EmailFacebookKontakt

Ndërroi jetë teologu Maksim Çuko

Maksim Çuko lindi më 10 korrik 1967, në fshatin Fier i Ri të rrethit të Lushnjës. Shkollën fillore dhe atë të mesme e kreu në Krutje. Në vitin 1992 ndoqi Seminarin Theologjik Hieratik të Durrësit dhe në nëntor 1992 niset për studime në Athinë. Në vitin shkollor 1992-1993 mbrojti greqishten në Klubin Universitar “Leksi”, të Athinës, ndërsa në vitet 1993-1998 ndoqi studimet theologjike në Universitetin Kombëtar “Kapodistria” të Athinës, në degën e Theologjisë Sociale. Që nga vitit 1998 e në vazhdim ka qenë lektor në lëndën e pimantikës dhe të greqishtes në Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash të Durrësit. Gjatë viteve 1998-1999 ka qenë iniciator i krijimit të organizatës së rinisë orthodhokse “Bij të Dritës” në Lushnjë. Me interesimin e tij janë zhvilluar shumë aktivitete. Më 1 shkurt 1999 transferohet në Tiranë.

Maksimi ka përgatitur këto dispenca: Pimantika Sociale, Pimantika Bashkëkohore dhe Enoria si bashkësi terapeutike (Përkthim).

Gjithashtu teologu Maksim Çuko ka redaktuar disa libra fetarë, ka botuar artikuj në gazetën “Ngjallja” dhe ka përgatitur emisione radiofonike. Ai ka ditur të përfaqësojë me dinjitet Kishën Orthodhokse në shumë aktivitete. Që nga viti 1999 ka qenë drejtues i veprës misionare dhe pimantike të Akademisë Theologjike. Ka krijuar disa grupe katekizmi në Fier, Rrogozhinë, Divjakë, Kombinat, Jubë etj. Në vitin 2004 mori bekimin për të hulumtuar dhe grumbulluar materiale në Institutin e Historisë, të cilat kishin të bënin me kishat dhe manastiret e Myzeqesë. Dëshirën për të vazhduar udhën plot kryqe të fesë, Maksimi e kishte nga daja i tij, At Sotir Boçi, i cili ka qenë famulltar në kishën e Shën-Kollit, në Krutje të Lushnjës.

Më 20 nëntor 2004 Maksim Çuko u nda nga jeta, duke lënë në pikëllim bashkëshorten, fëmijët, të afërmit, studentët dhe kolegët, të cilët aq shumë e donin dhe e respektonin. Ai u largua nga kjo botë duke na lënë imazhin e njeriut të drejtë dhe fjalëpak, kurdoherë besnik e shpirtëror. Ishte pikërisht besimi, që erdhi nga vuajtjet e vështirësitë e jetës, për të dhënë më vonë frytet e bollshme, ashtu si kokrra e grurit e rënë në tokë, që kur “vdes” sjell më shumë fryte (Joani 12:24).

I përjetshëm qoftë kujtimi!
Perëndia ia prehtë shpirtin në krahun e Tij.