Marrë nga libri “Udhëtim Shpirtëror” i Kryepiskopit Anastas
Po ne, a na ka thirrur Krishti që ta ndjekim? Të gjithë na ka ftuar të jetojmë sipas vullnetit të Tij, të jemi nxënës të Tij, ndjekësit e Tij besnikë. Secili nga ne që u pagëzua, është bashkuar me Krishtin dhe është bërë gjymtyrë e Trupit Mistik të Kishës.
Por kjo krijon edhe disa detyrime të caktuara. Nuk mund të jetojmë siç duam ne, siç na e sjell rasti. Duhet të jetojmë siç do Krishti. Po si mund t’ia arrijmë kësaj gjëje? Diçka që do të na ndihmojë shumë, është të mendojmë në çastet e ndryshme të jetës sonë, se po të ishte Krishti në vendin tim në këtë orë, në këtë çast, çfarë do të bënte, si do të fliste? P.sh. kërkon të shkosh diku që të çlodhesh, por në familje kanë nevojë t’u japësh ndihmë për një gjë të caktuar. Gjëja e parë që mendon është vetja jote, “po unë kur do çlodhem”, pra mohimi. Do që të mos ua plotësosh dëshirën. Për një çast pyete pak veten tënde: “Nëse Jisui do të ishte në vendin tim, çfarë do të bënte?”.
Shikon disa miq që nuk sillen siç duhet: thërrasin, mburren, qortojnë. Kërkon edhe ti të bashkosh zërin tënd me ta dhe të kërkosh të drejtën tënde. Por është mirë të mendosh me vete: “Po të ishte Krishti në vendin tim tani, si do të vepronte?”.
Në shoqërinë tonë, kur jemi në shkollë e më vonë në punë, ekziston një nevojë e madhe për
të ndihmuar të tjerët dhe për të bërë vepra të dobishme shoqërore e për këtë duhet djersë e mund. Shikon të tjerët teksa i bëjnë bisht kësaj gjëje dhe mohojnë të kryejnë detyrën e tyre. Mendojnë vetëm për veten e tyre. Je gati edhe ti që të bësh të njëjtën gjë. Këtë na e imponon egoizmi ynë. Edhe në këtë çast kujto mesazhin e Apostull Pavlit, që shkruam më lart dhe thuaj: Krishti në vendin tim, me siguri që nuk do të ngurronte të ecte drejt sakrifikimit, që kërkon detyrimi i dashurisë. Pra, duhet të eci përpara me heroizëm. “Nuk jetoj më unë, por jeton Krishti tek unë”.
Pikërisht në këtë pikë qëndron madhështia e jetës së besimtarit të krishterë. Brenda tij nuk jeton më egoja, ajo nukjep më urdhra me ligësitë, lakmitë, zilitë dhe ashpërsitë e saj. Brenda tij mbretëron Krishti. Ai drejton, Ai frymëzon. Prandaj edhe besimtari është gjithnjë i gatshëm të bëjë vullnetin e Perëndisë, prandaj është i dashur për ambientin ku ndodhet.
Për më tepër, Krishti jeton përbrenda tij, e fuqizon, e ngushëllon në vështirësitë dhe besimtari është paqësor e i gëzuar madje, edhe në stuhitë më të mëdha të jetës së tij. E dini se çfarë thoshte Apostull Pavli për këtë fuqi që i falte Krishti? “Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit që më jep fuqi” (Filip. 4:13). “Gëzohem në pësimet e mia” (Kol. 1:24).
Në fund, kur Krishti jeton brenda nesh, interesat tona nuk mbarojnë në studimet, shtëpinë apo farefisin tonë. Mendojmë dhe duam si Krishti mbarë njerëzit e të gjithë dheut dhe jemi të gatshëm, nëse nevojitet, të ndihmoj- më aty ku na kërkon Perëndia.
Nuk përjashtohet që disa prej nesh këtu, të jenë të ftuar nga Krishti për ta ndjekur në rrugë më të vështira dhe heroike. Ndoshta, disave prej nesh u kërkon që të bashkëpunojnë për për- hapjen e Ungjillit të Mbretërisë së Tij në vendin ku jetojnë apo në vende të tjera të dheut, që vuajnë më tepër. Nuk e di nëse e keni parasysh se çfarë problemesh të mëdha kanë popujt e Azisë dhe të Afrikës. Nuk do të flasim për urinë dhe analfabetizmin, që kamxhikon gjysmën e popullsisë së globit. Dua të theksoj këtu se ekzistojnë mbi 100 fise në Afrikë, në Amerikën e Jugut dhe në Azi, që nuk kanë një varg të Ungjillit në gjuhët e tyre, me qindra milionë njerëz nuk e njohin aspak Krishtin. Sigurisht, Zoti ka për të ftuar edhe nga brezi ynë bashkë- punëtorë të Tij, siç bëri në epokën e Apostull Pavlit ose të Kazaktinit.
Por pavarësisht kësaj thirrjeje të veçantë, le të mos harrojmë se të gjithë na ka ftuar Zoti, të bëhemi ushtarë të Mbretërisë së Drejtësisë dhe të Dashurisë.