Nga Shën Nektari i Egjinës
Mbi Kishën
(vijon nga numri i kaluar)
Për këtë qëllim e ka krijuar Kishën e Tij të përjetshme. Ajo përfshin besimtarët që nga ko- hët e para dhe deri në fund. Ai është kreu dhe mbrojtësi i gjallë dhe veprues, i Cili e forcon për përjetësinë. Kreu i Kishës në Eden, Jisu Krishti ishte qendra e Kishës së Patriarkëve, objekti i ligjit të Moisiut që e parashëmbëlleu Kishën me imazhe e simbole. Jisu Krishti është dhe do të jetë kreu i Besëlidhjes së Re. Kisha e Krishtit është një, e shenjtë, katholike dhe apostolike, e paracaktuar që nga themelimi i botës për shpë- timin e njerëzve, dhe e themeluar për të mbetur e përjetshme.
Shën Epifani, në letrën e tij drejtuar Pa- nariosit, flet për Kishën dhe në fund thotë: “Kisha është krijuar që me Adamin; ajo u është predikuar patriarkëve para Abrahamit; ajo u rrit pas Abrahamit; u zbulua nga Moisiu; u pro- fetizua nga Isaia; u dha me Krishtin dhe ekziston me të dhe tani kremtohet nga ne”. Në Ekpozenë e tij mbi Besimin, në kap. 78, ai shkruan kështu: “Karakteri i Kishës është formuar nga Ligji, profetët, apostujt dhe ungjillorët”.
Shën Kirili i Jerusalemit thotë se Kisha nën- kupton të gjithë ata që kanë besuar te Krishti para ardhjes së Tij; ata formuan Kishën e Besë- lidhjes së Vjetër, dhe Kisha ishte udhëhequr, në kohën e patriarkëve, nga premtimet dhe besimi që vinte nga zbulimet, d.m.th. jo i shkruar dhe gojor. Që me Moisiun dhe profetët, Kisha është udhëhequr nga besimi dhe profecitë, d.m.th. nga tradita e shkruar.
Kisha është pra mbretëria e Krishtit mbi tokë dhe shën Joan Gojarti thotë se ajo është “vendi i engjëjve, i kryeengjëjve, mbretëria e Perëndisë, vetë qielli” (Homelia 6). Shpirti i Shenjtë që zbriti mbi të, qëndron me të përjetë, ashtu si u tha Shpëtimtari dishepujve të tij: “Dhe unë do t’i lu- tem Atit dhe ai do t’ju dërgojë një Ngushëllimtar, të cilin bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e shikon dhe nuk e njeh. Ju, ju e njihni, dhe ai do të qëndrojë përgjithmonë me ju”.
Është Shpirti i Shenjtë që zbriti dhe i jep me bollëk dhuntitë hyjnore Kishës. Kjo e fundit mori të drejtën të lidhë e të zgjidhë mëkatet; të pre- dikojë Ungjillin; t’i thërrasë kombet në shpëtim. Ajo mori fuqinë t’i ripërtëritë shpirtërisht njerëzit e rënë, t’i bëjë ikona të Perëndisë; t’i bëjë të ngjashëm me Të. Ajo mori fuqinë t’i pajtojë ata me hyjnoren dhe t’i bëjë pjesëmarrës të hirit hyjnor, t’i bashkojë me Shpëtimtarin, t’u japë Shpirtin e Shenjtë të gjitha sa përikin tek ajo, t’i bëjë bij të Perëndisë. Ajo mori fuqinë për të fituar
mbi kundërshtarët e saj, të mbetet përherë e pa- dukshme, e paepur. Sipas shën Joan Krisostomit, “e luftuan, por ajo mbeti fitimtare; e kundër- shtuan, por ajo shndriti edhe më tepër. Mori plagë pa u rrëzuar; u lëkund, por nuk u fundos; u sulmua, por nuk u rrënua. Ajo nuk është pasi- ve, por lufton pa u mundur dot.”
Kisha e Shpëtimtarit është me të vërtetë mbre- tëria e qiellit mbi tokë. Në të mbretëron dashuria, gëzimi, paqja. Në të gjendet besimi në Perëndi- në; nga ndjenja fetare, ndjesia e brendshme e zemrës, arrijmë në njohjen e Perëndisë, në njohjen e mistereve të fshehta, në njohjen e së vërtetës së zbuluar. Në të shpresa lartësohet e sigurt; në të kryhet shpëtimi; në të Shpirti i Shenjtë jepet dhe buron me mbushulli frytet e hirit hyjnor. Në të lulëzon dashuria hyjnore për Perëndinë, dashuria e përsosur dhe përkushtimi ndaj tij, si dhe dëshira e paepur e bashkimit të pafund me Perëndinë.
Në Kishën e Perëndisë, virtytet morale arrij- në në majën e përsosmërisë së mundshme për njeriun. Mendja e pastruar, zemra e rikrijuar për- mes misterit të pagëzimit hyjnor, njeriu i errësuar në mendje dhe i ngurtë në zemër zhvillon virtyte
plotësisht të reja dhe vrapon me zell në stadiumin e virtyteve. Më të vërtetë, Kisha e ka rikrijuar dhe ripërtëritur njeriun, e ka bërë sipas ikonës së Perëndisë. Shenjtërorja e shenjtë e kishës është një tryezë e vërtetë që i ushqen besimtarët për jetën e përjetshme; ajo ka për besnikët bu- kën qiellore dhe ata që e hanë nuk do të vdesin më kurrë. Shenjtërorja e shenjtë që ngrihet në qendër të kishës së Krishtit është tryeza qie- llore; ajo pranon gjërat e tokës dhe i bën të ngjiten në qiell. Shenjtërorja e shenjtë e Kishës prek tokën dhe në të njëjtën kohë fronin nga lart. Shenjtërorja është e frikshme për vetë engjëjt që fluturojnë nën kupën qiellore.
Kisha është shpresa, përikja, ngushëllimi për ata që i besojnë Krishtit. Gojarti i hyjshëm thotë: “Si një port në oqean, e tillë është Kisha e mbje- llë nga Perëndia në qytetet. Duke iu larguar ngasjeve të jetës, në të ne gjejmë një strehë dhe marrim paqen”.
Kisha është e paprishshme: “Kreu i Zotit është vajosur me aromë me qëllim që Kisha të marrë frymë paprishjen” (Let. Ad Ef. Kap. 17). Kisha është katholike: “Atje ku është Krishti, atje është Kisha katholike” (Let. Ad Smirn. Kap. 8).
Shën Grigori i Nazianzit, në ligjëratën e tij kundër Julianit, thotë këtë për Kishën: “Ti je kundër trashëgimisë së madhe të Krishtit, tra- shëgimi që kurrë nuk do të pushojë … që ka krijuar Perëndia dhe e ka trashëguar njeriu. Ligji e shëmbëlleu, hiri e mbushi, Krishti e ripërtëri- ti, profetët e mbollën, apostujt e rrethuan me gardh, ungjillorët e kultivuan…”.
Shën Epifani i Qipros në fjalimin e tij mbi besimin, thotë: “Kisha është nëna jonë. Është nusja që vjen nga Libani, e bukura dhe e kullu- ara, parajsa e artistit të madh, qyteti i Mbretit të shenjtë, nusja e Krishtit të tërëkulluar, virgjë- resha e pafajshme, e fejuar me një dhëndër, e ndritshme si agimi, e bukur si hëna, e zgjedhur si dielli. E shpallur e lumur nga Mbretërit, ajo qëndron në të djathtë të Mbretit.”
Kisha është zbulimi i vazhdueshëm në botë. Në të Perëndia zbulohet në mënyra të ndryshme dhe të shumëllojshme dhe konfirmon Praninë e Tij nëpërmjet energjive hyjnore. Duke iu drejtuar Korintasve, Pavli thotë për Kishën e theme- luar nga Krishti kështu: “Dhe Perëndia i vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues; pastaj vepra të fuqishme; pastaj dhuntitë e shërimit, të ndihmës e të qeverisjes dhe të larmive të gjuhëve” (I Kor. 12.28).
Përktheu Eleni Pani