EmailFacebookKontakt

Fjeti bashkëmeshtari ynë i lumtur, At Letter Shqau

Më 28 nëntor 2004 u nda nga jeta e përkohshme vëllai e bashkëmeshtari ynë më Krishtin, At Lefter Shqau. Ai është ndër të paktët, që kishte mbetur nga brezi i vjetër i klerikëve dhe një gur i rëndë i fortë e i ndritshëm i besimit tonë orthodhoks. Ai lindi, punoi e jetoi në vendlindjen e tij, në Shpat të Elbasanit. Më 14 shkurt të vitit 1914, në familjen e madhe të Shqajve, në Gjinar, erdhi në jetë një djalë i vogël, që u pagëzua dhe u rrit si i krishterë i mirë. Në kishën e fshatit mes shokëve, në familjen e priftit ai mori mësimet e para të Ungjillit, të cilat do ta frymëzonin në jetë për t’i shërbyer Kishës së Krishtit e bashkëfshatarëve të tij.

Kur u rrit e nisi të burrërohej bashkëfshatarët dhe Ati i Kishës panë zellin e Lefterit dhe propozuan dërgimin e tij për të mësuar rregullat e priftërisë. Dhe me vullnet e dashuri ai afro një vit e gjysmë mësoi pranë At Thanas Bebit në kishën e Shën Kollit, afro 4 muaj në kishën e Shën Marisë së Kalasë në Elbasan.

Më 14 prill 1943 në moshën 29-vjeçare hirotoniset prift.

Për 6 muaj shërbeu në Manastirin e Shën Joan Vladimirit dhe me kërkesën e bashkëfshatarëve të tij nis shërbesën e priftërisë në Gjinar dhe fshatrat përreth, si: Valësh, Pashtresh, Xibresh, Stërstan, Katund Plak e Bërzhdau. U shërbeu besimtarëve me devotshmëri e frikë Perëndie deri në shkurt të vitit të zi 1967, kur besimi u ndalua e kishat u mbyllën e u prishën. At Lefteri ndjeu dhembje të madhe në shpirt por ai kurrë nuk e mohoi besimin më Krishtin ashtu, si edhe stërgjyshërit e tij shpatarakë në kohën e pushtimit osman. Ai luftoi që edhe të tjerët rreth tij të mos ligështoheshin e mohonin Krishtin. Kisha e dashur e fshatit të tij “Shën Thanasi” u kthye në magazinë. U gëzua faktit që kisha e bukur e “Shën e Premtes” në Valësh, e shpallur monument kulture, i shpëtoi ortekut të prishjes. Po kështu edhe kisha e Shën Llazarit në Pashtresh dhe e Anargjendëve ose Shumëshenjtëve në Stërstan nuk u rrënuan, por mbetën edhe ato magazina. Për At Lefterin nisi kalvari i mundimeve. Ai dërgohet të punojë në pyjore, në mal të Bukonikut. “Ti, si njeri i Perëndisë, duhet të jesh sa më pranë saj”, – i thanë me tallje. At Lefteri kujtoi përbuzjen, shuplakat dhe kryqëzimin e Krishtit dhe nuk foli. Vazhdoi të punojë si i përndjekur dhe të jetojë i denjë në sytë e Perëndisë. Me mundim ushqeu e shkolloi fëmijët e tij. I rriti të mirë, të urtë, të mençur e të mbarë. Edhe ata nga ana e tyre ishin krenarë e ndjeheshin më shumë të tillë kur i thërrisnin djali e vazja e “Priftit”. Pleqëria e thinji plotësisht e ia mbushi ballin plot rrudha, por nuk e përkuli At Lefterin. Ndonëse i vogël në trup ai i ngjante pishave të blerta, që nuk përkuleshin lehtë. Ardhja e demokracisë në vitet ’90 me rilindjen e besimit e gjallëroi sërish At Lefterin. I rinuar e me një shpirt të gëzuar nisi sërish detyrën priftërore. Tanimë enoritë e papa Lefterit u bënë Kavaja, Tirana, Elbasani, Gramshi, Librazhdi, Shpati e më gjerë. Shërbeu sërish në kishën e fshatit “Shën Thanasi”. Me ndihmën e Kryepiskopit dhe Kryebariut Anastas u ngrit në qendër të Gjinarit kisha e re “Ngritja e Kryqit”. At Lefteri u gëzua për kishën e re, por nuk kishte fuqi më të meshonte. Ai vinte ditëve të shënuara e ndonjë të diel dhe kungohej me trupin e gjakun e Krishtit. “Lum si ju, o djem që jeni të rinj e të shkolluar kaq mirë”, na drejtohej shpesh i lumtur. At Lefteri gëzohej që disa nga bijtë e Shpatit janë hirotonisur në priftrinj e shërbejnë në Kishën Orthodhokse.

Rreth trupit të At Lefterit, duke u lutur në kishën “Ngritja e Krishtit” e duke kryer shërbesën e lamtumirës veç At Kostës, At Palit, At Janit, At Stavrit e At Viktorit ishin edhe qindra besimtarë nga i gjithë Shpati e Elbasani. At Lefteri u përcoll me dashuri prej tyre, duke u shoqëruar me lutjet e tyre ndaj Perëndisë mëshirëplotë e mëshirëmadh që ta prehë shpirtin e Tij në dritën e pashuar të lavdisë së dritës. Engjëjt e lavdëruar e marrshin shpirtin e tij sa më shpejt.

I përjetshëm qoftë kujtimi i atit, bashkëmeshtarit tonë të respektuar At Lefterit!

At Stavri Çipi, Elbasan