Fondacioni Klinika Orthodhokse “Ungjillizimi”, Tiranë dhe Shoqata Pediatrike Shqiptare, në datat 18 dhe 19 nëntor 2004, organizuan Konferencën Shkencore Pediatrike Shqiptaro-Greke. Në këtë konferencë morën pjesë me punimet e tyre mjekët më në zë në fushën e pediatrisë të vendit tonë, mjekë të Universitetit “Aristoteli”, të katedrës së Pediatrisë, të Selanikut, të Spitalit Pediatrik “Shën Sofia” Athinë etj.
Në fjalën e hapjes kryetarja e shoqatës Miqtë e Pediatrisë Sociale “Krahëhapurit”, Jolanda Vlaku, ndër të tjera tha:
“Fortlumturi, të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm se si filloi puna e madhe ndaj njerëzve në këtë vend dhe pikënisja ishte dashuria. Jeni një shembull mjaft i mirë për të gjithë ne dhe sigurisht edhe për mjekët që në qendër të misionit të tyre kanë njeriun dhe jetën e tij, duke na treguar se nuk duhet të ndalemi përpara asnjë vështirësie dhe na dhatë një shembull të sakrificës së gjallë. Gjatë një takimi në Greqi me pedagogë e profesorë ju më kërkuat dy gjëra: një takim shkencor me mjekë përfaqësues nga të dy vendet dhe pajisje për klinikën e Ungjillëzimit. Me bekimin e Perëndisë dhe tuajin të dyja këto kërkesa u plotësuan.”
Këtë konferencë e nderoi me ardhjen e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi, i cili theksoi:
“Fëmija dhe Mjekësia – një lidhje mjaft e veçantë dhe qendra e këtij takimi. Dua t’ju falënderoj në emër të fëmijëve të Shqipërisë për organizimin e këtij bashkëpunimi. Për shumë vjet kam punuar në universitet dhe në këto momente ndjej një kënaqësi të veçantë që ndodhem midis jush. Megjithëse i përkas moshës së tretë, shpesh them se jam një shqiptar i vogël – 13 vjeç, sepse kam 13 vjet që ndodhem në Shqipëri dhe që në fillim kam jetuar me një dashuri të veçantë për fëmijët. Kjo për arsyen se fëmijët në Shqipëri janë më të privuar se fëmijët në Evropë. Nuk gënjejmë veten se kemi zgjidhur të gjitha problemet e fëmijëve. Përkundrazi, të gjithë ne që kemi lidhje me universitetin përpiqemi të jemi të vërtetë, si në këtë konferencë shkencore. Janë iniciativa bashkëpunimi të shkencëtarëve të të dy vendeve, bashkëpunim i njerëzve që vijnë me dëshirë, si Shoqata Miqtë e Pediatrisë Sociale “Krahëhapurit.” Ky bashkëpunim është një shpresë. Të gjithë jemi përgjegjës për ecjen përpara të shoqërisë. Shkencëtarët janë ata, të cilët duhet të prijnë në zhvillimin e shoqërisë. Ai që sot quhet bashkëpunim, nuk duhet të mbetet në kuadrin e interesave personale, por duhet të japë frytet e tij në zhvillimin e gjithë shoqërisë. Duke iu uruar të gjithë të pranishmëve suksese në punën e tyre dua t’ju kujtoj momente nga Pashka e Madhe, ku nga një qiri marrin dritë të gjithë që janë rreth e rrotull.”
Në këtë konferencë u paraqitën tema dhe studime me vlerë si p.sh. “Struktura e sëmundshmërisë së fëmijëve në Klinikën Orthodhokse ‘Ungjillëzimi'”, mbajtur nga Prof. Dr. Thoma Kristo, “Studimi i anemive tek fëmijët”, nga Prof. Dr. Joanis Ciuris Universiteti “Aristoteli” Selanik etj.
Të gjitha temat që u paraqitën në këtë veprimtari pasqyruan përvojën e mjekëve nga të dy vendet. Siç u theksua edhe në takim, ishte me mjaft vlera organizimi i kësaj konference, e cila shërbeu për të zgjeruar marrëdhëniet midis mjekëve të të dy vendeve.
Korresp. “Ngjallja”