Jetoi në shekullin e 13-të para Krishtit. Ishte vëllai i profetëve, Aaronit dhe i Mariamës (kremtohen të dielën para Krishtlindjes) dhe bir levitësh, i Amramit dhe i Johavedhës.
Në Egjipt, hebrenjtë ishin shtuar shumë në numër. Ata përbënin rrezik për egjiptianët edhe pse faraoni – sipas të gjitha gjasave, Ramsiu II (1298-1232) i shtypte në mënyrë shfarosëse me punë të detyruar. Prandaj u dha urdhri që të vriteshin foshnjat e tyre meshkuj të porsalindur.
Ndërkaq Moisiu i bukur shpëtoi, por kur u bë tre muajsh prindërit e tij nuk mund ta fshihnin më. Kështu e vendosën në një shportë dhe e lanë në brigjet e lumit Nil, ndërsa e motra, Mariama, ndiqte nga larg se çfarë përfundimi do të kishte…
E bija e faraonit, e cila kishte shkuar për t’u larë, gjeti Moisiun (hebraisht = nga uji [i shpëtuar], rrjedh nga gjuha egjiptiane = bir i ujit) dhe e kuptoi kombësinë e tij. Motra e Moisiut u paraqit dhe i propozoi asaj që t’i gjente një mëndeshë hebrease. Ajo pranoi dhe vogëlushja thirri nënën e tyre! “Dhe gruaja mori foshnjën” (Eks.2.9) tre vjet, deri në shkëputje nga gjiri, dhe më pas ia ktheu princeshës.
Kështu, Moisiu u edukua në pallatet mbretërore egjiptiane, nga ku u arratis në moshën dyzetvjeçare, sapo u mor vesh që kishte vrarë një egjiptian, duke mbrojtur një hebre.
Gjeti strehë në Sina dhe u martua me Sepforën, të bijën e priftit Jothor. Në moshën 80 – vjeçare, ndërsa kulloste bagëtinë e të vjehrrit, pa një ferrë (e cila bleron edhe sot e kësaj dite në Manastirin e Shën Ekaterinës në Sina), duke u djegur, por pa u bërë hi! Aty, Zoti e urdhëroi që të kthehej dhe të çlironte popullin e tij të shumtë në numër, rreth dy milion veta. U bind duke ngurruar, por më pas u bë i pathyeshëm me gjithë vështirësitë e panumërta dëshpëruese.
Pra, filloi “Eksodi” (= dalja) dhe mrekullitë e tij që i kryente Moisiu, zakonisht me shkopin e tij: Faraoni e liroi Izraelin pas dhjetë plagëve; kaluan Detin e Kuq, i cili u tha me kalimin e hebrenjve dhe mbyti egjiptianët që po i ndiqnin; ushqeheshin me zogj të rënë nga qielli dhe me “mana”; Moisiu nxirrte ujë për hebrenjtë edhe aty ku nuk kishte asnjë shpresë.
Shumë herë hebrenjtë kishin rënkuar kundër Perëndisë dhe si dënim kafshoheshin nga zvarranikët dhe vdisnin. Moisiu bëri një gjarpër prej bakri dhe e ngriti lart. Kush e shihte shpëtonte.
Ai shihte shpesh Perëndinë (“Perëndishikues”), si në malin Sina, ku mori brenda flakëve “Dekalogun”, bazën e ligjshmërisë së tij të famshme.
U end për dyzet vjet në shkretëtirë, derisa vdiqën që të gjithë sa ishin mbi njëzet vjeç, sepse kishin vënë në dyshim premtimin e Perëndisë se do të pushtonin Palestinën tepër të fortifikuar.
Në betejën kundër amalikëve izraelitët fituan, pasi Moisiu lutej me duart e ngritura dhe të mbështetura nga Aaroni dhe Ori (e diela para Krishtlindjes), sepse kur ai lodhej dhe ulte duart, fitonin armiqtë!
Por, edhe ai vetë nuk hyri në Palestinë, për shkak se u tregua një herë besëpak. Vetëm sa e pa me nostalgji nga mali Navav (që ndodhet matanë lumit Jordan), ku edhe fjeti në moshën 120 – vjeçare, pasi më parë kishte këshilluar shkëlqyeshëm kombin e tij kokëfortë.
Kolosi Moisi (ose Mosi) u lavdërua si rrallë kush si një prijës dhe çlirimtar i fuqishëm dhe i talentuar, si një ligjvënës i shkëlqyer fetar dhe politik, tepër i qetë, me një vetëflijim të paparë, si tipi i Krishtit, të Cilin e profetizoi në Pentatefkin (pesë librat e para të Dhiatës së Vjetër) që shkroi ai. Nderohet edhe të dielën e Paraetërve.
Që ta plotësojmë jetën e motrës së tij, e cila ndërthuret me atë të Moisiut, shtojmë:
Plaka, tashmë e moshuar, “duke marrë daullen” entuziazmoi izraelianet dhe kërcyen sapo Moisiu psali himnin e tij triumfal pas kalimit të Detit të kuq – është Oda e Parë nga Nëntë Odet e himnologjisë, ndërsa Oda e Dytë është qortimi i Moisiut, para vdekjes së tij kundër popullit të vet të vështirë.
Mariama (hebraisht = zonja) dhe Aaroni kritikuan vëllain, sepse kishte bashkëshorten “etiopiane” dhe për më tepër u barazuan në mënyrë egoiste me Moisiun. Perëndia i siguroi se ai ishte besniku i tij i papërsëritur dhe dënoi motrën me lebër! Moisiu që nuk mbante mëri u lut dhe Zoti fali gruan pas internimit të saj “nga kampi shtatë ditë… derisa u pastrua”. Vdiq shumë e moshuar jashtë kufijve jugorë të Tokës së Premtuar. Ajo i dha së Tërëshenjtës emrin e saj.