“UNITETI ME KRISHTIN I ORTHODHOKSËVE”
Nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, +Anastasi
(vijon nga numri i kaluar)
III
Vendi i kombit në unitetin e Orthodhoksisë
Një tendencë që shpesh traumatizon unitetin e Orthodhoksëve është theksimi i tepruar i kombit dhe antagonizmat e herëpashershme të popujve orthodhoksë. Shumë e identifikojnë Orthodhoksinë me Kishën lokale ose kombëtare, në të cilën bëjnë pjesë. Të tjerët, ata i shohin – në mos teorikisht të paktën praktikisht – si periferi.
Tema e racizmit nacional e ka munduar Kishën Orthodhokse gjatë shekujve të mëparshëm, temë e cila nuk pushon së shfaquri me forma të ndryshme, më të buta ose më të forta. Shpesh, parimi biblik “lum ai komb, Zoti i të cilit është Perëndia” (Ps. 32:12), interpretohet me kritere kulturore ose nacionaliste. Por, i vetmi interpretim i drejtë i këtij fragmenti, gjendet në kuadrin biblik. Vetë psalmi i hap horizont mbarë botës dhe brenda saj sheh zhvillimin e kombit. “Plot është toka me përdëllimin e Zotit. Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt” (varg. 5-6). Perëndia i krijoi të gjitha dhe Ai kujdeset për gjithçka.
Ndaj, sado i lumur që të jetë kombi, “Zoti i të cilit është Perëndia”, megjithatë asnjë komb nuk mund ta rivendikojë si pronë të vet Perëndinë. Asnjë komb, pavarësisht nga shkalla në të cilën beson, nuk ka ekskluzivitetin në dashurinë e Perëndisë. Që një komb ose një grup kombesh njohin besimin e krishterë, kjo nuk do të thotë se kanë të drejtën ta kenë monopol Perëndinë, dhe t’i konsiderojnë popujt e tjerë si të kategorisë së dytë. Apostull Pavli në mënyrë të qartë përsëriti në Areopag, se “(Perëndia) e bëri prej një gjaku çdo komb njerëzish” (Vepr. 17:26). Të gjitha kombet i përkasin të njëjtit njerëzim, që u krijua prej të njëjtit Krijues. Madje, pas flijimit në Kryq dhe Ngjalljes së Krishtit, çdo ndarje mes njerëzve zhduket dhe misioni i Kishës së Tij synon që të “jenë kombet bashkëtrashëgimtarë dhe një trup e bashkëpjesëtarë në premtimin e tij tek Krishti me anën e Ungjillit” (Efes. 3:6).
Kuptimi i drejtë i marrëdhënieve ndërmjet kombit dhe Orthodhoksisë ka një rëndësi shumë të madhe edhe për fazën e re të dëshmisë dhe misionarizmit orthodhoks në mjedise jashtë vendeve tradicionalisht orthodhokse. Nuk ka mundësi që të thirren në Orthodhoksi njerëz nga kontinente të tjera ose nga mjedise të tjera kulturore me pretendimin që të përfshihen si shtojca në disa qarqe të mbyllura nacionale.
Kisha “e cila është trupi i tij (i Krishtit), përmbushja e atij që përmbush çdo gjë në gjithçka” (Efes. 1:23), ka horizont mbarëbotëror dhe këtë të vërtetë theologjia orthodhokse thirret në mënyrë të veçantë që ta forcojë në ndërgjegjen e çdo besimtari dhe çdo populli.
Shumëllojshmëria e kombeve është një fakt dhe, në mënyrë thelbësore, një fakt i respektueshëm. Krishterimi Orthodhoks respekton jo vetëm çdo person, por edhe çdo familje personash dhe nuk kërkon që të rrafshojë gjithçka, duke krijuar një masë. Nuk refuzon elementët e veçanë të çdo race. Përkundrazi, i shndërron dhe i shenjtëron ato. Ekzistenca e familjeve në një shoqëri nuk përbën shkak disharmonie. Fatkeqësia fillon nga egoizmi, autarkia e ekskluziviteti që manifestohen në familjet e shkëputura. Kjo vlen në mënyrë analoge edhe për kombet.
Rrjedhimisht, tek problemi që na shqetëson, pozicioni i saktë nuk është që të nënçmojmë ose, për më tepër, të përçmojmë vlerën e kombit, por të sqarojmë kuptimin dhe rëndësinë e kësaj vlere. Dhe ta pozicionojmë drejt nga pikëpamja kishtarologjike. Të ndërgjegjësohemi, se në thelb nuk ekzistojnë Kisha të ndryshme Orthodhokse: Kisha e Greqisë, Kisha e Serbisë, e Bullgarisë, e Rumanisë etj. por një Kishë Orthodhokse: Kisha në Greqi, në Serbi, në Rumani, në Shqipëri, në Afrikë, në Amerikë. Me dy fjalë, Orthodhoksia nuk është një konfederatë Kishash, por “një Kishë e shenjtë, e përgjithshme dhe apostolike”, që është e gjallë.
Do të nevojitet që të kultivojmë një ndërgjegje orthodhokse ekumenike. Dhe kjo çështje nuk është gjithnjë aq e thjeshtë sa thuhet. Arsye historike i kanë dhënë marrëdhënies midis Kombit dhe Kishës Orthodhokse një pikëpamje dhe disponim krejt origjinal. Shumë njerëz, madje ata më shekullaristët, parapëlqejnë ta shohin Orthodhoksinë si “shërbyese” të kombit.
IV
Hapa afrimi
Ekzistojnë probleme të reja, serioze, me të cilat përballen të gjitha Kishat lokale dhe që, me një bashkëpunim më të ngushtë, do t’i përballonim më mirë (si p.sh. shekullarizimi i shoqërisë, çështjet e reja që na shtron bioetika, problemet bashkëkohore të rinisë etj.). Këndvështrimi i ndryshëm, nga i cili studiojmë këto çështje për shkak të ndryshimeve të kushteve të jetesës dhe të psikosintezës, ndihmon në një dialog produktiv, vëllazëror dhe në një sintezë më të thellë Orthodhokse. Sikundër gjithashtu kontribuon për të sqaruar se çfarë është e qenësishme, që për të gjithë ngelet e përbashkët, dhe çfarë anësore, që varion sipas vendit.
Kontakti personal me Orthodhoksë të kombësive të tjera, – dhe në rastin tonë me popujt ballkanikë fqinj – do të ndihmojë shumë në pjesëmarrjen tonë në jetën e mbarë Orthodhoksisë. Informimi teorik nuk është i mjaftueshëm. Një gjë të tillë e vëmë re në jetën tonë të përditshme shoqërore. Shumë rezerva dhe paragjykime shkrihen me komunikimin personal, ndërsa zbutja ose ndërprerja e marrëdhënieve lehtëson infiltrimin e dyshimeve dhe ftohjeve.
Konferencat e Primatëve të Kishave Orthodhokse Autoqefale, bashkëpunimi në kuadrin e Organizatave kristiane (WCC, CEC), me qendër koordinimi Patriarkanën Ekumenike, përbëjnë sigurisht një hap përpara. Njohja dhe bashkëpunimi i të rinjve orthodhoksë nga vende të ndryshme, që po promovohet nga Organizata Ndërkombëtare e Rinisë Orthodhokse “Syndesmos” dhe nga “Federata Ndërballkanike e Rinisë Orthodhokse”, si dhe takimet e herëpashershme të grave Orthodhokse në kuadrin e konferencave ndërkombëtare, përbëjnë zhvillime të rëndësishme. Lidhjet dhe miqësitë që u krijuan në vitet e mëparshme, ndihmuan, kur drejtues të vjetër të lëvizjeve rinore morën pozita të përgjegjshme në organet kishtare. Konferencat e Fakulteteve Teologjike përbëjnë, gjithashtu, një kontribut thelbësor në unitetin e mendimit dhe të preokupimit të Orthodhoksëve. Komunikimi, jo vetëm midis zyrtarëve, por mes popullit Orthodhoks (të rinjve, intelektualëve), është një nga ngjarjet shpresëdhënëse për të ardhmen e Orthodhoksisë. Ata që udhëtojnë, le të tregojnë kujdes për të komunikuar me komunitete të tjera Orthodhokse. Kohët e fundit janë më të shpeshta vizitat e Orthodhoksëve të huaj në vende të ndryshme ballkanike. Eshtë rasti të tregojmë interesimin maksimal vëllazëror.
V
Uniteti i Orthodhoksisë dhe universaliteti i njerëzimit
Uniteti më Krishtin i Orthodhoksëve nuk mund të mos marrë parasysh unitetin e gjinisë njerëzore, faktin e marrjes së gjithë natyrës njerëzore nga i Biri dhe Fjala e Perëndisë. Dhe, rrjedhimisht, është detyra jonë t’i shpallim botës mbarë, me përulje dhe me fuqinë, jetën e re më Krishtin, dashurinë e Tij, e cila shpëton dhe shndërron pamjen e “të gjithave”. Më tepër edhe nga kongreset dhe letërkëmbimi dhe këmbimi i vizitave, ajo që lidh është vepra e përbashkët. Sikundër thoshte Shën Isaak Siriani, “ata që mjaftohen me fjalë, ngulin këmbë të pikturojnë me ujë”. Shekulli i 21-të duhet të jetë për Orthodhoksët, shekulli i përpjekjeve të përbashkëta në fushën e solidaritetit dhe të dëshmisë Orthodhokse në kufij të rinj.
Në kuptimin e “karakterit apostolik” të Kishës sonë, të cilin përmenda pak më parë, ka dhe një aspekt tjetër që zakonisht shumë njerëz nuk e marrin në konsideratë. Po bëj një përmbledhje: a) Kisha jonë Orthodhokse është apostolike, sepse ndodhet në një ‘apostoli’ – mision të vazhdueshëm – për ripërtëritjen dhe reformimin e botës. Ky mision përbën elementin bazë të ADN-së së Kishës sonë. b) Ka për detyrë, si një e tërë, duke ecur në gjurmët dhe shembullin e Apostujve, të vazhdojë të shpallë Ungjillin në mbarë njerëzimin. c) Kishat lokale, por edhe secili prej nesh, si pjesëtar i “një Kishe të shenjtë, të përgjithshme dhe apostolike”, kemi për detyrë t’i përgjigjemi pjesës së përgjegjësisë apostolike që na takon. Me konsekuencë, me mendim krijues dhe me vepra. d) Të vazhdojmë shërbimin e fjalës, të mistereve dhe të pajtimit me vizionin, me zellin dhe moralin e Apostujve; me horizont gjithë rruzullin, në të gjithë kohën që i mbetet historisë, “derisa të vijë” Zoti.
Sikundër dihet, thirrjet e vëllezërve tanë Orthodhoksë nga Kishat Orthodhokse, të vogla në numër besimtarësh, të Afrikës dhe Azisë, janë të vazhdueshme. Ende shumë episkopata orthodhokse në vende të Evropës dhe të Amerikës kanë nevojë për përkrahje, shpirtërore dhe materiale. Orthodhoksët thirren të ndihmojnë për mbijetesën dhe zhvillimin e këtyre ishujve të vegjël në oqeanin e botës jo-kristiane dhe, në vazhdim, për shumëfishimin e tyre. Kishat e vogla Orthodhokse hierapostolike e kanë mundësinë që fare mirë të bëhen hallka lidhëse midis Orthodhoksëve, natyrisht nëse lëvizim në mënyrë të përshtatshme.
Misionarizmi i shenjtë në mbarë botën dhe forcimi i lidhjeve mes nesh, lidhen midis tyre shumë më tepër se sa e imagjinojmë. Një rrymë e vërtetë entuziazmi hierapostolik do të mund të krijonte një fushë tërheqjeje dhe uniteti në gjirin e Orthodhoksisë. Dhe, respektivisht, afrimi ndërorthodhoks do të lehtësojë zhvillimin e një dëshmie Orthodhokse më dinamike në botën moderne. Rigjallërimi i ndërgjegjes për anën “apostolike” dhe “të përgjithshme” të Kishës sonë, ndërthuret me forcimin e ndërgjegjes, se përbëjmë “një Kishë”.
Marrja e vizionit dhe e veprës hierapostolike të Kishës sonë Orthodhokse na ndihmon të rigjejmë ndërgjegjen apostolike të Kishës sonë, traditën dhe ndërgjegjen e përbashkët dhe të vërtetë Orthodhokse, duke forcuar ndjenjën e përgjegjësisë sonë të përbashkët përballë botës.
***
Disa studiues të historisë kishtare kanë thënë se epoka e sotme është “ora e Orthodhoksisë”. Mesjeta karakterizohet si ora e Romanokatolicizmit, Rilindja dhe kohët e reja si ora e Protestantizmit dhe epoka jonë si ora e Orthodhoksisë. Nuk e njohim shkallën e saktësisë së këtij mendimi. Ndoshta një rëndësi më direkte ka se … “tani është ora që të ngrihemi nga gjumi” (Rom. 13.11). Perëndia na hap shumë dyer në drejtime të ndryshme. Fjala e Apokalipsit, përmjet kaq ngjarjesh që ndjekim, tingëllon aktuale: “Ja, tek kam vënë përpara teje një derë të hapur dhe askush nuk mund ta mbyllë atë, sepse ke pak fuqi edhe ma mbajte fjalën” (Apok. 3:8).
Kur e mendoj Orthodhoksinë në shekullin e 21-të, uroj dhe lutem që të jetë një Orthodhoksi që do të jetojë intensivisht misterin e shpëtimit më Krishtin. Një Kishë Orthodhokse që përjeton me dinamizëm unitetin e saj. Që frymëzon dhe krijon shenjtorë, sipas modelit të Krishtit, njerëz të çliruar nga hipokrizia dhe grykësia, të lirë nga konvecionaliteti dhe fobitë e “kësaj jete”. Që ofron rilindjen shpirtërore, që i jep kuptim qenies njerëzore, që ndihmon njeriun të përballojë jetën dhe vdekjen me frymën dhe fuqinë e Ngjalljes. Të ecë me hirin e Shpirtit të Shenjtë, nga egoizmi shumëformësh drejt pastrimit të brendshëm, drejt ndriçimit, drejt hyjnizimit sipas hirit, që është dëshira më e thellë e njeriut të çdo epoke.
Së fundi, shoh një Orthodhoksi njeridashëse, të mbushur me dhembshuri dhe dashuri pa hipokrizi ndaj çdo njeriu, pavarësisht nga origjina e tij, nga bindjet dhe niveli moral. Një Orthodhoksi të sensibilizuar ndaj ngjarjeve shoqërore, në vijën e parë për stabilizimin e paqes në botë; që frymëzon bijtë e saj me entuziazëm për drejtësi sociale, për shkencën, për artin. Një Orthodhoksi që e përjeton dashurinë për Perëndinë, sipas përcaktimit të Vasilit të Madh: “Zgjeroni frymën tuaj me maksimumin e fuqisë sipas dëshirës së Perëndisë me qëllim lavdinë e Tij”.