EmailFacebookKontakt

Kisha e Shën Harallambit

Kisha e Shën Harallambit ndodhej në platenë e kishës katedrale, në anën veriore të saj. Vendi ku ngrihej kjo kishë, sot i bie të jetë në këndin sportiv të shkollës, “Sevasti Qiriazi”.

Kisha është ndërtuar në fillim të shekullit të XIX-të, në kohën kur kryeepitrop i mitropolisë ishte zoti Harito Jorgji. Në vitin 1816, në kohën e mitropolitit Meletios nga Santorina, filloi ndërtimi i kishës së Shën Harallambit, e cila duhet të jetë ngritur mbi një konizmë të këtij shenjtori, pasi në kodikun e mitropolisë përmendet dhe si përtëritje e paraklisit.

Fermanin për ndërtimin e kësaj kishe e ka nxjerrë mitropoliti i Korçës, Meleti, që përmendet në kodik në dokumentin numër 11 dhe mban datën 1821, në të cilin thuhet: “I gjithëhirshmi dhespoti ynë i Korçës, zoti Meleti nga Santorina dha dhuratë shpirtërore 50 groshë për fermanin e kishës…”, ndërsa në dokumentin numër 8 thuhet se ai u përkujdes për fermanin e kishës së Shën Harallambit. Ndërsa përsa i përket ndërtimit, përmendet epitrop Haritoja në listat e dhuruesve deri në shekullin e XX-të.

Në vitin 1828 janë pikturuar ikonat dhe ka përfunduar ikonostasi i kishës së Shën Harallambit në kohën e epitrop Vasil Kostës. Këtë na e vërteton dokumenti numër 58 i kodikut të mitropolisë, që mban datën 9 janar 1829 dhe flet për shpenzimet për piktorët, ikonat dhe ikonostasin e kishës.

Ndërtesa e kishës ishte e thjeshtë, ndërsa harku i ajodhimës përfshinte gjithë gjerësinë e kishës në ndryshim nga kishat e tjera. Ndërtimi ishte me material të gurtë.

Siç e kemi përmendur, aty nga fillimi i shekullit të XIX-të, korçarët filluan të varrosnin të vdekurit në Shën Mari. Deri në këtë kohë korçarët i varrosnin të vdekurit rreth kishës së madhe në Shëndëlli (Shën Ilia) dhe Shën Thanas. Në këtë periudhë, meqenëse qyteti po shtrihej rreth mitropolisë dhe Kishës Katedrale, Mitropolia e Shenjtë e Korçës vendosi që të nxirren eshtrat e të varrosurve deri në atë kohë rreth këtyre kishave dhe të futen në qimitirin e kishës së Shën Harallambit. Këto eshtra të të parëve tanë janë edhe sot nën themelet e kësaj kishe të rrafshuar në kohën e regjimit ateist. Sot mbi eshtrat e të parëve tanë janë ndërtuar terrenet sportive të shkollës “Sevasti Qiriazi”. I del detyrë komunitetit orthodhoks dhe mitropolisë të mendojnë për kujtimin e të parëve tanë dhe për ringritjen e kësaj kishe.

Arben Gjata
Marrë nga Revista “Tempulli”