EmailFacebookKontakt

Kampi III – Kohë formimi shpirtëror

Nga data 26 korrik – 4 gusht u zhvillua kampi për të rinjtë nga mosha 17 – 30 vjeç. Programi i kampit kishte si qëllim formimin shpirtëror. Në të përfshihej: lutja e mëngjesit, studimi biblik mbi festat zotërore (Ungjillëzimi, Lindja e Zotit Jisu Krisht, Ipapandia, Pagëzimi, Shpërfytyrimi, Kryqëzimi, Ngjallja dhe Zbritja e Shpirtit të Shenjtë), diskutimi shpirtëror në mbrëmje, duke u mbështetur te libri i Kryepiskopit Anastas “Mesazhe hyjnore”. Në një nga këto diskutime ishte referues edhe Atë Justini, i cili mbajti temën “Vdekja dhe koncepti i krishterë mbi të”. Bekim për kampin ishte edhe pagëzimi i tetë pjesëmarrësve. Moment i rëndësishëm ishte dhe shfaqja e filmave të ndryshëm si “Rroba e Krishtit”, “Dhimitri dhe gladiatorët”.

Gjatë periudhës së kampit kishin mundësinë të përkujtonim 18-vjetorin e fronëzimit të Kryepiskopit Anastas. Për të kujtuar këtë ngjarje të rëndësishme për historinë e Kishës sonë u shfaq dokumentari mbi 18 vitet e rindërtimit të Kishës sonë nën drejtimin e Kryepiskopit. Njëko- hësisht, në një nga vaktet e ngrënies, u lexuan artikuj apo shkrime të ndryshme që i referoheshin kësaj ngjarje dhe këtyre 18 viteve për të krijuar ne gjithë pjesëmarrësit një ndjenjë shprese, gëzimi dhe mirënjohjeje ndaj personit që me intelektin, mundimin dhe mbi të gjitha besimin e tij bëri që Kisha të futet në rrugën e rindërtimit, forcimit dhe misionit shpirtëror të saj. Koha e formimit dhe forcimit shpirtëror ishte e ndërthurur me aktivitete sportive në ambientet e manastirit dhe në bregun e detit. Në kamp morën pjesë 45 të rinj, të cilët arritën të kapërcenin diferencën e moshës, nivelin intelektual, duke forcuar njohjen dhe miqësinë e tyre. Ky është një përjetim të cilin ta ofron hiri i Perëndisë, ndërmjetimi i së Tërëshenjtës, emrin e së cilës mban manastiri.

Kampi ofroi mundësinë për ripërtëritje shpirtërore dhe forcim të lidhjeve shoqërore midis pjesëmarrësve.

Thoma Çomëni