EmailFacebookKontakt

Perëndia është dashuri dhe kush qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të

“Perëndia është dashuri dhe kush qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të” (i joani 4:16)

Nga meditimi i Kryepiskopit Anastas në Duomon e Milanos

Thënia më e guximshme, më kuptimplote dhe më shpresëdhënëse e letërsisë botërore, është ajo e thënë nga Shën Joan Ungjillori, të cilën sapo e dëgjuam: “Perëndia është dashuri dhe kush qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të” (1 Joan. 4:16).

Kjo e vërtetë ndriçon me një dritë të mrekullueshme qëllimin e krijimit, kuptimin e providencës hyjnore, perspektivën e lirisë njerëzore si dhe fundin e historisë. Ajo përbën fundin e pashtershëm të kurajos dhe optimizmit…

…Kjo thënie biblike kaq prekëse na çliron nga një zell fetar sipërfaqësor, i cili na mban vazhdimisht të fokusuar te vetja jonë ose në atë që ka lidhje të drejtpërdrejtë me ne: familja jonë, vendi ynë, komuniteti ynë fetar. Ai që qëndron me Perëndinë nuk mund të bëjë gjë tjetër përveçse të përpiqet të dashurojë (dojë) ashtu siç do Perëndia, me një dashuri që merr iniciativa të guximshme, e cila nuk njeh kufi apo paragjykime, një dashuri që përqafon gjithçka.

Pika më me epërsi, nga e cila të krishterët shohin përgjegjësitë e tyre për komunitetin botëror ashtu si dhe burimin e tyre kryesor të forcës dhe frymëzimit, është dashuria. Me anë të dashurisë qeniet njerëzore janë në gjendje të kapërcejnë kufijtë e vetvetes si dhe të realizojnë plotësisht “Thënien” për t’u bashkuar me qenien e vërtetë.

E vërteta që “Perëndia” është “dashuri”, formon një ekuacion themelor, i cili na ndihmon në zgjidhjen e shumë problemeve sidomos në këtë epokë të ballafaqimit dhe dialogut midis kulturave.

Madje, edhe njerëzit që e mohojnë ose që as nuk duan të dëgjojnë fjalën “Perëndi”, mund të pranojnë në mënyrë indirekte emrin tjetër që ajo mban “Dashuri”, duke pranuar kështu prioritetin dhe supermacinë e saj.

Dashuria ka karakter universal, sepse njeriu qoftë i ri apo plak, i rëndësishëm apo i panjohur, i arsimuar apo analfabet dhe pavarësisht çfarë race i përket, është në gjendje që të ofrojë dashuri. Kudo dhe kurdoherë.

Dashuria transformon marrëdhëniet njerëzore si bërthamën më të vogël, familjen, ashtu dhe më gjerë, njerëzimin, në tërësinë e tij. Ndoshta kjo përbën një urë sekrete (të fshehtë), të cilën Perëndia e përdor për të mbledhur rreth vetes njerëzit e Tij.

E vërteta që dashuria është vlera më e madhe e jetës, është pranuar gjithnjë e më shumë nga njerëz që i përkasin kulturave të ndryshme, nëpërmjet eksperiencave të ndryshme si dhe mënyrave të ndryshme të të menduarit.

Ai është një proces që afron shumë njerëz tek Perëndia, e cila është dashuri, të cilët ndoshta nuk mund ta kuptojnë atë. Kjo gjë është një shpresë e madhe për të ardhmen e botës…