EmailFacebookKontakt

Sot ju lindi juve një Shpëtimtar

“Edhe në ato ditë doli urdhër prej Qezarit August të regjistrohen gjithë bota. Ky regjistrim u bë për të parën herë, kur ishte Kirini qeveritar i Sirisë. Edhe vinin të gjithë të regjistroheshin, secili në qytetin e tij. U ngjit edhe Josifi prej Galilesë, nga qyteti Nazaret, në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Vithlehem, – sepse ai ishte prej shtëpisë e prej atësisë së Davidit, – që të regjistrohet bashkë me Mariamin, që ishte fejuar me të për grua, e cila ishte shtatzënë. Edhe ndërsa ata ishin atje, asaj iu mbushën ditët që të lindë. Edhe lindi birin e saj, të parëlindurin, dhe e mbështolli në shpërgënj, dhe e vuri në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata atje ku kishin rënë.

Edhe në atë vend nëpër arat ishin disa barinj, duke ruajtur me radhë natën tufën e tyre. Edhe ja një engjëll i Zotit erdhi tek ata, dhe lavdia e Zotit ndriti rreth tyre, dhe u trembën me frikë të madhe. Edhe engjëlli u tha atyre: Mos u frikësoni, sepse ja tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh, që do të jetë për gjithë popullin. Sepse sot ju lindi juve në qytetin e Davidit një shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht. Edhe kjo do të jetë shenja për ju, do të gjeni një foshnjë mbështjellë në shpërgënj, shtrirë në grazhd.

Edhe papandehur, bashkë me engjëllin u duk një shumicë ushtrie qiellore, duke lavdëruar Perëndinë, e duke thënë: Lavdi Perëndisë që është në të lartat, edhe paqe mbi dhe, pëlqim në njerëzit.

Edhe si ikën engjëjt prej tyre në qiell, njerëzit, barinjtë i thanë njëri- tjetrit: Le të shkojmë tani në Vithlehem e të shohim këtë punë që është bërë, të cilën Zoti na e tregoi. Edhe erdhën me vrap e gjetën Mariamin dhe Josifin e foshnjën shtrirë në grazhd. Edhe si panë, treguan për fjalën që iu fol atyre për këtë djalë.

Edhe të gjithë ata që dëgjuan, u çuditën për ato që u folën barinjtë. Edhe Mariami i ruante në vete gjithë këto fjalë, duke menduar për ato në zemrën e saj. Edhe barinjtë u kthyen duke lavdëruar e duke nderuar Perëndinë për gjithë ato që dëgjuan e panë, siç iu tha atyre.”

Lluka 2:1-20