Nga dita e martirizimit të tij filloi një histori e re mahnitëse
Por historia e Shën Dhimitrit nuk merr fund këtu, në vitin 303
pas Krishtit, kur ai u martirizua. Nga dita e martirizimit të tij filloi
një histori e re mahnitëse, që vazhdon deri në ditët tona. Martiri i
madh Dhimitër u bë shpirti i qytetit, frymëzuesi, udhëheqësi, ati,
mbrojtësi dhe shenjtori kryesor i tij. Me gjakun e tij, ai vaditi farën
e besimit të krishterë, që mbolli Apostull Pavli. Dhe ajo u rrit e lulë-
zoi duke dhënë fryte të mrekullueshme. Prania e trupit të shenjtorit
e ka fuqizuar dhe vazhdon edhe sot të fuqizojë besimin e mirë të të
krishterëve të Selanikut.
Dhe ndikimi i tij nuk kufizohet vetëm në shpirtrat e besimtarëve,
por, siç duket qartë në mjaft raste, Shën Dhimitri dha ndihmën e tij
për çdo njeri që kishte nevojë dhe ishte i denjë. Njerëz të munduar
nga sëmundje të ndryshme dhe që nuk mund të shëroheshin as prej
mjekëve më të mirë të kohës, gjetën shërim pranë lipsanit të Martirit
të Madh. Në mes të shumë mrekullive, është e dobishme të përmendim
tri prej tyre, që u bënë në shekuj me hirin e Shën Dhimitrit: Nga
lipsani i tij doli një burim i pashtershëm miroje hyjnore, që shëronte
çdo të sëmurë dhe nevojtarë. Prandaj edhe shenjtori quhet Mirovlit,
(mirolëshues). Dy herë me radhë kur ushtri barbare pushtuan Sela-
nikun (normandët në vitin 1185 dhe turqit në vitin 1453), të shtyrë
nga smira dhe inati u përpoqën të boshatisin arkën ku ndodheshin
lipsanet e Shën Dhimitrit dhe të hiqnin miron e shenjtë, por nuk arri-
tën dot ta shterojnë. Në fund u detyruan të pranojnë mrekullinë dhe
hirin me të cilin Perëndia e nderonte martirin e madh Shën Dhimitër
dhe filluan edhe ata vetë të merrnin miro që të shëroheshin.
Shumë herë qyteti i Selanikut pa ushtri barbare të sulmojnë me
egërsi për ta pushtuar dhe ta rrethojnë me këtë qëllim për një kohë
të gjatë “si një kurorë vdekjeprurëse”. Por u shpëtuan me hirin e
Shën Dhimitrit. Selanikasit e panë me sytë e tyre fare qartë të
ndërhyjë, t’u japë fuqi, sikundër bëri edhe me Nestorin, të shpër-
ndajë flotën armike, të krijojë shpesh panik ndër armiqtë gjakatarë.
Dhe nuk e shikonin vetëm selanikasit me sytë e tyre, por edhe ar-
miqtë, të cilët nga ky shkak tmerroheshin dhe ia mbathnin të frikë-
suar. Shumë herë i pyesnin robërit se përse kishin ikur nga beteja
dhe ata përgjigjeshin: “Pamë një burrë flokëverdhë dhe të shkël-
qyeshëm, i cili qëndronte mbi një kalë të bardhë dhe mbante veshur
një rrobë të bardhë”. Nuk është aspak e rastësishme se ditën e kuj-
timit të tij, Selaniku u çlirua nga zgjedha turke disashekullore.
Sipas të dhënave që na japin mjaft tekste bizantine, selanikasit,
mirënjohës për mrekullitë e tij dhe që të mos kishte njeri që t’i
harronte ato, pikturuan në muret e kishës “të gjitha episodet e luftës
dhe se si shpëtuan me ndihmën e këtij atleti të Krishtit”. Por edhe
në kisha të tjera si p.sh. në Mistra, mund të shihen skena të martirizi-
mit të Shën Dhimitrit. Figura e shenjtorit mbizotëron për shtatëmbë-
dhjetë shekuj me radhë në jetën e Selanikut dhe rrezaton në mbarë
botën e krishterë.
Marrë nga libri “Mesazhe Hyjnore”, i Kryepiskopit Anastas