E diela e tretë mbas Pashke i kushtohet grave miroprurëse, të cilat u kujdesën për trupin e Shpëtimtarit në vdekjen e tij dhe ishin dëshmitaret e para të Ngjalljes së tij. Të tre troparet e të Premtes së Zezë këndohen përsëri dhe formojnë temën e ditës:
Bujari Josif duke zbritur prej drurit trupin tënd të pacënuar e pështolli me pëlhurë të pastër dhe me aroma dhe me vajtime e vuri në një varr të ri, por u ngjalle pas tri ditësh, o Zot dhe i fale botës përdëllimin e madh.
Kur zbrite te vdekja ti, o jeta e pavdekshme, atëherë ferrin e vrave me shkëlqimin e hyjnisë dhe kur ngrite të vdekurit nga fundet e dheut gjithë fuqitë qiellore të thërrisnin: Jetëdhënës Krisht, Perëndia ynë, lavdi më ty.
Grave miroprurëse, duke qëndruar pranë varrit, engjëlli u thërriste: Mirot u kanë hije të vdekshmëve, por Krishti u tregua i huaj për prishjen thërrisni pra: U ngjall Zoti dhe i fali botës përdëllimin e madh.