Përmbajtja e besimit orthodhoks shprehet me teologjinë orthodhokse. Teologjia është fjala për Perëndinë e zbuluar, i referohet Perëndisë dhe buron së pari prej Tij. Për orthodhoksët, studimi i Orthodhoksisë bëhet në Kishën Orthodhokse me anë të drejtësisë së besimit, pastërtisë dogmatike dhe sigurisë kishtare. Përmbajtja e besi- mit orthodhoks përbën dhuratë të Shpirtit të Shenjtë për Kishën, kurse Kisha nuk mund ta kryejë veprën e saj sotiriologjike (shpëtuese) e shkëputur nga teologjia orthodhokse.
Kisha Orthodhokse identifikohet me Një Kishë, të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike. Ruan për veten e saj thesarin e arritjeve të mëdha të mendimit teologjik të njerëzve të Kishës, Etërve të saj dhe mësuesve të tjerë, të cilët, në dritën e Zbulesës Hyjnore, me ndriçimin e Shpirtit të Shenjtë dhe dhuratës që ishte tek ata, të fjalës së Perëndisë, na dhanë ne pikërisht atë që sot quajmë besim dogmatik orthodhoks.
Ky besim është fryt logjik i komunikimit të fjalës njerëzore me Fjalën Hyjnore dhe ndodhet në Kishë, nga njëra anë në monumentet e shkruara, të cilat shprehin ndërgjegjen katholike të Kishës, nga ana tjetër, gjendet në Etërit e shenjtë dhe shkrimtarët kishtarë.
Dhiata e Vjetër përmban fjalën e Perëndisë, siç Zoti ua zbuloi izraelitëve para se Ai të vijë në botë. Ky zbulim u bë nga burrat e shenjtë, patriarkët, Moisiu dhe profetët e Dhiatës së Vje- tër. Kishte si qëllim parapërgatitjen e njerëzve, për të kuptuar më mirë dhe më lehtë të vërtetat e Dhiatës së Re.
Dhiata e Re përmban fjalën e Perëndisë, që i zbuloi njerëzve me anë të Birit dhe Fjalës së Perëndisë, pra Zotin tonë Jisu Krisht. Zbulesa e bërë nga Zoti, si në ungjijtë e Tij ashtu edhe nga apostujt dhe nxënësit e Tij të shenjtë, është e plotë dhe e përsosur. Ka si qëllim shpëtimin e të gjithëve ne.
Nga shekulli i katërt Etërit e shenjtë të Kishës sonë u mblodhën në Sinode Ekumenike dhe për- caktuan, pra shfaqën dhe vendosën si të dety- rueshme e të pandryshueshme, dogmat, si të vërteta themelore të Krishterimit.
Vendimet e Sinodeve Ekumenike dhe me- ndimet e Etërve të Kishës, përderisa bien në një mendje me frymën dhe shkronjën e Shkrimit të Shenjtë përbëjnë Traditën e Shenjtë të shkruar të Kishës.
Nga Etërit e Kishës përfaqësuesit kryesorë të Orthodhoksisë janë Shën Joan Gojarti, Tre Kapadokasit, pra Vasili i Madh, Grigor Theologu, vëllai i Vasilit të Madh, Grigori i Nisës, si edhe Kirilli i Aleksandrisë. Kisha jonë në mënyrë tepër të drejtë nderon që nga shekulli i njëmbë- dhjetë Tre Hierarkët, Vasilin e Madh, Grigor Theologun dhe Joan Gojartin, si shprehës the- melorë të mendimit orthodhoks dhe të besimit të vërtetë.