EmailFacebookKontakt

Një qendër e re për njerëzit në nevojë

Një ndër programet më të rëndësishme që pritet të realizohet nga Kisha Orthodhokse Shqiptare është çelja e një qendre për trajtimin e personave në nevojë. Njerëzve me vështirësi të mëdha ekonomike do t’iu krijohet mundësia që të ushqehen falas katër ditë në javë në mensën e re për të varfrit, që do të funksionojë në ambientet e mëparshme të Institutit Profesional “Frymë Dashurie”. Në krye të personelit të kësaj qendre do të jetë çifti misionar amerikan, Xhorxh dhe Rolin Raso.

Në intervistën e mëposhtme drejtuesi i këtij programi, Xhorxh Raso, tregon punën që është bërë për hapjen e kësaj mense për të varfrit si dhe qëllimin kryesor të kësaj qendre humane që mbështetet nga Kryepiskopi Anastas.

– Si fillim z. Xhorxh, një prezantim për lexuesit tanë.

Quhem Xhorxh Raso dhe jam një misionar amerikan që po jetoj në Shqipëri prej disa muajsh. E kam vizituar edhe më parë Shqipërinë. Erdha tri herë në dy vitet e kaluara dhe gjatë vizitave pata mundësinë të takohesha me Kryepiskopin Anastas. Gjatë bisedave që patëm me Kryepiskopin e kuptuam se një nga qëllimet e tij kryesore ishte ndërtimi i një qendre për të varfrit. Ne ndërmorëm vendimin të bëhemi misionarë. Natyrisht që gjatë kësaj kohe ne kemi folur me shumë njerëz për të na treguar dhe për të na ndihmuar se si kjo mensë të jetë diçka e dobishme për jetën e kishës këtu. Ne kemi një plan bashkë me Kryepiskopin për vendin e mensës, sa do të jetë numri i njerëzve që do të ushqehen në këtë mensë dhe sa herë gjatë javës ata do të marrin ushqim.

– A mund të na flisni më konkretisht për këtë?

Plani ynë është të fillojmë një trajtim për 30 persona katër herë në javë. Qendra jonë do të jetë aty ku ka qenë më parë shkolla “Frymë Dashurie”. Ne jemi duke punuar për gjetjen e materialeve të nevojshme për funksionimin e kësaj qendre. Gjithashtu kemi gjetur fonde për ndërtimin e mensës dhe jemi duke bashkëpunuar shumë ngushtë me grupin e grave orthodhokse, që të gjejnë disa shoqëri private në Shqipëri, të cilat janë të interesuara për të dhuruar fonde ose materiale të ndryshme. Për shembull, kompania “Kristal Grup” na ka bërë një donacion shumë të rëndësishëm duke na dhënë një sasi të konsiderueshme uji të distiluar.

– Si do të organizohet puna në këtë qendër?

Kemi një plan për të krijuar stafin e nevojshëm për këtë mensë. Kryesisht njerëzit që do të punojnë aty do të jenë vullnetarë. Ne po përpiqemi të gjejmë aktualisht një kuzhinier profesionist. Kemi një kapacitet më tepër se 30 veta. Ne do të fillojmë me këtë numër njerëzish dhe pas kësaj do të shikojmë si do të eci puna.

– Si do të bëhet përzgjedhja e këtyre njerëzve?

Grupi i grave të Kishës Orthodhokse njeh shumë familje këtu në Tiranë, të cilat trajtohen vazhdimisht nga kisha. Ne do të përdorim të gjitha informacionet që zotërojnë ato për familjet që kanë më tepër nevojë. Gjithashtu duam të krijojmë lidhje edhe tek lagjja ku do të funksionojë qendra jonë, me qëllim që të gjejmë disa persona në nevojë dhe të ftojmë edhe të tjerë të ushqehen pa pagesë në qendrën tonë.

– Çfarë do të donit të shtonit tjetër?

Mendojmë se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për Kishën Orthodhokse Shqiptare. Ndoshta lexuesit tuaj do të ndihmojnë për ndërtimin e kësaj qendre. Ne jemi tepër të interesuar që shumë njerëz të dhurojnë ushqime ose të vijnë dhe të japin ndihmesën e tyre duke punuar pranë nesh. Na çudit fakti që shumë njerëz kanë ardhur për t’u bërë pjesë e stafit tonë dhe janë gati për të na ndihmuar. Gjithashtu kemi gjetur mundësinë për të pasur një shumë financiare, e cila do të na vijë nga Amerika për krijimin e kësaj qendre.

– Zoti Xhorxh, ju faleminderit për bisedën dhe suksese në punën tuaj.

Faleminderit edhe ju!