EmailFacebookKontakt

Aktivitet kombëtar për të ardhmen e rinisë orthodhokse

Për të diskutuar dhe vlerësuar programin e veprimtarive rinore për vitet 2005-2007, Zyra Kombëtare e Rinisë pranë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë organizoi në datat 15-17 tetor një aktivitet kombëtar në Sarandë. Të ardhur nga të gjitha dioqezat e vendit; katekistë, studentë të Akademisë Teologjike dhe të rinj të tjerë, të cilët janë pjesëmarrës aktivë në Kishë, biseduan rreth problemeve aktuale që po kalon rinia orthodhokse shqiptare, si dhe hodhën ide për përmirësimin e veprimtarive shpirtërore dhe kulturore, që kanë si qëllim afrimin e të rinjve me Kishën dhe kreun e saj, Zotin Krisht.

Gjatë tri ditëve të këtij aktiviteti, pjesëmarrësit zhvilluan një jetë të pasur shpirtërore me lutje e diskutime biblike si dhe morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore, e cila u celebrua të dielën në kishën e Shën Harallambit në Sarandë. Pjesë e programit ishin edhe veprimtaritë kulturore të organizuara në këtë qytet piktoresk si edhe vizita në Butrint.

Aktivitetet që Zyra Kombëtare e Rinisë në bashkëpunim me zyrën e katekizmit do të realizojnë në rang lokal dhe kombëtar gjatë tre viteve të ardhshme janë konferencat, kampingjet, shërbimet e dashurisë, festivalet dhe olimpiadat, të cilat do të vazhdojnë të ndjekin traditën e pasur dhe të vlerësuar gjithmonë nga të rinjtë.

Një aktivitet i ri për periudhën 2005-2007 do të jetë takimi ditor. Numri i grupeve rinore është rritur dhe, duke qenë se nuk iu jepet të gjithëve mundësia që të marrin pjesë në programet kombëtare, është menduar realizimi i këtij aktiviteti edukativ dhe argëtues. Ndërsa për të forcuar edhe më tej lidhjet midis grupeve rinore dhe për të krijuar grupe të reja do të organizohen trajnime për të rinjtë që kanë interes në këtë projekt. Në këtë kuadër, Zyra Kombëtare e Rinisë do të organizojë trajnime edhe me drejtuesit e aktiviteteve rinore për t’u njohur me ecurinë e punës si dhe për të paraqitur ide të reja për të ardhmen.

Gjithashtu, një aktivitet i ri për tre vitet e ardhshme do të jenë edhe kampingjet lokale, të cilat do të organizohen nga anëtarët e grupeve rinore. Një nga arsyet që grupet rinore kërkojnë të organizojnë një kamping në qytetin ose fshatin e tyre është sepse me gjithë numrin konsiderueshëm të pjesëmarrësve në kampet kombëtare të verës në Zvërnec apo në Shën Joan Vladimir ato nuk i mbulojnë kërkesat e të rinjve.

Një rëndësi e veçantë do t’iu jepet bibliotekave, për të pasuruar njohuritë e të rinjve rreth besimit të krishterë orthodhoks. Qendrat rinore janë një vend ku të rinjtë mund të mblidhen gjatë ditës dhe atje mund të gjejnë në bibliotekë një libër që iu intereson. Biblioteka do të jetë e hapur për të tëra moshat, në mënyrë që t’iu krijohet mundësia për të zgjeruar njohuritë në fushën e historisë, letërsisë, shkencës etj.

Të gjitha këto aktivitete kanë si objektiv shtimin e njohurive për Krishtin, miqësinë, dëshminë dhe shërbimin e dashurisë.

Kryepiskopi Anastas i ka dhënë dhe vazhdon t’i kushtojë një rëndësi të veçantë rinisë orthodhokse, duke e konsideruar atë jo vetëm të ardhmen, por edhe të tashmen e Kishës. Sepse dikur këta të rinj ishin në errësirë, por tani janë në dritë me Zotin. Ndaj mesazhi që marrin të rinjtë në të gjitha veprimtaritë kishtare është: “Ecni si bij të dritës”.

Isidor Koti