Nga urtësia
e Etërve të shkretëtirës
Ava Pafnuti, dishepull i ava Makarit thoshte: “Kam lutur atin tim duke i thënë: “Më thuaj një fjalë.” Ai m’u përgjigj: “Mos i bëj keq asnjë njeriu dhe mos gjyko askënd. Vepro kështu dhe do të shpëtohesh.”
Tregonin për ava Makarin e madh që ishte një “engjëll mbi tokë”, sepse ashtu si Zoti mbulon botën, ava Makari mbulonte gabimet, i shikonte ato si të mos i shikonte, i dëgjonte sikur të mos i dëgjonte.
Ava Iperekio ka thënë: “Ai që nuk zotëron gjuhën e tij në moment zemërimi, nuk do të zotërojë as pasionet e tij. Vlen më mirë të hash mish dhe të pish verë, sesa të kafshosh me stipifje mishin e vëllait tënd”.
Ava Ori ka thënë: “Në çdo provë mos qorto asnjë njeri, por vetëm veten tënde duke thënë: Kjo ndodh për shkak të mëkateve të mia”.
I njëjti atë ka thënë: “Sa herë një mendim kryelartësie apo krenarie të pushton, kërko me ndërgjegjen tënde të shikosh nëse i ke ruajtur të gjitha urdhërimet, nëse i do armiqtë e tu, nëse gëzohesh me arritjet e të tjerëve dhe trishtohesh për humbjet e tyre, nëse e konsideron veten si një shërbëtor të padobishëm dhe më mëkatarin e të gjithëve. Dhe gjithashtu mos krijo ide të larta për veten sikur të kesh arritur gjithçka, ta dish se ky mendim shkatërron çdo gjë”.
Ava Joani thoshte se: “Shenjtorët i ngjajnë një kopshti, pemët e të cilit kanë fruta të ndryshme, por që të gjitha i ujit i njëjti ujë. Tjetër aktivitet ka një shenjtor, tjetër ka një shenjt tjetër, por është vetëm një frymë që vepron tek ata”.
Ava Pimeni ka thënë: “Tek një njeri që zemra jote nuk ka besim të plotë, mos i beso ndërgjegjen tënde”.
Ava Sisoi thoshte: “Nëse dikush kujdeset për ty, nuk duhet që ti t’i japësh urdhra”.
Oshënare Singlitikia ka thënë: “Ashtu siç është e pamundur të ndërtojmë një anije pa gozhdë, në të njëjtën mënyrë është e pamundur të shpëtohemi pa përulësinë”.
E njëjta ka thënë: “Ashtu siç është e pamundur të kemi në të njëjtën kohë bimë dhe farën, ashtu është e pamundur për aq sa na rrethon lavdia e botës të prodhojmë fryt qiellor”.
E njëjta shenjtore ka thënë përsëri: “Le të jemi vigjilentë; sepse nëpërmjet shqisave, edhe pse ne nuk duam, hajdutët depërtojnë. Si do të mund të mos ndotej një shtëpi prej tymit që vjen nga jashtë kur dritaret janë hapur?”.