EmailFacebookKontakt

Liturgji mbarëorthodhokse për rikthimin e lipsanave të Etërve Ekumenikë

Në Konstandinopojë 30 nëntori, kremtimi i Apostull Andreas, të Parrëthirurit (që është edhe festa e Fronit Patriarkal Ekumenik, pasi shenjtori është edhe themeluesi i Kishës së Bizantit), u festua këtë vit me shkëlqim tepër të veçantë. Ajo përkoi me rikthimin e lipsanave të shenjtë të Kryepiskopëve të saj, Shën Joan Gojartit (Krisostomit) dhe Shën Grigor Theologut në selinë e tyre, pikërisht pas 8 shekujsh.

Në mëngjes herët, Tërëshenjtëria e Tij dhe hierarkë e klerikë të tjerë zbritën me litani dhe i transportuan lipsanat nga paraklisi patriarkal i Shën Andreas në kishën qendrore të Shën Gjergjit. Aty u krye Liturgjia Hyjnore mbarëorthodhokse dhe ndërkombëtare, ku bashkëmeshuan episkopë dhe klerikë nga gati të gjitha Kishat Orthodhokse. Shërbesa u krye në shumë gjuhë, midis të cilave edhe në shqip.

Lipsanat e dy Etërve të Mëdhenj ishin rrëmbyer dhe transferuar në Perëndim në kohën e Kryqëzatës IV, e cila pushtoi kryeqytetin e Bizantit në vitin 1204, duke bërë shkatërrime dhe plaçkitje të jashtëzakonshme. U rrëmbyen edhe enët e shenjta dhe floriri, ikonat, lipsanat dhe thesaret e tjera.

Kështu Papa, pas kërkesës së Patrikut Ekumenik, pranoi kthimin e tyre dhe Tërëshenjtëria e Tij, Vartholomeu I shkoi në Romë, i mori dhe më 27 nëntor i tansferoi në Stamboll. Kuptohet, se nuk bëhet fjalë për të gjitha lipsanat e tyre, sepse shumica janë të shpërndara në të gjithë Krishterimin.

Për Kishën Orthodhokse lipsanat e shenjta konsiderohen si thesare. Trupi bashkëpunon me shpirtin për shenjtërimin e njeriut – edhe në të kundërt, ndikon për keq. Pra, lidhja e ngushtë e tyre transferon reciprokisht tiparet e tyre. Kështu njeriu shenjtërohet plotësisht, me përfundimin që, edhe kur ndahet trupi nga shpirti, në çastin e vdekjes, Hiri i Perëndisë, që kishte hijeshuar shenjtorin, shpirtin dhe trupin e tij, mbetet në lipsanin e shenjtë. Kjo është e vërtetuar nga mrekullitë e shumta që ato kanë kryer e kryejnë.