EmailFacebookKontakt

Stolia më e madhe ishte pasja e një shkolle…

…E gjeje ditë dhe natë në udhëtim në vendet më të largëta e të
pashkelura. Ai ecte më këmbë dimër e verë, me një shkop, pa asnjë lek
në xhep dhe furnizime e në këtë mënyrë përshkoi thuajse gjysmën e
gadishullit ballkanik. Duke shpërfillur vapën e tmerrshme, rrebeshet dhe
stuhitë e dëborës, ai lëroi vreshtin e Zotit, që ishte mbushur me gjemba
dhe ferra, për nëntëmbëdhjetë vite me radhë. Fshatra të tërë i dilnin në
rrugë për ta pritur. Mijëra njerëz të popullit e ndiqnin. Rruga e tij ishte
një litani fetare e jashtëzakonshme. Kishte raste që e shoqëronin dyzet
ose pesëdhjetë priftërinj. Shpesh merrte me vete disa manuale prej druri
që mbanin njëqind qirinj. Kur njerëzit mblidheshin, ai u ndante qirinj falas,
i vinte priftërinjtë dhe lexonin Efqelinë e Shenjtë, në vazhdim i lyente të
gjithë të krishterët dhe në fund fare lëçiste fjalën e Perëndisë.
Le të ndjekim një skenë nga përpjekjet e shumta që bëri shën Kozmai
për rilindjen shpirtërore të të krishterëve. Ngjarja që do t’ju tregojmë,
ndodhi në një fshat të Përmetit në verën e vitit 1779. Aty ishin mbledhur
njerëz të shumtë rreth kryqit që kishte ngritur shenjtori. Mësimi i tij po i
afrohej fundit. Por papritur zëri i tij mori një fuqi të re dhe fjala mori zjarr
nga dashuria hyjnore. Ai nisi të flasë për errësirën e paditurisë që kish
pllakosur vendin i cili më parë shquhej për diturinë e tij. Iu dha përgjigje
banorëve se çfarë duhet të bënin me stolitë dhe sendet prej ari të grave.
Stolia më e madhe ishte pasja e një shkolle. Fjalët e tij i tronditën shpirtrat.
Pa u thënë njeri, dy duar delikate gruaje, nisën të heqin stolitë e shumta
dhe vathët që i zbukuronin ato. Menjëherë, sikur t’u ishte dhënë një
shenjë, të gjitha gratë nisën të jepnin tërë stolitë dhe vathët e tyre duke
i lënë në mes të sheshit, në këmbët e murgut të moshuar, thua se ishin
marrë vesh më parë midis tyre. Burrat shikonin të habitur. Ata që kishin
stoli, bënë të njëjtin veprim me atë të grave të tyre. Kur i numëruan të
hollat që do të mblidheshin nga shitja e këtyre sendeve, gjetën më shumë
se sa u duheshin për ndërtimin e një shkolle. Kjo ndodhi në tre fshatra,
në Lekël, në Erind dhe Karjan. Madje në Dhrovjan arriti të mbledhë
16.000 groshë, shumë e madhe për atë kohë, me të cilën mësuesit u
paguan për 100 vjet.
Epilog
Në këtë çast që morëm edhe mesazhin e mësimit të sotëm, mund t’i
shtrojmë një pyetje vetes sonë: “Nëse shën Kozmai do jetonte në epokën
tonë dhe do të fillonte të predikonte, çfarë do të na thoshte?” Nuk mund
të them se do të ishte diçka pozitive. Por mendoj se miti i jetës së tij dhe
i veprës që ai bëri, që vazhdon ende të jehojë në shumë vende edhe në
ditët tona, i thotë secilit nga ne: “Duaje Perëndinë dhe Kishën. Punoni
vazhdimisht për lartësimin e popullit të Perëndisë. Dhe të mos harroni!
Të krishterët nuk edukohen me fjalë, por duan shembuj, punë të palodhur,
shenjtëri dhe frymë sakrifice!”.
Marrë nga libri i Kryepiskopit Anastas “Mesazhe Hyjnore”