Nga data 7 deri më 10 nëntor 2004, në Leaver të Belgjikës u mbajt Takimi i Tretë i Këshillit Evropian i Drejtuesve Fetarë në Evropë (K.D.E.F.E), në të cilin merrte pjesë dhe Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi, si një nga anëtarët e tij që nga themelimi. Në këtë Këshill marrin pjesë liderë fetarë më me emër të feve tradicionale, duke përfshirë Krishterimin, Judaizmin, Myslimanizmin, si dhe Budizmin, Hinduizmin etj., në Evropë, të cilët janë angazhuar për të parandaluar konfliktet, për të vendosur bashkekzistencë paqësore dhe pajtim. Ky Këshill është pjesë e Konferencës botërore për Fenë dhe Paqen.
Këshilli përshëndeti zgjerimin e Evropës së Bashkuar më 1 maj 2004, kur ajo pranoi në gjirin e saj dhe 10 anëtarë të rinj, si dhe inkurajoi vendet e tjera, të cilat janë në procesin e anëtarësimit, duke përfshirë dhe vendet ballkanike. Evropa e Bashkuar kërkon partner nga shoqëria civile dhe K.D.E.F.E, i cili sjell së bashku kisha, xhami, sinagoga, tempuj etj., dhe i lidh ato me njëra-tjetrën, duke kaluar kufij kudo në Evropë pse jo dhe në botë, është e interesuar të bashkëpunojë me të.
Këshilli nxit Evropën e Bashkuar që të ngrejë një mekanizëm të përhershëm për trasparencë dhe dialog mes komuniteteve fetare ashtu siç e parashikon dhe artikulli 52 i Kushtetutës së Evropës së Bashkuar. Ky mekanizëm do të bëjë që Evropa të kuptojë më mirë ndjenjat dhe traditat fetare në rajone të ndryshme të saj. Ky mekanizëm do të ofrojë një arenë për të shkëmbyer mendime dhe ide mbi paqen dhe stabilitetin. Këshilli Evropian i Drejtuesve Fetarë në Evropë në këtë mbledhje dënoi me forcë çdo akt dhune në kontinent. Dhuna në emër të fesë, është një dhunë kundër fesë. Urrejtja në emër të Zotit, është urrejtje kundër Tij.
Anëtarët e Këshillit shprehën shqetësimin e tyre për rritjen e frikës ndaj Islamizmit, sjelljet antisimite dhe racizmit në përgjithësi. Ajo mbështet punën e Qendrës Evropiane mbi luftën kundër racizmit dhe ksenofobisë dhe i rekomandon gjithë komuniteteve fetare të jenë më aktive dhe të marrin pjesë në programe të ndryshme kundër racizmit, duke inkurajuar pjesëmarrjen sa më të gjerë të rinisë.
Të ftuar specialë të kësaj Konference ishin dhe udhëheqësit më me emër të komuniteteve fetare të vendeve të Evropës Lindore. Këshilli inkurajoi punën e bërë nga Këshilli Ndërfetar i Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe ai Kosovës dhe liderët fetarë të këtyre vendeve, për të shëruar plagët e së kaluarës, si dhe për të gjetur një mënyrë sa më efektive për një dialog të vërtetë, me drejtësi dhe pajtim në vendet e tyre.
Kryepiskopi Anastas mbështeti idenë e krijimit të një Këshilli të tillë Ndërfetar edhe në Shqipëri. Marrëdhëniet shumë të mira ndërfetare në Shqipëri mund të jenë një shembull i shkëlqyer për vendet e tjera të Ballkanit.
Këshilli inkurajoi dhe iniciativat e vazhdueshme të marra veçanërisht nga Këshilli Evropian dhe UNESKO për restaurimin e monumenteve fetare në Kosovë dhe u kërkoi atyre që iniciativa të tilla të merren dhe për të mbështetur komunitetet myslimane në Serbi. Këshilli do të mbështesë dhe në të ardhmen Udhëheqësit Fetarë të Evropës Lindore, për të vazhduar dialogun, shkëmbim përvoje dhe për të kërkuar rrugë të reja për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Jorgo Papadhopulli