Në perëndim të qytetit të Elbasanit ndodhet manastiri dhe kisha e Shën Joan Vladimirit.
Manastiri i Shën Joan Vladimirit është vendosur në pjesën e poshtme të faqes lindore të kodrës së ullinjve që zbret nga Maja apo Shkëmbi i Shënlliut dhe fshatit Petresh. Vendi është një pllajë, para së cilës (nga lindja) hapen pamje mjaft të bukura. Në lindje, në juglindje dhe verilindje shtrihen livadhet që vendësit i quajnë “Çaire”. Për syrin e njeriut ato janë çlodhëse dhe për mendjen e fantazinë e një artisti frymëzuese. Ndërsa nga perëndimi faqja e kodrës është e veshur me ullinj. Dikur këto livadhe, ara dhe ullishta kanë qenë pronë e manastirit.
Pranë manastirit ndodhen banesat e fshatit që ka marrë emrin e manastirit të Shën Joanit, që populli e shqipton “Shinjon” katundi i Shinjonit. Ato ndodhen kryesisht në jug të manastirit dhe më pak në veri të tij. Nga lindja livadhet kufizohen me lumin e Kushës dhe përtej tij, përballë manastirit ndodhet fshati Karakullak. Ndërsa në jug të fshatit Shinjon ndodhet fshati Bradashesh dhe në veri të manastirit fshati Reç.
Në perëndim të manastirit, ndërmjet tij dhe kodrës me ullinj e varrezave, kalon një rrugë fshati për automjete, vazhdimi i së cilës në drejtim të veriut, sigurisht në formën e një rruge këmbësore, shkon drejt Tiranës.
Kisha është vendosur në anën veriore të manastirit. Ndërmjet saj, godinave dhe konakëve krijohet një oborr i vogël. Nga veriu manastiri kufizohet me mure rrethues, që ruhen edhe sot. Këtu ndodhet edhe një hyrje e madhe e mbuluar me qemer të shtrirë. Kjo hyrje shërbente për rrugën që vinte nga Elbasani, duke kaluar lumin e Kushës si dhe nga livadhet dhe arat pranë.
Në faqen perëndimore ka portën kryesore, ndërsa në atë veriore dhe jugore ndodhet një derë tjetër, por me përmasa më të vogla. Në anën jugore ka pasur edhe një hajat ku dilte dera e kësaj ane. Në muret e kishës shihen edhe sot gjurmë, që tregojnë lartësinë e plotë të hajatit. Dera në faqen jugore, nëpërmjet hajatit, bënte lidhjen e kishës me oborrin e manastirit.
Nga përshkrimi historik i këtij manastiri kuptohet se kemi të bëjmë me një objekt arkitektonik, i cili është konsideruar tepër i rëndësishëm si në momentin e themelimit ashtu edhe gjatë zhvillimit kohor të tij. Evolucioni si qendër fetare duhet të reflektojë patjetër edhe zhvillimin arkitektonik. Gjendja aktuale e tij, përveç fragmenteve arkitektonike të gjetura në mure, nuk përkon me pamjen apo format, të cilat do të konsideroheshin të shekujve XI apo XIII-XIV, periudha këto tepër të rëndësishme për historinë e tij.
Kisha e Shën Joanit nga tipi planimetrik i takon bazilikës, e ndarë në tre nefe prej dy rreshta kollonash. Ambienti i hierores ndahet me ikonostas muri, i realizuar me tulla. Në zonën e absidës ruan pjesërisht afreske të vonë. Nën nivelin e dyshemesë së hierores, duhet të jetë një qimitir, prezenca e të cilit duket prej një hyrjeje në formë galerie në qoshen verilindore të naosit.
Dyshemeja është e realizuar me pllaka guri, duke qenë disi më e trajtuar në zonën qendrore, ku kanë aplikuar një rozetë dekorative.
Muratura është me gurë dhe trashësi afërsisht 80 cm. Në faqen jugore janë përdorur në masë elemente guri të punuar, si stela varresh apo arkitrarë të marrë nga objekte të tjera. Gurë të gdhendur të periudhave më të hershme ka tek-tuk edhe faqja lindore.
Pak Histori
Fillimisht trupi i Shën Joan Vladimirit u varros në Krajë. Gati për 199 vjet eshtrat e tij ruhen në kishën “Virgjëresha e Krajës”. Në vitin 1215 sundimtari Teodor Engjëll Komneni i mori lipsanat dhe i pruri në Durrës, nuk dihet se në cilën kishë u vendosën. Më vonë në shek. XIV, princi arbëror Karl Topia e dërgon në manastirin pranë Elbasanit. Në portën kryesore të kishës është vendosur edhe një gur ku është gdhendur sterna e Karl Topisë.
Ikonografi ynë i mirënjohur i shek. XVIII, murgu Konstandin Shpataraku, ka bërë ikonën e Joan Vladimirit. Në qendër është princi i Krajës me kokën e prerë në dorën e majtë. Rreth e qark figurës qendrore janë 12 skena të ndryshme. Në njërën prej tyre është në këmbë princi shqiptar Karl Topia, i cili tregon me dorën e djathtë manastirin e Shën Joan Vladimirit në Elbasan. Figurën e Karl Topisë piktori Konstandin Shpataraku e ka marrë nga një ikonë e vjetër që ndodhej në këtë manastir.
Në mesjetën e vonë ky manastir bëhet një nga qendrat më të rëndësishme të orthodhoksisë shqiptare. Prej murgjve dhe njerëzve të ditur që u mblodhën në këtë manastir kanë dalë vepra të rëndësishme jo vetëm fetare, por edhe për historinë e gjuhës së shkruar shqipe. Një nga këto është “Libri i Psallmave”, emri i saktë i autorit nuk dihet, është quajtur “Anonimi i Elbasanit”, “Papa Totosi” si edhe “Theodhor Bogomili”. Ky është një nga shkrimet më të vjetra të gjuhës shqipe, është i shkruar me një shqipe dhe drejtshkrim të sigurt dhe me një alfabet nga më të vjetrit.
Në mesin e shek. XIX manastiri i Shën Joanit u bë një qendër e rëndësishme dhe për kulturën shqiptare në përgjithësi. Studiues të huaj, si historianë, arkeologë, gjuhëtarë, etnografë, gjeologë etj., kur kalonin nga Elbasani, patjetër do të vizitonin këtë qendër të rëndësishme kulturore për kohën.
Në vitin 1940-41, me fillimin e Luftës Italo-Greke, në këtë vend u vendos Kuartieri i përgjithshëm i ushtrisë italiane. Aty disa herë erdhën personalitete italiane nga më të lartat, madje edhe vetë Duçja.
Nga pakujdesitë e ushtarëve italianë një pjesë e manastirit dhe e kishës digjen. Një zjarr i dytë që përfshin konakët e manastirit dhe pjesërisht kishën, shpërtheu edhe me largimin e ushtrisë gjermane në vitin 1944. Në vitet e diktaturës aty ishte vendosur një repart ushtarak dhe rezervat e shtetit, që mbajnë ende një pjesë të tij. Në këtë kohë, megjithëse konsiderohej monument kulture, kisha pësoi rrënime të mëtejshme
Interesimi i vazhdueshëm i Kryepiskopit Anastas dhe akordimi prej Tij i një fondi, bëri që Bërthama e Trashëgimisë Kulturore pranë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të fillojë këtë vit restaurimin e kishës së manastirit të Shën Joan Vladimirit. Për vite me radhë kisha e manastirit qëndronte në qiell të hapur dhe nën veprimin e drejtpërdrejtë të agjentëve atmosferikë. Në procesin e restaurimit do të kryen ndërhyrje, si: përforcimi i mureve, mbulimi i çatisë, riparimi i ikonostasit, konsolidimi i afreskeve të mbetura si dhe shumë punime të tjera që do t’i rijapin jetë nga ana monumentale dhe funksionale kësaj kishe si për besimtarët e shumtë që vizitojnë këtë kishë edhe për kampingun e vajzave që organizohet çdo vit në këtë manastir.
Për Bërthamën e Trashëgimisë Kulturore
Gentian Joan Stratobërdha