Zyra “Diakonia Agapis” organizoi në muajin tetor në Tiranë, një takim vlerësimi me donatorë të huaj që koordinojnë punën për përfitimin e fondeve nga organizata ndërkishtare, fonde të cilat shkojnë në funksion të veprimtarive që organizon Kisha jonë në dobi të komunitetit. Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues nga grupi i grave orthodhokse, zyra kombëtare e rinisë, grupi i edukatoreve të kopshteve që ka ngritur Kisha si dhe përfaqësues të qendrës së zhvillimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilët përfitojnë shërbime materiale nga zyra “Diakonia Agapis”. Dy koordinatorët e ardhur nga Hollanda dhe Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë u njohën me aktivitetet që organizohen përmes kësaj zyre si dhe me planet konkrete që kanë përfituesit e këtyre qendrave, të cilët kryejnë shërbimet sociale në vendin tonë.
“Roli ynë, – u theksua gjatë takimit, – është që të vlerësojmë programet e Diakonisë dhe kjo do të thotë të bisedojmë sot për të parë se çfarë duhet të përmirësojmë në të ardhmen.”
Në intervistën e mëposhtme, një prej koordinatorëve të programeve financuese të kësaj zyre, Fatmir Bytyçi, sqaron qëllimin dhe objektivat e takimeve të kësaj natyre.
Zoti Fatmir, çfarë ju lidh me zyrën “Diakonia Agapis”?
Vij nga Qendra maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, e cila është një organizatë jofitimprurëse, që përfshin aktivitetet e saj rajonale me trajnime dhe konsultime. Është një organizatë që ka të njëjtët financues, si Zyra “Diakonia Agapis” d.m.th. janë organizata ndërkishtare nga Evropa Perëndimore. Kështu që gjëja e përbashkët e jona me “Diakonia Agapis” është pjesa financiare.
Cili është misioni i ardhjes suaj këtu në Tiranë?
Jam i ftuar nga kjo zyrë së bashku me një kolegun tim që vjen nga Hollanda, nga një fondacion për zhvillimin e menaxhimit të organizatave, për të bërë vlerësimin e punës së zyrës “Diakonia Agapis”, e cila funksionon në Fondacionin “Fryma e Dashurisë”. Ne bëjmë një retrospektivë dhe ndihmojmë për krijimin e strategjisë së ardhshme.
Si ndihmohet konkretisht kjo zyrë?
Tani jemi në mes të procesit të vlerësimit. Kemi bërë takime të shumta me aktorë të ndryshëm, të cilët kanë lidhje me zyrën. Kemi bërë disa takime me përfituesit e kësaj zyre dhe konkretisht ne do të nxjerrim raportin e parë të procesit të vlerësimit dhe gjërat e para, të cilat janë hapa konkrete në krijimin e planit strategjik të organizatës.
Deri në çfarë pike mund të arrijë ky bashkëpunim?
Shpresojmë se Zyra e “Diakonia Agapis” së bashku me organizatën nga e cila unë vij do të vazhdojmë bashkëpunimin rajonal në shkëmbimin e eksperiencave në fushën e zhvillimit të kapaciteteve d.m.th. shkëmbimin e eksperiencave në trajnime dhe konsultime mes të dy organizatave, por gjithashtu duke parë mundësinë ndoshta edhe për zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta rajonale që përfshijnë dy vendet tona.
Çfarë përshtypjesh ju ka krijuar organizimi i të gjitha shërbimeve që kryhen nga Zyra “Diakonia Agapis” në Shqipëri?
Unë kam fatin që të shoh nga një pozicion tjetër punën e këtij sektori, sepse kam qenë student në Shqipëri dhe e njoh “Diakonia Agapis” që prej pesë vjetësh. Ka një progres mjaft të madh në mënyrën e funksionimit dhe në mënyrën e shtrirjes së kësaj zyre, por edhe të organizatave të tjera, të cilat kryejnë veprimtari të njëjta ose të ngjashme dhe them se ndonjë dallim të madh nuk ka. Nevojat e njerëzve janë pothuajse të njëjta. Është mënyra me të cilën do të punojmë për t’i zvogëluar këto probleme që ata i hasin çdo ditë.
Intervistoi Isidor Koti