EmailFacebookKontakt

Sinodet Ekumenike të Kishës

Kisha Orthodhokse njeh shtatë Sinode Ekumenike. Edhe Sinodet e tjera, të mbajtura në shekuj sigurisht që vlerësohen dhe janë pjesë përbërëse të së Drejtës Kanonike dhe të Traditës së Kishës Orthodhokse, por nuk konsiderohen si “ekumenikë”.

Sinodi I Ekumenik

I thirrur nga Perandori Konstandini i Madh, u zhvillua në vitin 325, në Nikea, në Azinë e Vogël, me pjesëmarrjen e 318 etërve, në kohën e Papa Silvestrit të Romës dhe Patriarkut Mitrofane të Konstandinopojës, për të luftuar herezinë e Ariosit, i cili thoshte se Krishti ishte krijesë (ktisma) e Atit.

Sinodi II Ekumenik

U thirr nga Perandori Theodhosi i Madh dhe u zhvillua me pjesëmarrjen e 150 etërve në Konstandinopojë, në vitin 381, në kohën e Papa Damaskut të Romës dhe Patriarkut Grigor I (Nazianzi), për të luftuar herezinë e pneumotomakut Maqedon. Ky sinod i madh hartoi edhe Simbolin e Besimit.

Sinodi III Ekumenik

U thirr nga Perandori Theodhosi II dhe u zhvillua në vitin 431, me pjesëmarrjen e 200 etërve në Efes të Azisë së Vogël, në kohën e Papës Çelestini I dhe të Patriarkut Nestor, për të luftuar herezinë e këtij të fundit, që mohonte përëndishmërinë e Krishtit. Në Efes Virgjëresha u deklarua Lindësja e Perëndisë – Theotokos.

Sinodi IV Ekumenik

I thirrur nga Perandori Marcian, u mbajt me pjesëmarrjen e 630 etërve në vitin 451, në Kalqedoni të Azisë së Vogël, në kohën e Papës Leon dhe të Patriarkut Anatoli, për të luftuar herezinë e monofizitit Dioskur, që mohonte natyrën njerëzore të Krishtit.

Sinodi V Ekumenik

U thirr nga Perandori Justianian I dhe u zhvillua në Konstandinopojë në vitin 553, me 160 etër, në kohën e Papës Virgjil dhe të Patriarkut Eftiqi, për të luftuar herezinë e Origjenit.

Sinodi VI Ekumenik

U thirr nga Perandori Konstandin IV Pogonati dhe u mbajt në Konstandinopojë, në vitin 681, me pjesëmarrjen e 170 etërve, në kohën e Papës Agathon dhe Patriarkut Jorgo I, për të luftuar monoteizmin (një vullnet të vetëm), të Papa Honorit të Romës.

Sinodi VII Ekumenik

U thirr nga Perandori Konstandin VI dhe Perandoresha Irini dhe u zhvillua në Nikea të Azisë së Vogël, në vitin 787, me pjesëmarrjen e 367 etërve, në kohën e Papës Adrian dhe të Patriarkut Taras, për të luftuar herezinë e ikonoklastëve (Dita e Orthodhoksisë).