EmailFacebookKontakt

Seminar “Masmedia – ndryshimet dhe uniteti”

Nga dt. 12-19 shtator 2004, në Akademinë Orthodhokse në Vilemov, në Republikën Çeke u organizua nga Këshilli Rinor Ekumenik në Evropë seminari “Masmedia – ndryshimet dhe uniteti”. Duke përdorur një proces, në të cilin ishin përfshirë diskutimet dhe puna në grupe, pjesëmarrësit protestantë, orthodhoksë dhe katolikë kanë diskutuar se si të paraqesin në mënyrë më të dukshme etikën e krishterë në media. Pjesëmarrësit kanë analizuar në mënyrë kritike gazetat për të identifikuar vlerat e krishtera në media, duke paraqitur artikuj që tregonin paqe, drejtësi dhe respekt për ndryshimet.

Midis tyre ishte një seri artikujsh për sulmin terrorist në Beslan duke u fokusuar tek të mbijetuarit, të cilët kanë nevojë për paqe dhe dashuri.

“Është një shembull ku lajmi i keq bëhet një lajm i mirë”, theksoi dhjak Timothy Zolotuskiy, nga Kisha Orthodhokse e Rusisë.

Punë të tjera në grupe përfshinin përgatitjen e një artikulli, zhvillimet e web – site (ve) dhe programim të radios, duke përfshirë këtu dhe një vizitë në radion “Proglas” në Bërno, të Republikës Çeke.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Rinor Ekumenik në Evropë, z. Daniel Muller, tha: “Unë do të doja që masmedia të thotë të vërtetën dhe të shmangë gënjeshtrat sensacionale”.

Të pranishmit në seminar theksuan se influenca e fuqishme e masmedias në botën moderne përbën një sfidë kritike për Kishën dhe shoqërinë. Ja pra, pse është e nevojshme t’i përgjigjemi kësaj sfide me përgjegjësi dhe në mënyrë aktive e praktike, duke siguruar informacion faktik nga perspektiva e krishterë.

Sfida e të gjithë të krishterëve që punojnë në masmedia është përgjegjësia e tyre dhe e jona për të përdorur masmedian, që ajo të shfaqë vlerat e krishtera.

Të gjithë pjesëmarrësit e kësaj konference arritën në konkluzionin se: “Masmedia është një instrument i fuqishëm në shoqërinë moderne dhe duhet të përdoret me përgjegjësi nga drejtuesit rinore dhe kishat”.

Të gjithë pjesëmarrësit i bëjnë thirrje të gjitha kishave për të treguar në botimet e tyre këto vlera të krishtera si paqe, drejtësi e respekt për ndryshimet.

Në fund të këtij seminari të gjithë pjesëmarrësit u larguan nëpër vendet e tyre për të zbatuar në praktikë dijet e fituara gjatë këtij evenimenti.

Gabriela Bezhani