Më 20 janar 1994, Komiteti Qendror i Këshillit Botëror të Kishave pranoi Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë si anëtaren më të re. Por, siç do të theksonte Kryepiskopi Anastas, Kisha jonë ishte e përfshirë në lëvizjen ekumenike që përpara Luftës II Botërore dhe po të mos ishte regjimi komunist, me siguri do të ishte ndër anëtarët themelues të WCC në vitin 1948. (Kryepiskopi Anastas ka qenë disa herë moderator dhe referues kryesor në asambletë dhe veprimtaritë e WCC.)
Në Asamblenë e vitit 1998, në Harare, Kisha jonë ishte pjesëmarrëse me të drejta të plota dhe Kryepiskopi u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror, ku është shquar për një kontribut të vazhdueshëm dhe aktiv.