EmailFacebookKontakt

“Çdo krim në emër të fesë është krim kundër vetë fesë”

Nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi

O Perëndi dhe Zot i gjithësisë, Dritë dhe Gjykatës i botës, shpirti ynë, plot dhembje dhe shqetësim, sjell ndër mend ngjarjet tragjike të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe aktet e njëpasnjëshme të dhunës që pasuan që atëherë, deri në tragjedinë në shkollën e Beslanit të Rusisë, ku terroristë mizorë u mbollën tmerrin dhe vdekjen qindra fëmijëve.

O Zot i paqes dhe i dashurisë, prehu shpirtrat mijëra vëllezërve tanë që humbën jetën padrejtësisht, duke u bërë viktima të kësaj dhune të tmerrshme; shëro plagët që shkaktuan këto goditje në zemrat e të afërmve dhe miqve.

Dhembja dhe ankthi ynë, o Zot, arrin kulmin kur shohim terroristë që pa ngurruar u marrin jetën madje dhe fëmijëve të pafajshëm, që përlyejnë edhe emrin Tënd, duke iu referuar besimit tek Ti.

Ruaje, o Zot, botën tënde nga kjo paranojë dhe egërsi e frikshme. Na ndihmo të gjithë për të kuptuar se çdo krim në emër të fesë është krim kundër vetë fesë dhe fyerje e Emrit Tënd të Shenjtë.

O Zot, në këto çaste, kur konflikte të dhunshme, akte terroriste, padrejtësi dhe hakmarrje lëndojnë njerëzimin, ku miliona njerëz të të gjitha moshave rrojnë në varfëri, mjerim dhe pikëllim, Të lutemi mos na braktis, edhe nëse ne, dashur ose padashur, Të braktisim.

O Zot mëshirues, zbute dhembjen që shtrihet në tokën tonë. Na jep ndjeshmërinë dhe guximin për të ndihmuar atje ku bëhen përpjekje për paqen, mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe pajtimin ndërmjet njerëzve dhe popujve, që ndodhen afër ose larg nesh. Falna, o Zot, të gjithëve një paqe të plotë. Paqe me Ty, paqe me veten tonë, paqe me njerëzit e tjerë, afër ose larg. Paqe me tërë krijimin Tënd.

Na bëj, o Zot, njerëz krijues, të ndershëm dhe të gatshëm për të punuar për progresin, drejtësinë, paqen dhe solidaritetin në të gjitha nivelet: lokal, ndërkombëtar, mbarëbotëror.

Na beko, o Zot i paqes, që ta ndjejmë praninë tënde çdo ditë dhe na ndihmo që me fjalën dhe veprën tonë të jemi një rreze që përhap dritë shprese dhe paqeje. Amin.

11 shtator 2004