“Shën Spiridhoni” në dioqezën e Beratit është streha ku marrin bekim shumë dhurata të Perëndisë.
Këtu iu dha titulli “Këndonjës i fjalës së Zotit” anagnost arsimtarit 80 – vjeçar Minella Heqimi.
Minella vjen nga një familje besimtarësh klerikë. Gjyshi, i ati dhe i vëllai kanë shërbyer si klerikë në dioqezën e Beratit, ndërsa një xhaxha i tij ka shërbyer në Agrinjo, Patra dhe përfundoi në manastir në Malin e Shenjtë.
Tre vëllezërit Toli, Pirroja dhe Niqifori kanë qenë jo vetëm ndër psaltët e parë në kishat e Kalasë, por dhe si epitropë.
Minella është ndër të parët që bashkë me të ndjerin Vangjel Xoxe dhe Thimio Koçiun bënë faljen e parë pas 40 vjetësh në kishën e Shën Spiridhonit. Ai me përkushtim u bë mësues për brezin e ri falë zërit të bukur që i ka falur Zoti.
Pasi mori bekimin nga Imzot Ignati atë e uruan të gjithë për këtë vlerësim që i bënë.
Xha Neli, midis të tjerash tha: “I qofsha falë Perëndisë, sepse ai më thirri, më dha forcë e shpresë, që unë të mos i ndjej vitet e moshës e përherë do të jem shërbëtor i fjalës së Perëndisë”.
Imzot Ignati theksoi, se ju e meritoni këtë dhuratë të Perëndisë, sepse është në nderin e familjes suaj si klerikë prej brezash.