Papa dhe Patriarku i Aleksandrisë Petro VII, primati i Orthodhoksëve të Afrikës, ndërroi jetë të shtunën kur helikopteri me të cilin udhëtonte, ra në det afër Malit të Shenjtë, ku do të bënte një vizitë. Këtë humbje tepër të madhe e rëndoi prania në helikopter e hierarkëve të tjerë të lartë të kësaj kishe, si Mitropoliti i Kartagjenës Krisostomi, i Pelusimit, Irineu dhe i Madegaskarit, Nektari. Më poshtë po japim disa të dhëna biografike për Patriarkun.
Kush ishte Petro VII
Fortlumturia e Tij, Petro VII, u lind në fshatin e Sikarit, në Qipro, më 3 shtator 1949. Në vitin 1966, atë e dërguan nga Manastiri i Makerës për të studiuar në Seminarin “Apostulli Barnaba”, në Nikosia, ku dhe u diplomua më 1969. Në gushtin e këtij viti, ai u hirotonis dhjakon në Manastirin e Shenjtë të Makerës nga Kristostomi, episkop i Konstatians, që më vonë u bë Kryepiskopi i Qipros.
Në dhjetor të vitit 1970, ai u ftua në Patriarkanën e Aleksandrisë, ku shërbeu si dhjakon për Fortlumturinë e Tij Nikolla VI, Patriark i Aleksandrisë, deri në shtator të vitit 1974. Ai studioi teologji në Universitetin e Athinës, në të cilin u diplomua më 1978, (ku ishte nxënës i Kryepiskopit tonë, Anastasit). Gjatë kohës së studimit, ai shërbente në Kishën e Shën Spiridhonit në Satadiu të Athinës. Ai u dorëzua prift më 16 gusht 1978, në Qipro dhe u kthye në Egjipt, në rangun e Arqimandritit. Ai ishte dhe Vikar në Qendrën Patriarkale të Kajros. Në qershor 1983 u zgjodh Mitropolit i Akras dhe Afrikës së Jugut dhe u dorëzua Episkop në gusht 1983 në Qipro. Arqidioqeza e Akrës dhe Afrikës së Perëndimit mbulonte në atë kohë plot 22 vende.
Në tetor të vitit 1991, pas ardhjes së Kryepiskopit Anastas në Shqipëri, Hirësia e Tij Petro u bë Patriarku Eksark i Arqidioqezës së Irinoupolis (Kenia, Uganda dhe Tanzania). Në nëntor 1994 u caktua Mitropolit i Kamerunit dhe i gjithë Afrikës Perëndimore.
Në shkurt të vitit 1997 u zgjodh Papë dhe Patriark i Aleksandrisë, në vend të Fortlumturisë së Tij Parthenios III, i cili kishte fjetur një vit më parë.
Fortlumturia e Tij Petros u vendos në Fronin e Aleksandrisë, që u themelua nga Ungjillori Shën Marku dhe ishte hierarku i 129-të në këtë post. Fronëzimi i tij u bë më 9 mars 1997.