“Perëndia kaq shumë e deshi botën sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë atij, po të ketë jetë të përjetshme” (Joani 3:16, cituar në çdo Meshë Hyjnore në qendër të lutjes eukaristike).
“Edhe Fjala u bë mish, edhe ndenji ndër ne (edhe pamë lavdin’ e ati, lavdi porsi të vetëmlinduri prej Atit), plot me hir e me të vërtetë… Edhe të gjithë ne muarrmë prej plotësisë së tij, hir përmbi hir” (Joani 1:14-16).
“… me anë të atij (Birit) u krijuan të gjitha, sa janë në qiejt dhe mbi dhe, të dukurat dhe të padukurat, a frone, a zotërime, a urdhra, a pushtete – të gjitha janë krijuar me anë të atij dhe për atë. Ai është përpara të gjithave, dhe të gjitha me anë të atij qëndrojnë” (Kolosianët 1:16-17).
Edhe meqenëse fëmijët marrin pjesë prej mishi e gjaku, edhe ai gjithashtu mori pjesë prej këtyre gjerave, që të prishë me anë të vdekjes atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, dhe të shpëtojë të gjithë ata, të cilët nga frika e vdekjes ishin tërë jetën në skllavëri. Sepse me të vërtetë nuk u ndihmoj engjëjve, por farës së Abrahamit. Prandaj duhet t’u ngjante në gjithçka vëllezërve të tij… që të bëjë shlyerje të fajeve të popullit. Sepse meqenëse ai vuajti dhe u tundua vetë, ai mund t’u ndihmojë atyre që tundohen (Hebrenjtë 2:14-18).
Por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që të shpërblente ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë. Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: “Aba! Atë!”. Prandaj, ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir je dhe trashëgimtar (Galatianët 4:4-7).
Kreu 1
Libri i gjenealogjisë së Jisu Krishtit, të birit të Davidit, të birit të Avraamit.
Avraamit i lindi Isaku; dhe Isakut i lindi Jakovi; dhe Jakovit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij; Edhe Judës i lindi Faresi dhe Zarai nga Tamara; dhe Faresit i lindi Arami; Edhe Aramit i lindi Aminadavi; dhe Aminadavit i lindi Nasoni; dhe Nasonit i lindi Salmoni; Edhe Salmonit i lindi Vozi nga Rahava; dhe Vozit i lindi Ovidi nga Ruthi; dhe Ovidit i lindi Jeseu; Edhe Jeseut i lindi Davidi, mbreti.
Edhe mbretit David i lindi Solomoni nga gruaja e Uriut; Edhe Solomonit i lindi Rovoami; dhe Rovoamit i lindi Aviai; dhe Aviait i lindi Asai; Edhe Asait i lindi Josafati; dhe Josafatit i lindi Jorami; dhe Joramit i lindi Ozia; Edhe Ozisë i lindi Joatami; dhe Joatamit i lindi Ahazi; dhe Ahazit i lindi Ezekia; Edhe Ezekisë i lindi Manasiu; dhe Manasiut i lindi Amoni; dhe Amonit i lindi Josia; Edhe Josisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij, në kohën e shpërnguljes në Babilonë.
Edhe pas shpërnguljes në Babilonë, Jehonisë i lindi Salatieli; dhe Salatielit i lindi Zorobabeli; Edhe Zorobabelit i lindi Aviudi; dhe Aviudit i lindi Eliakimi; dhe Eliakimit i lindi Azori; Edhe Azorit i lindi Saduku; dhe Sadukut i lindi Akimi; dhe Akimit i lindi Eliudi; Edhe Eliudit i lindi Eleazari; dhe Eleazarit i lindi Matani; dhe Matanit i lindi Jakovi; Edhe Jakovit i lindi Josifi, burri i Marisë, prej së cilës lindi Jisui që thuhet Krisht.
Gjithë brezat pra, që nga Avraami e deri në ditët e Davidit, janë katërmbëdhjetë breza; dhe që nga Davidi e deri në shpërnguljen në Babilonë katërmbëdhjetë breza; dhe nga shpërngulja në Babilonë e deri në ditët e Krishtit katërmbëdhjetë breza.
Edhe lindja e Jisu Krishtit kështu ka qenë; pasi u fejua e ëma e tij, Maria, me Josifin, përpara se të bashkoheshin, u gjend shtatzënë nga Shpirti i Shenjtë.
Edhe Josifi, burri i saj, duke qenë i drejtë, e duke mos dashur t’i nxjerrë asaj zë të lig, deshi ta lëshojë fshehurazi. Po ndërsa ai ishte duke menduar këto, ja një engjëll i Zotit tek iu duk në ëndërr, duke thënë: Josif, bir i Davidit, mos u frikëso të marrësh me vete gruan tënde Mariamin; sepse mbarsja që u bë tek ajo është nga Shpirti i Shenjtë. Edhe do të lindë djalë dhe do t’ia quash emrin Jisu; sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga fajet e atyre.
Edhe gjithë kjo u bë, që të përmbushet e thëna prej Zotit me anë të profetit, që thotë: “Ja virgjëresha tek do të mbarset, dhe do të lindë djalë, dhe do t’ia quajnë emrin Emanuel”, që e përkthyer do me thënë, Perëndia bashkë me ne.
Edhe Josifi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç e urdhëroi engjëlli i Zotit, dhe mori pranë vetes gruan e tij. Edhe nuk e njohu atë, derisa bëri të birin e saj, të parëlindurin; dhe ia vuri emrin Jisu.
Lindja jote, o Krisht Perëndi dhe Zot, i lindi botës dritën e dijes së hyjshme; se ata që adhuronin çdo yll në qiell, si sot prej yllit po mësoheshin, ty t’adhurojnë, Diellin e Drejtësisë dhe të të njohin si Lindjen që lartazi (Lluka 1:78, përkthyer si Agim), o Zot lavdi më Ty! (Përlëshorja)
Kreu 2
Edhe si lindi Jisui në Vithlehem të Judesë, në ditët e mbretit Irod, ja, ca magë nga Lindja erdhën në Jerusalem, e thoshin: Ku është mbreti i Judenjve që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij nga lindja dhe erdhëm që t’i falemi. Edhe mbreti Irod kur dëgjoi, u drodh, dhe bashkë me të edhe gjithë Jerusalemi. Edhe si mblodhi gjithë kryepriftërinjtë dhe shkruesit e popullit, pyeste të merrte vesh prej tyre se ku lind Krishti. Edhe ata i thanë atij: Në Vithlehem të Judesë. Sepse kështu është shkruar me anë të profetit: “Edhe ti, Vithlehem, dheu i Judesë, aspak nuk je më i vogli ndër zotërinjtë e Judesë; sepse prej teje do të dalë një i parë, i cili do të kullosë popullin tim Izrael”. Atëherë Irodi thirri fshehurazi magët, dhe mori vesh mirë nga ata kohën e yllit që ishte dukur. Edhe duke i dërguar ata në Vithlehem, tha: Shkoni e vëzhgoni mirë për djalin, dhe si ta gjeni, të më lajmëroni, që të vij edhe unë e t’i falem atij. Edhe ata si dëgjuan mbretin ikën, dhe ja ylli që kishin parë në lindje tek shkonte përpara tyre, deri sa erdhi e qëndroi sipër tek ishte djali. Edhe ata kur panë yllin, u gëzuan me gëzim fort të madh. Edhe si erdhën në shtëpi, gjetën djalin bashkë me të ëmën, Marinë, dhe ranë mbi dhe e iu falën atij, dhe si hapën thesaret e tyre, i prunë atij dhurata, ar, temjan e miro. Edhe si iu tregua atyre nga Perëndia në ëndërr të mos kthehen tek Irodi, shkuan në vendin e tyre nga një tjetër udhë.
Edhe pasi ikën ata, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit, duke thënë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, dhe ik në Egjipt. Dhe rri atje deri kur të të them ty, sepse Irodi do të kërkojë djalin që ta prishë.
Edhe ai u ngrit, e mori me vete djalin dhe të ëmën e tij natën, dhe iku në Egjipt. Edhe ndenji atje deri në vdekjen e Irodit, që të përmbushet e thëna prej Zotit me anë të profetit, që thotë: “Nga Egjipti thirra tim bir”.
Atëherë Irodi, kur pa se u gënjye nga magët, u zemërua fort, dhe dërgoi e vrau gjithë djemtë që ishin në Vithlehem e nëpër gjithë kufinjtë e tij, që nga dy vjeç e poshtë, sipas kohës që kishte marrë vesh mirë nga magët. Atëherë u përmbush ç’është thënë nga profeti Jeremi, që thotë: “Zë u dëgjua në Kama, vaj e të qarë e gjëmë shumë. Rahila qante djemtë e saj, dhe nuk donte të ngushëllohej, sepse nuk janë”.
Edhe si vdiq Irodi, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit në Egjipt e i thotë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe shko në dhe të Izraelit; sepse vdiqën ata që kërkonin jetën e djalit. Dhe ai u ngrit e mori me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe erdhi në dhe të Izraelit.
Po kur dëgjoi se Arkelau mbretëron në Jude në vend të Irodit, të atit të tij, pati frikë të shkojë atje; dhe siç iu tregua atij nga Perëndia në ëndërr, iku në anët e Galilesë, dhe erdhi e ndenji në një qytet që quhet Nazaret; që të përmbushet ç’është thënë nga profetët, se Nazaretas do të quhet. (Mattheu 1-3)
Vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, një virgjëreshë do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quajnë Emanuel, që do të thotë Perëndia është me ne (Isaia 7:14-15).
Perëndia është me ne, merreni vesh ju të gjithë o kombe dhe nënshtrohuni, sepse Perëndia është me ne (Isaia 8:9).
Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të jetë mbretërimi dhe do të quhet i Mrekullueshëm, Këshilltar, At i Përjetshëm, Princ i Paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e mbretërimit dhe paqes së tij (Isaia 9:6-7).
Stolisu, o Shpellë, bëhu gati, o Grazhd. O Barinj dhe ju, o Magë, sillni dhuratat dhe jepni dëshmi. Sepse Virgjëresha do të lindë Krishtin… (Himn Mbrëmësor)
Krishti lindet, lavdërojeni. Krishti prej qiellit përpara dilini. Krishti mbi dhë, lartësohuni. Këndojini Zotit tërë dheu. Dhe me ngazëllim përhimnojeni popuj. Se u lavdërua (Kënga e Parë e Kanonit të Krishtlindjes)
Virgjëresha lindi sot të përmbiqenëshmen Fjalë, edhe dheu i blaton të paafruarit shpellën; Engjëjtë, me barinjtë po lavdërojnë, Magët pra, bashkë me yllin po udhëtojnë; se për ne ka lindur Krishti, si djalë foshnjë, i parëjetëshmi Zot.