Intervistë dhënë gazetës “Koha Jonë”, më 20 tetor 2004 nga Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani
Brenda harkut kohor të gjashtë muajve të fundit seriali i akteve agresive të ushtruara kundër simboleve fetare orthodhokse është rritur ndjeshëm. Si i mendoni Ju Hirësi këto zhvillime.
– Është e vërtetë që kohët e fundit kemi pasur një “rritje” të sulmeve kundër Kishës Orthodhokse, që fatkeqësisht shpeshherë shoqërohen, nga individë ose media të ndryshme (në rastin më të mirë të papërgjegjshëm), me sulme kundër edhe vetë personave që e përfaqësojnë këtë komunitet. Në këto sulme e vjedhje unë mendoj, si edhe në çdo gjë tjetër, realiteti nuk është bardh e zi. Këtu mund të jenë përfshirë si thjesht vjedhës ordinerë, ashtu edhe persona, që për një arsye apo tjetër nuk e duan përparimin e komunitetit orthodhoks dhe si pasojë (edhe kur ata nuk e mendojnë ketë) as përparimin e vendit të tyre. Kjo gjë nuk e ndihmon as komunitetin tonë, as vendin tonë dhe as vetë ata që i kryejnë këto gjëra. Vendi ynë ka nevojë për bashkim dhe harmoni dhe urrejtja e përçarja nuk ndërton. Unë nuk di që të ketë ekzistuar ndonjëherë ndonjë shoqëri, komb apo shtet, ndërtuar në bazë urrejtjeje dhe përçarjeje, dhe në të njëjtën kohë të ketë patur begati, paqe dhe jetëgjatësi.
Në ç’përmasa janë shfaqur këto akte vandalizmi në qarkun e Korçës dhe deri në çfarë mase mendoni se kanë cënuar tolerancën e harmoninë fetare në këtë qytet?
– Duke qenë një qark me një pasuri të madhe të momumenteve dhe objekteve fetare aktet e vandalizmit këtu janë ndjerë dukshëm. Dhe është e kuptueshme që vandalizimi i tyre, direkt apo indirekt, krijon pasiguri dhe pasiguria e cënon harmoninë. Kushdo që të jenë autorët, nëse një komunitet ndihet i sulmuar, kjo nuk ndihmon në harmoninë dhe me këtë nuk kuptoj vetëm thjesht harmoninë ndërfetare. Në fakt ne kemi një bashkëpunim të mirë me komunitetet e tjera fetare në këtë qytet, një bashkëpunim dhe harmoni me të cilën mburremi të gjithë. Madje, duke ndjekur traditën e qytetit tonë me myftiun e Korçës Z. Qazim Muçi dhe me kreun e gjyshatës bektashiane Baba Edmond Brahimaj, kam edhe miqësi personale, gjë që ka ndihmuar në vazhdimësinë dhe zhvillimin e kësaj harmonie.
Aktet e dhunës lënë gjithmonë një gjurmë në ndërgjegjen e çdo komuniteti dhe i japin shkas interpretimeve të ndryshme, që ndoshta nuk mund të jenë të vërteta. Por unë besoj se komunitetet tona kanë një traditë të mirë në këtë drejtim dhe kanë arritur tashmë gjithashtu një pjekuri dhe nuk do të lejojnë që askush ta cënojë këtë harmoni dhe bashkëpunim. Është detyra e të gjithëve që ta ruajmë këtë harmoni, këtë pasuri shumë të vlefshme të kombit tonë dhe të mos lejojmë askënd, që në mënyra të ndryshme mund ta cënojë atë.
Reagimi i komunitetit Orthodhoks të Korçës ndaj këtyre akteve të dhunës dhe vjedhjeve ndaj simboleve të tyre ka qenë mjaft i “ashpër”.
Unë nuk do të thoja “i ashpër”, por “i ndjeshëm”. Siç e përmendëm më sipër, qarku i Korçës është një nga qarqet që ka numrin më të madh të objekteve fetare orthodhokse. Në të përfshihen monumente të rëndësishme të kulturës dhe historisë së popullit tonë. Me pasurinë e madhe kulturore të ardhur nga ky qark (si ikonat, kodikët etj.), krahas të tjerave, të gjithë ne kemi ndjerë një krenari të ligjshme nga niveli artistik dhe shpirtëror i kulturës së popullit tonë. Një cënim i tyre patjetër do të sillte një reagim.
Madje unë do të isha habitur nëse nuk do të kishte pasur një reagim. Si do të kishte mundësi të cënohet identiteti dhe kultura e një vendi, e formuar në shekuj me aq mund e sakrifica, dhe askush të mos reagonte? Indiferentizmi nuk është virtyt. As qëndrimi si raja nuk tregon paqtori. Njeriu paqtor nuk do të thotë se nuk duhet të mbrojë gjërat e vlefshme për të, për komunitetin e tij dhe për vendin e tij. Kjo është detyra e çdo anëtari të komunitetit dhe e çdo banori të këtij vendi që i dhimbset me të vërtetë historia dhe kultura e tij.
Orthodhoksët e qarkut të Korçës kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen dhe zhvillimin fetar, atdhetar dhe kulturor të vendit të tyre. Ky komunitet u përpoq me sakrifica të jashtëzakonshme të ruante identitetin e tij fetar e kombëtar dhe krijoi kushtet materiale për zhvillimin e artit dhe të kulturës në përgjithësi dhe sidomos të artit dhe kulturës kishtare (kushdo që e njeh pak historinë e di se sa me shumë mundime janë bërë këto).
Ata dhanë gjithashtu gjithçka për krijimin e këtij shteti dhe për zhvillimin e tij në të gjitha fushat. Kontributi i tyre në arsimin kombëtar është i njohur nga të gjithë. Prandaj atyre iu dhimbsen simbolet e tyre fetare, atdhetare dhe kulturore dhe për këtë arsye kanë reaguar kundër dhunimit të tyre.
Gjithashtu, do të doja të theksoja se vënia tritol në Kryqin e Xarës është një veprim krejtësisht i pajustifikueshëm dhe i papërgjegjshëm. Të gjitha të tjerat mund të diskutohen, por mënyra sesi u veprua është e patolerueshme dhe la një shije mjaft të hidhur në komunitetin tonë. Asgjë dhe askush nuk mund të shkëputet nga historia. Çdo veprim duhet parë në kontekstin e tij historik e shoqëror. Në një vend me një të kaluar të dhimbshme të persekutimit fetar, në një Kishë, së cilës vetëm në harkun kohor 1967-1990 iu shkatërruan rreth 1600 kisha e manastire, si edhe iu shkaktua një humbje kolosale dhe e parikuperueshme e dokumenteve dhe e dëshmive fetaro-kulturore të saj (dhe askush nuk ka kërkuar falje për këtë gjë), vihet përsëri dinamit?! Prandaj më duhet përsëri ta theksoj: jo në mënyrë “të ashpër”, por në mënyrë të përgjegjshme dhe të ndjeshme për fatet e këtij vendi.
Gjatë ditëve të fundit një përfaqësi e priftërinjve të Mitropolisë së Shenjtë të Korçës mësohet të kënë zhvilluar një sërë takimesh me autoritetet vendore. Mund të na zbardhni disa detaje të këtyre takimeve dhe cilat janë kërkesat e paraqitura para tyre.
Arsyeja që një përfaqësi e Mitropolisë zhvilloi takime me autoritetet vendore ishte pikërisht “rritja” e sulmeve kundër simboleve orthodhokse.
Duke qenë të ndërgjegjshëm se ndalja e këtyre sulmeve do të ndihmojë në harmoninë, jo vetëm ndërfetare, i kërkuam autoriteteve vendore dhe atyre policore që të jenë më të kujdeshëm ndaj dhunimeve të objekteve fetare dhe të përpiqen ti zbulojnë dhe t’i ndalojnë autorët e vjedhjeve dhe dhunimeve të kishave tona në këtë qark. Më duhet të pohoj se ata u treguan të ndjeshëm ndaj shqetësimeve tona dhe shpresoj se gjithçka që u premtua të mos mbetet vetëm në fjalë, siç fatkeqësisht ndodh shpesh në vendin tonë, por të bëhet realitet.
Sipas jush Hirësi ç’rol ka luajtur shteti shqiptar para këtyre zhvillimeve dhe si mendoni, si duhej të ishte reagimi i tij?
– Kur flasim për shtetin, mendoj se është e nevojshme të kemi parasysh edhe periudhën e trazuar dhe të pastabilizuar të këtij vendi, si edhe zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë shqiptare. Sepse shteti nuk është një nocion abstrakt, por përbëhet nga persona të dalë nga shoqëria jonë me të gjitha problemet e kësaj shoqërie. Dhe shteti, në kuptimin më të gjërë, nuk është vetëm thjesht qeveria, por të gjitha organizmat që veprojnë në këtë vend dhe gjithçka që ndikon në drejtimin dhe zhvillimin e këtij vendi.
Mund të them se shteti në përgjithësi, jo vetëm me ne por me të gjitha komunitetet fetare, ka qëndruar i painteresuar dhe indiferent. Të qenurit një shtet laik dhe mosndërhyrja në punët e brendshme fetare nuk do të thotë të mos ketë bashkëpunim dhe interesim. Në shumë takime personale me shtetarë dhe përfaqësues të organizmave të ndryshme të këtij vendi shpesh na thonë se edhe në Amerikë shteti është neutral ndaj komuniteteve fetare.
Përgjigje që nuk kanë të bëjnë fare qoftë me realitetin në Amerikë, qoftë me realitetin tonë. Ne jemi krejtësisht dy vende të ndryshme, me histori dhe zhvillim krejt të ndryshëm dhe e dyta; nëse shteti në Amerikë është neutral, kjo është për arsye që të jetë në gjendje t’i ndihmojë të gjitha komunitetet fetare njësoj, ndërsa tek ne shteti paraqitet neutral që të mos ndihmojë asnjë prej tyre.
Ne jemi shtetas të këtij vendi dhe besoj se i kemi zbatuar të gjitha detyrimet tona ndaj këtij vendi ku banojmë, të cilin duam ta shohim në paqe dhe begati. Komuniteti ynë ka dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e këtij vendi dhe është përpjekur vazhdimisht të ndihmojë këdo, pa dallim feje, për të zbutur sadopak problemet sociale dhe për të ringritur dinjitetin dhe respektin ndërnjerëzor. Kështu që kërkojmë të zbatohen detyrimet ligjore që shteti ka ndaj nesh, që do të thotë mbrojtja. Ne kërkojmë që objektet tona fetare, një pjesë e madhe e tyre monumente të vlefshme të historisë dhe kulturës sonë, të ruhen dhe të mbrohen.
Mbrojtja e tyre nuk është thjesht një favor që na bëhet ne, por është një detyrim kushtetues i këtij shteti. Nuk mund të ketë liri fetare nëse një komunitet ndjehet i sulmuar dhe nëse objektet e tij dhunohen. Për këtë arsye i kërkojmë shtetit dhe gjithë shoqërisë shqiptare që të tregohen më të vëmendshëm ndaj komuniteteve fetare, sepse indiferenca e sotme mund të na kushtojë shtrenjt nesër.