EmailFacebookKontakt

Të kemi shumë kujdes dhe dashuri për njëri-tjetrin

Të dielën më 12 dhjetor, celebroi në Liturgjinë Hyjnore në Kishën e Ungjillëzimit At Artur Liolini, Kryekancelar i Dioqezës Shqiptare të Kishës Orthodhokse në Amerikë. Ai mbajti edhe predikimin e ditës, pjesë nga i cili po e japim më poshtë.

…Disa javë më parë festuam Ditën e Flamurit, Pavarësisë së kombit tonë ashtu siç e festuat dhe ju. Në Amerikë në Boston kremtuam me bankete, me valle, me ngazëllim. Edhe disa javë më pas do të kremtojmë Krishtlindjet me festë, me darka, me të ngrëna të veçanta, të cilat mbeten në mendjen e fëmijëve si kujtime të paharruara. Një shenjtor ka thënë, se në moshën e njomë, kur jemi ushqyer nga kujtime të mira, të bekuara shpëtohemi për tërë jetën. Por edhe kujtojmë darkën, mikpritjen e Abrahamit dhe Sarën, kur ftuan tre në veçanti që shëmbëllejnë Shën Trininë tonë, Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë, kujtohen në Dhiatën e Vjetër. Pra, kujtojmë edhe Darkën Mistike, kur Zoti vetë mblodhi dishepujt e Tij rreth tavolinës dhe më shumë kujtojmë këtë darkë që u shtrua sot brenda shenjtërores, në ajodhimë, darkën e trupit të Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, të cilën duke e ngrënë shpëtohemi, në qoftë se pendohemi dhe jemi të sinqertë me zemër dhe ndërgjegje të pastër dhe me bekimin dhe zemrën e Fuqimadhit.

Gjithashtu, Ungjilli që lexuam ishte i ditës së diel, kurse Apostulli ishte nga shenjti i ditës, Shën Spiridhoni, i cili kujtohet sot, një shenjt që vazhdon edhe sot pas 1700 vjetësh të bëjë çudira. Në leximin e Apostullit këtë ditë, Shën Pavli na sugjeron që të kemi kujdes për ushqimet. Nuk e ka fjalën për ushqimet e trupit, të tavolinës, por e ka fjalën për ushqimet shpirtërore, çfarë librash lexojmë ose programesh televizive shohim, miqtë tanë çfarë njerëzish janë. Shokët dhe shoqet a na ushqejnë me sjellje etike të lira? Edhe ne si përgjegjës të të gjithë brezave, ne vetë ushqejmë fëmijët tanë ose rininë e mëhallës, të lagjes i ushqejmë me shembuj të tillë.

Më vjen shumë mirë që me përulësi të ndodhem këtu bashkë me ju edhe njëherë me lejen e Kryepiskopit Anastas dhe me mirësjelljen e At Justinit dhe kolegëve priftërinj të tij, që të marr në këtë meshë të shenjtë bashkë me ju. Ju sjell edhe urimet tona nga Bostoni, në Kryekishën e Shën Gjergjit, atje ku shërbej edhe unë, nga im vëlla peshkop Nikoni, të Kryepiskopatës Orthodhokse të Amerikës. Gjithashtu uroj psaltët që me korrektësi plotësojnë shërbesën.

Ju uroj ju, si edhe korin, (kam një dashuri të veçantë për korin, sepse në moshën e njomë unë i bija organos në Kishën tonë. Ju keni kapërcyer edhe korin tim në Boston dhe do t’iua them kur të kthehem), nxënësit e shkollës suaj, mësuesit dhe në veçanti priftërinjtë e Enorisë të Kryekishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” këtu. Kërkojmë edhe lutjen tuaj që në këtë ditë të shënuar përkujtoni Shën Spiridhonin e Madh, në emrin e Atit Birit edhe të Shpirtit të Shenjtë. Amin.