EmailFacebookKontakt

Diplomohen studentët e Akademisë Teologjike

Manastiri i Ri i Shën Vlashit, Durrës

Diplomohen

studentët e Akademisë Teologjike

13 qershori, dita e të kremtes së Shpirtit të Shenjtë, për të diplo- muarit e rinj të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit, ishte më shumë se një ceremoni tradicionale festive. Në këtë ditë kaq të veçantë, merrte pjesë Kryepiskopi Anastas bashkë me anëtarët e tjerë të Sinodit të Shenjtë, Mitropoliti i Beratit Ignati, ndihmësdekani i Akademisë, Episkop Nikolla, Protopresviter Jani Trebicka, si edhe klerikë të ardhur nga disa qytete të vendit, familjarë të të sapodiplomuarve, pedagogë dhe studentë, si dhe të ftuar të tjerë. Pas Liturgjisë Hyjnore, të gjithë të pranishmit u mblodhën në sallën “Sion”, për të ndjekur programin e përgatitur.

Fjalën e hapjes e mbajti Hirësi Nikolla. Pas saj, u mbajt fjalimi i studentit më të mirë. Këtë vit ishte studentja Gabriela Dalipi, nga Gjirokastra, e cila dëshmoi si u bë anëtare e Kishës, bekimet që përfitoi gjatë katër viteve të shkollës, si dhe gatishmërinë për të kontribuar në vazhdimësi në vreshtin e Zotit.

Pastaj fjalën e mori Kryepiskopi Anastas, i cili ndau me studentët e diplomuar dhe të gjithë të pranishmit shumë mesazhe dhe përjetime: “Të falënderojmë Perëndinë, sepse Shpirti i Shenjtë brenda situatave shumë të vështira vazhdon të drejtojë Kishën tonë në rrugë të bekuara, me vetësakrifikimin e njerëzve të njohur e të panjohur. Shumë njerëz u gjendën jashtë besimit dhe Shpirti i Shenjtë i ka sjellë dhe orientuar në Kishë. Ka me mijëra të rinj që presin të njohin të vërtetën dhe ju, duhet të bëheni mbartës të Shpirtit të Shenjtë për të vazhduar misionin. Nevojat në Shqipëri janë të shumta. Kisha e Shqipërisë nuk është e

vogël, jemi me mijëra, por duhet të jemi llambadhe të ndezura, jo të fikura. Përpiquni të jeni të bashkuar, vetëm atëherë Shpirti i Shenjtë, është më i kapshëm dhe më i ndjeshëm në jetën tonë. Bekimet e Perëndisë të mos i mbajmë vetëm për vete, por t’i shpërndajmë edhe te të tjerët, që t’iu japim më shumë dashuri. Duhet të kemi më shumë shpresë dhe optimizëm”.

Në fund të ceremonisë u shpërndanë diplomat.

Isidor Koti