Atje, ku vite më parë besimtarët kur kalonin ndaleshin, hidhnin sytë e me dhimbje e nostalgji faleshin e i luteshin strehës që rrënoi koha e monizmit, sot atyre po u rikthehet ai imazh, sepse po aty po hedh shtat një nga katedralet e mëdha “Shën Dhimitri” nën kujdesin e Kryepiskopit Anastas.
Brenda një harku kohor, në saje të përkushtimit model që ndjek punimet nga afër Imzot Ignati duhet thënë se është bërë një punë e lavdërueshme.
Këtu, me rastin e Shën Dhimitrit u mbajt një mbrëmësore nga at Petraq Simsia, në të cilën merrte pjesë dhe Hirësia e Tij.
Katedralja ishte mbushur plot e përplot me besimtarë, jo vetëm orthothoksë, por edhe myslimanë, tregues ky i bashkëjetesës së dy komuniteteve në këtë dioqezë e në veçanti në Berat.
Imzot Ignati theksoi vlerat e veçanta të Shën Dhimitrit. Besimtarët e dëgjuan me shumë respekt, sepse si gjithmonë fjala e tij është zëri i Perëndisë.
Më pas ai bëri shërbesën e bekimit të pesë bukëve.
Të nesërmen, shumë besimtarë shkuan në fshatin Drobonik, ku ndodhet faltorja, streha e Shën Dhimitrit, duke ruajtur në këtë mënyrë traditën e bukur të kremtimit.
Ajo që i gëzoi ata ishte lajmi i mirë, se një besimtar nga Gorica do të ndihmojë për restaurimin e kishës, duke mbajtur të gjallë këtë traditë të bukur.
S. Mishaxhi