EmailFacebookKontakt

Fondacioni ‘Frymë Dashurie’

Fondacioni “Frymë Dashurie”

Artikulli i atë F.Cicit “Shkarkimi nga detyra i Kryepiskopit sipas legjislacionit të Orthodhoksisë” për publikimin e të cilit dhatë në gazetën tuaj të shquar dy faqe, befasoi orthodhoksët dhe joorthodhoksët. Duhet paturpësi shumë e madhe të publikojë një murg i thjeshtë, që, siç mësuam, shërben në një komunitet grek në Kanadanë Perëndimore, shpifje dhe sharje të tilla, me ide qendrore: Kryepiskopi është i paaftë nga ana intelektuale. Duhet të fillojë procedura e zëvendësimit të tij. Informacionet tona të besueshme sigurojnë që Kryepiskopi Anastas, pas një operacioni të tiroides është krejtësisht mirë. Veç kësaj, e dëgjuam për Krishtlindje në televizion dhe e pamë të bëjë liturgjinë më 1 Janar 2005 në Tiranë.

Nuk duhet shumë mundim që çdo lexues serioz të kuptojë se, në qoftë se themeli i këtij artikulli është kaq keqdashës dhe i pabazë, gjithë sa thuhen në artikull, për të përshkruar gjoja fakte, por dhe gjoja disponimet e Kryepiskopit, janë arbitrare dhe pakrahasimisht të pabazuara.

Çuditemi megjithatë, sesi tekste të tilla, të cilat në çdo shoqëri sjellin përgjegjësi shumë të mëdha morale dhe penale, publikohen në një gazetë të nivelit të “Koha Jonë”. Përpjekja, të plagoset me lajme të paqena dhe shpifje Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse, i cili është gjerësisht i njohur dhe i respektuar në botën romanokatolike dhe përgjithësisht në botën e krishterë, a mos i ndihmon gjë bashkekzistencës paqësore të komuniteteve fetare në Shqipëri? Në të kundërt e minon duke sjellë pasoja shumë të rrezikshme për të gjithë shoqërinë shqiptare, e cila kërkon dhe ka nevojë për informim të përgjegjshëm e serioz.