EmailFacebookKontakt

Të ndërpritet dhuna kundër simboleve dhe objekteve të krishtera

Në kuadrin e fushatës së nxitur kundër simboleve orthodhokse, që nisi me kryqin e Fikasit dhe vazhdoi me tritolin në kryqin e Xarës, përsëri ka ndodhur një ngjarje e dhunshme.

Duke u gdhirë 27 shtatori, rreth orës 1.30, gjashtë persona të maskuar kanë dëmtuar kampingun e të rinjve orthodhoksë ngritur pranë Manastirit të Shën Gjergjit, në Çukë, Sarandë. Keqbërësit fillimisht dëmtuan terrenin sportiv, duke rrëzuar tabelën e basketbollit dhe shkulur shtyllat e volejbollit. Pas kësaj, vandalët rrëzuan një pjesë të rrethimit, hynë në dhomën e rojes, të cilin e lidhën dhe e kërcënuan, që të mos guxonte të fliste. Ata shanin dhe ulërinin se nuk do t’ju lemë të ngrini kryqe e të ndërtoni kisha apo objekte të tjera orthodhokse. Dhuna vazhdoi duke shkulur mbulimet e dhomave të fjetjes, dyert e banjave, të cilat i kishin marrë me vete, ndoshta për të krijuar përshtypjen e grabitjes, sepse një pjesë i kishin hedhur rrugës.

Po në të njëjtën zonë, një javë më parë ishte organizuar dhunimi i disa kishave, midis të cilave edhe manastiri i Shën Gjergjit, ndërsa në datën 28 shtator u grabit me thyerje kisha e Bularatit. Të gjitha këto, u shtohen akteve të dhunës e vjedhjeve ndaj kishave orthodhokse edhe në mitropoli të tjera, si vjedhja skandaloze e 17 ikonave dhe e një pjese të ikonostasit në kishën e Shën Thanasit në Voskopojë apo grabitja e sendeve të shenjta dhe parave në kishën e Ersekës etj.

Neni 24 i Kushtetutës thotë: “Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar”. Po, kush e garanton?!

Kërkojmë që akteve të tilla vandalizmi, që dëmtojnë harmoninë fetare dhe papërgjegjshmërisë së shtetit për të mbrojtur objektet dhe simbolet fetare orthodhokse, t’u jepet fund. Besimtarët orthodhoksë pas vendosjes së lirisë fetare mbështetin harmoninë fetare, por, në të njëjtën kohë nuk do të lejojnë të bëhen pre e qarqeve të tilla të errëta, që përpiqen të dhunojnë lirinë e tyre fetare.

Tiranë, më 5/10/04

Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë