Nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi
E gjatë është lista e viktimave të terrorizmit që nisi më 11 shtator 2001 në Nju Jork, deri në hekatombat e fëmijëve të pafajshëm në shkollën e Beslanit të Rusisë. Ndërmjet tyre rrezikon të gjendet edhe feja.
Më 5-7 shtator 2004 në Milano, qindra burra e gra nga 60 vende të ndryshme të botës dhe nga fe të ndryshme, morën pjesë në një kongres të madh ndërfetar me temë: “Guxim për një humanizëm të ri, shpirtëror”. Thirrja për paqe, nënshkruar nga të gjithë pjesëmarrësit, ndërmjet të tjerave thekson: “Paqe është emri i Perëndisë. Ndaj, ata që shfrytëzojnë Emrin e Shenjtë të Perëndisë për të bekuar luftërat e tyre, i japin mallkim kauzës për të cilën luftojnë dhe e largojnë veten e tyre nga Perëndia. Asnjë luftë nuk është e shenjtë. Vetëm paqja është e shenjtë!… Duke u thelluar në traditat tona fetare, e kemi kuptuar më mirë se frika, terrorizmi dhe lufta e vënë njerëzimin në rrezik vetëshkatërrimi dhe se njerëzit përfundojnë t’i nënshtrohen asaj së keqeje, të cilës synojnë t’i kundërvihen…”.
Stuhia terroriste dhe ajo e luftës që ka shpërthyer në fillim të shekullit të 21-të, nuk duhet të marrë me vete edhe shenjtërinë e fesë, duke infektuar zemrat e njerëzve me hidhërim dhe armiqësi ndaj fesë së tjetrit. Shkatërrime më të këqija edhe se ato nga armët e shkatërrimit në masë, mund të shkaktojë nxitja e intolerancës fetare. Radioaktiviteti i urrejtjes, i pasuruar me “uraniumin” e pasionit fetar, zgjat edhe pas mbarimit të akteve terroriste dhe konflikteve luftarake, për dhjetëvjeçarë, ndoshta për shekuj, siç ka ndodhur me kryqëzatat dhe “luftërat e shenjta” të së kaluarës.
11 shtator 2004