Nga trashëgimia orthodhokse
GJURMË TË SHPELLAVE ASKETIKE BIZANTINE MBI LIQENIN E KOMANIT
Në këtë material do të japim disa të dhëna nga hulumtimet fizike
dhe historike për shpellën, të cilën populli vendës e quan “shpella e
kaurrit”, që ndodhet pranë fshatit Levrushkë, në zonën e liqenit të
Komanit.
Ishte insistimi dashamirës i të dy profesorëve të historisë nga Puka,
Mustafa Mehmeti e Skënder Guri, që i falënderojmë me shumë respekt,
të cilët e shihnin me shumë interes studimin e kësaj shpelle, si një gjurmë
e fuqishme e periudhës bizantine në Shqipëri, dhe që bënë të mundur
organizimin e një ekspedite me qëllim studimin e kësaj shpelle asketësh.
Për të vajtur tek shpella është e lehtë, pasi transport! ujor bën që të
shkosh mjaft afër me mjete lundruese nëpër liqen. Po kështu distanca
deri tek diga e Komanit është e shkurtër, vetëm 10 minuta me moto-
barkë, por ngjitja në shpellë ka vështirësi.
Në hyrje të shpellës duken qartë muret mbajtës dhe mbrojtës, si
dhe muret ndarës të mjediseve të ndryshme, të cilat përbënin zonat
funksionale të kësaj qendre asketësh. Në të shikohen hapësira të mbu-
luara me qemer guri, muratura të fuqishme, si dhe dyer lidhëse. Më tej
ambienti kryesor i madh është i krijuar në brendësi të shpellës. Shpella
është e gjatë rreth 20 m dhe ka një shtrirje dyplanëshe, ku mbas një
kalimi të ngushtë në fund të saj dhe duke u ngjitur në disa shkallare
natyrore, ajo ndryshon drejtim dhe ngjitet sipër në një hapësirë tjetër,
nga ku del në një ballkonadë. Kjo ballkonadë del disa metra mbi hyrjen
kryesore të shpellës dhe përpara saj shfaqet liqeni i Komanit si dhe fa-
qja e malit përballë, që vendësit e quanin “Murga”. Aty ndodhen disa
stane e kopshte të vogla, të cilët ishin pronë e këtyre murgjve. Vetë
Murga lidhej me shpellën me një urë druri me këmbë prej guri, të
cilën lumi i Gominës e ka shkatërruar plotësisht.
Studiuesi kroat Milan Shuflaj, në librin “Shqiptarët e Serbët” thotë
se: “Kufiri politik i Perandorisë Bizantine me atë Romake kalonte nga
Tivari në bërrylin e Drinit dhe merrte në veri drejt Danubit”. Shpella
për të cilën flasim ndodhet pikërisht fare pranë bërrylit të Drinit.
Dihet se pas ndarjes së Perandorisë Romake sulmet barbare
shkatërruan Perëndimin, por nuk lanë pa prekur skajin perëndimor të
Bizantit. Po kështu rol mjaft të madh patën sulmet sllave nga Lindja,
që vazhduan një kohë të gjatë dhe patën pasoja të mëdha historike.
Pikërisht, për të ruajtur kufijtë e vet politikë Bizanti ndërtoi në periudhën
e shekujve të VI-XI -të shumë fortesa ushtarake të tipit kështjellë.
Po të bisedosh me banorët e sotëm të Levrushkut pohojnë edhe
emërtime interesante të shkëmbinjve, rrugëve, trojeve, që nuk dihet
që kur janë vënë. Kështu në hyrje të kanionit të Gominës, ku ndodhet
shpella, gjendet guri i Solomonit. Askush nuk është në gjendje të na
sqarojë se nga e mori këtë emër. Është shumë interesante se populli
i Levrushkut edhe sot flet me krenari për muret e shpellës së “kaurrit”,
ruan me fanatizëm varrezat e “kaurrit”, që janë në mes të fshatit, si
dhe kishën e Shën e Premtes që ndodhet pranë tyre.
Lartësia e shpellës është 220 m mbi nivelin e detit. Ajo sot ndodhet
vetëm 10 m mbi nivelin e pasqyrës se ujërave të liqenit të Komanit.
Dikur këtu lumi i Gominës, që është degë e majtë e Drinit, formonte
një kanion të ngushtë e të thellë rreth 100m, me shpate tepër të pjerrëta
e me gjerësi vetëm 2 deri 20m. Ndaj, para ndërtimit të Hidrocentralit
të Komanit ishte tepër e vështirë hyrja në shpellë.
Gërmimet duhet të bëhen edhe për të zbuluar tunelin, që sipas
banorëve vendës, lidhte shpellën me pjesën lindore të malit, me gjatësi
mbi 200 m, e që përdorej si dalje e fshehtë e saj në afërsi të fshatit
Levrushk. Thuhet se brenda këtij tuneli murgjit patën ndërtuar një
furrë gëlqereje, që perdorej si mjet lidhës për muret e shpellës. Ndoshta
zbulimi i këtij tuneli do të na ndihmojë të hedhim më shumë dritë edhe
mbi vetë manastirin e shpellës.
Si konkluzion mund të themi se, duke u bazuar në të dhënat historike
të hulumtuara, zona Koman – Pukë, të cilën kemi marrë në shqyrtim,
përbën një bazë të fuqishme informacioni arkitektonik dhe historik të
lulëzimit dhe shtrirjes së Perandorisë Bizantine.
Largohemi nga kjo shpellë asketësh duke marrë mbresa shumë të
fuqishme, të cilat të impenjojnë për hulumtime të mëtejshme në këtë
zonë dhe pse jo krijimin e një spektri historik, i cili do të plotësonte më
së miri boshllëqet dhe informacionet e vakëta që trashëgimia kulturore
e Shqipërisë si dhe ajo botërore ka për këtë trevë.
Përgatiti: Ark.restaurator Joan Stratobërdha