, Shën Astit, vulos rrugëtimin tënd. Përkujdesu që të mos mbash thjesht’ vetëm emrin e tij, por edhe të përjetosh
deri në fund besimin e palëkundur, dashurinë e pashterur, përulësinë gëzimprurëse, burrërinë e paqme të shenjtorit, vetësakrifikimin e tij. Format e martirizimit për episkopët në epokën tonë kanë ndryshuar, por nuk janë shfuqizuar.
Vëllezërit e mi, le të lutemi me të gjithë zemrën tonë në çastin e hirotonisjes së vëllait tonë të shtrenjtë Asti, që të ruajë “porosinë të panjollë, të paqortueshme, deri në dukjen e Zotit tonë Jisu Krisht, të cilën në kohë të urdhëruara, do ta tregojë i lumuri dhe i vetmi pushtetar, Mbreti i atyre që mbretërojnë dhe Zoti i atyre që zotërojnë, i vetmi që ka pavdekësi dhe që rri në dritë të paafrueshme, të cilin asnjë nga njerëzit nuk e pa, as mund ta shohë, të cilit i qoftë nder e pushtet i përjetshëm. Amin” (1 Tim. 6:14-16).