EmailFacebookKontakt

“… sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jisu”

Nga datat 17-23 gusht 2004, në mjediset e manastirit të Shën Vlashit dhe të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, u zhvillua Konferenca Rinore Orthodhokse e organizuar nga Federata Ndërballkanike e Rinisë Orthodhokse. Tema e saj ishte: “Të bashkuar me Krishtin”. Kjo konferencë solli për herë të parë në Shqipëri të rinj nga i gjithë Ballkani, të cilët do të kalonin gati një javë me njëri-tjetrin, nën bekimin dhe mikpritjen e Kryepiskopit Anastas, i cili do të siguronte kushtet e nevojshme për akomodimin e të rinjve e për zhvillimin normal të veprimtarisë.

Të martën, 17 gusht, ishte dita e mbërritjes së delegacioneve. Pritja ishte organizuar mjaft bukur. Sapo mbërrinin, të rinjtë vendoseshin në mjediset komode të konviktit të Akademisë Teologjike, ku në çdo dhomë kishte të rinj nga vende të ndryshme, me qëllim forcimin e lidhjeve dhe njohjen më të mirë me njëri-tjetrin.

Të nesërmen, e mërkurë 18 gusht, dita do të niste me shërbesën, ku psalmet do të këndoheshin në të gjitha gjuhët ballkanike. Pas mëngjesit, programi rezervonte një kohë të veçantë për takimin e njohjes. Çdo i ri do të prezantonte vetveten dhe vendin nga vinte. Më pas të rinjtë, të ndarë në grupe, do të zhvillonin takimin e tyre të parë të Konferencës, me bazë studimin biblik, me temë “Kontributi i të rinjve orthodhoksë në shoqërinë e sotme”. Gjatë tij ata do të thoshin opinionet e tyre mbi mënyrat se si duhej dhënë kjo ndihmesë e tyre në shoqërinë bashkëkohore. Ata ranë dakord se, me pjesëmarrjen e të rinjve në jetën liturgjikale të Kishës, nga e cila buron edhe çdo virtyt i krishterë, me shpirtin e sakrificës, përulësinë e solidaritetin, të rinjtë orthodhoksë kanë çfarë t’i ofrojnë shoqërisë. Gjithashtu, theksuan se, ne e kemi të qartë destinacionin e shoqërisë njerëzore. Ne s’do të kontribuojmë thjesht për zhvillim apo harmoni. Ne do të punojmë për shndërrimin e saj në një shoqëri dashurie në mbretërinë qiellore.

Përpara drekës pjesëmarrësit do të zhvillonin edhe një takim, ku do të bisedohej mbi organizimin e “lojërave olimpike”. Të rinjtë të ndarë në grupe me emra të marra nga frytet e Shpirtit të Shenjtë, do të diskutonin mbi flamurin dhe himnin e grupit të tyre. Ndërsa në darkë, pas kohës së lirë, Mbrëmësores dhe aktiviteteve argëtuese sportive, do të ndiqnin me shumë interes një prezantim me fotografi me temë “Ringritja e një kishe që për 23 vjet ishte tërësisht e shkatërruar”. Prezantimi paraqiste me një sërë fotografish historike ringritjen nga themelet të Kishës sonë në saj e të kontributit të gjithanshëm të Kryepiskopit Anastas.

Dita e enjte, 19 gusht, punimet e Konferencës do të nisnin në sheshin e mbledhjeve. Ky mjedis ishte rrethuar me pankarta të bardha, në të cilat shkruhej në gjuhët ballkanike vargu “… sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jisu”. (Gal. 3:26) Paraqitja dhe dizenjimi skenik ishin mjaft të bukur dhe simbolikë. Në mes të podiumit ishte shkruar tema e konferencës: “Të bashkuar me Krishtin”, në gjuhët ballkanike. Ndërsa në të majtë ishte pikturuar një kryq, që kapej nga shumë duar, si për të simbolizuar forcën e unitetit. Në të dyja anët e tryezës kryesore ndodheshin dy cilindra të veshur me cohë blu. Në darkë dritat brenda këtyre cilindrave jepnin një vezullim të natyrshëm po në formë kryqi. Një e veçantë tjetër e organizimit të sheshit të mbledhjeve ishte edhe instalimi i kabinave të përkthyesve, ku përkthimi në gjuhët shqip, rumanisht, bullgarisht, serbisht, greqisht dhe anglisht dëgjohej nga të pranishmit me anë të kufjeve.

Takimi do të hapej me leximin e përshëndetjes së Patriarkut Ekumenik, Vartholomeut nga përfaqësuesi i Patriarkanës, z. Triandafilos Bojanu. Kjo përshëndetje theksonte, se besimi është një, Fryma e Shenjtë është një, një është Trupi i Krishtit, një është Mbretëria dhe jeta e përjetshme, kështu edhe dëshira e Zotit është që ata që besojnë tek Ai të jenë një. Në vijim, duke e marrë fjalën Fortlumturia e Tij Anastasi e falënderoi përfaqësuesin e Patriarkanës duke theksuar edhe njëherë ndjenjat e tij të thella të mirënjohjes në drejtim të Patrikut Ekumenik, për kontributin e madh të tij në ringritjen kanonike të Kishës së Shqipërisë.

Më pas, Kryepiskopi do të mbante para të pranishmëve referatin e tij të parë me temë: “Uniteti i të krishterëve orthodhoksë”. Pas referatit do të lihej nga organizatorët një kohë në dispozicion për diskutime dhe pyetje nga të pranishmit, të cilave do t’u përgjigjej Kryepiskopi Anastas.

Gjatë gjithë mbasdites të së enjtes, të rinjtë do të zhvillonin një ekskursion në qytetin e Krujës dhe do të vizitonin Muzeun Historik dhe kalanë e këtij qyteti. Një pikë tjetër mjaft e veçantë e programit do të ishte edhe ideimi dhe organizimi i natës ballkanike. Gjatë këtij aktiviteti të rinjtë, pasi paraqitën një prezantim të shkurtër të vendit nga vinin, dhanë një program të shkurtër artistik me këngë tradicionale dhe fetare. Ndërsa në anë të sallës, ishin vendosur objekte të ndryshme artistike. Interesant ishte dhe fakti i paraqitjes së çdo grupi me gatimin e një ëmbëlsire tradicionale.

Dita e premte, 20 gusht, i ishte kushtuar zhvillimit të një tjetër ekskursioni të gjatë në monumentet fetare të Shqipërisë së Mesme. Të rinjtë ballkanas vizituan manastirin e Shën Kozmait në Kolkondas dhe manastirin e Lindjes së të Tërëshenjtës në Ardenicë. Atje ata u njohën me historikun dhe kontributin e madh të këtyre qendrave shpirtërore në këto treva. Ata dëgjuan nga afër mbi historinë e Krishterimit në Shqipëri dhe lashtësinë e rrënjëve të këtij besimi. Ata u falën në vendin ku ishin prehur lipsanet e Shën Kozmait e dëgjuan me vëmendje jetën e këtij martiri dhe isapostulli. Vëllezërit e manastirit të Ardenicës shtruan për të rinjtë një drekë, e cila kaloi në një atmosferë të këndshme edhe nën dashurinë mikpritëse të etërve.

Orët e pasdites ekskursioni do vazhdonte në qytetin e lashtë të Durrësit. Të rinjtë vizituan amfiteatrin, duke parë nga afër edhe mozaikët e njohur të tij. Në vazhdim, u bë një vizitë lutëse në kishën e Shën Gjergjit si edhe në Kishën e Shën Pavlit dhe Shën Astit pranë portit të Durrësit.

Edhe dita e shtunë, 21 gusht, do të hapej me shërbesën e Mëngjesores ku do të psalej sipas radhës në gjuhët e ndryshme ballkanike. Gjatë kësaj dite, pjesëmarrësit do të dëgjonin referatin e dytë të Kryepiskopit në formën e një studimi biblik me tekst psalmin 32. Tema do të përqëndrohej rreth vargut të psalmit: “I lumur është kombi, Zoti i të cilit është Perëndia”. (Ps 32:12) Ky studim do të përfshinte përsëri situatën fetare në Ballkan dhe do të përqëndrohej në faktin, se Zoti është Perëndi i të gjitha kombeve dhe se nuk mund të përdoret vetëm si ekskluzivitet i një kombi apo më keq të keqpërdoret për qëllime jo në përputhje me ligjin e Tij. Pas studimit Kryepiskopi do t’u përgjigjej pyetjeve të pjesëmarrësve dhe do të fliste hapur mbi disa probleme shekullore të popujve ballkanikë dhe domosdoshmërinë e kapërcimit të tyre.

Pasditja i ishte rezervuar zhvillimit të “lojërave olimpike”. Të rinjtë ballkanas, të ndarë në katër grupe, do të merrnin pjesë me shumë entuziazëm në lojëra të ndryshme popullore. Më shumë mbresa do të linin loja e patateve, e tullumbaceve me ujë dhe tërheqja e litarit etj.

Pas darkës, në sheshin e mbledhjeve do të bëhej një prezantim me fotografi i aktivitetit të Federatës Ndërballkanike të Rinisë Orthodhokse.

Dita e diel, 22 gusht, do t’i çonte të rinjtë ballkanas në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë, për të ndjekur Liturgjinë Hyjnore, që u krye nga Kryepiskopi Anastas. Fortlumturia e Tij në predikimin e tij mbi pjesën e Ungjillit që flet për dialogun e Zotit me të riun e pasur, nxiti besimtarët dhe sidomos të rinjtë, që t’i përgjigjen pozitivisht Perëndisë në çastin që Ai do t’u kërkojë diçka më tepër nga sa ata i kanë ofruar deri më tani. Në fund të Liturgjisë Hyjnore, përfaqësuesi i Patriarkanës Ekumenike dhe përfaqësuesit e të gjitha vendeve ballkanike e falënderuan Kryepiskopin për mikpritjen që ofroi, për organizmin e shkëlqyer të kësaj konference rinore, si edhe shprehën përpara besimtarëve përshtypjet e tyre më të mira madje dhe habinë e tyre për përparimin kaq dinjitoz të Kishës në Shqipëri.

Më pas, të rinjve do t’iu rezervohej një pritje e ngrohtë në mjediset e Radios “Ngjallja”. Të rinjtë u njohën me aktivitetin e programin e radios dhe disa prej tyre do të bëheshin edhe pjesë e gjallë e emisioneve rinore të Radios, duke marrë pjesë në bisedat në studio. Në vazhdim të rinjtë do të vizitonin kryeqytetin.

Mbasditja e ditës së diel do të mbetet e ngulitur në kujtesën e ballkanasve të rinj. Gjatë kësaj mbasditeje do të organizohej Festivali i Rinisë Orthodhokse Shqiptare “Bij të Dritës”. Tashmë festivalet e rinisë janë kthyer në një traditë të bukur dhe dihet se me sa entuziazëm i mbushin të rinjtë këto aktivitete. Në festival kishin ardhur grupe rinore nga Tirana, Shkodra, Lushnja, Berati, Mursia, Korça, Këlcyra, Përmeti, Vlora etj. E nderuan këtë festival me pjesëmarrjen e tyre Kryepiskopi Anastas, si edhe Mitropoliti i Beratit, Ignati. Festivalin e përshëndetën edhe fëmijët e Shtëpisë “Shpresa e Fëmijëve”.

Atë natë është fjetur pak ose aspak. Të rinjtë nga i gjithë gadishulli i Ballkanit donin që natën e fundit t’i shfrytëzonin të gjitha momentet për të ndenjur së bashku, për të kënduar e vallëzuar këngët e vendeve të njëri-tjetrit, për të shkëmbyer adresat dhe telefonat etj. Dhe, mbërritën edhe orët kur grupet do të largoheshin njëri pas tjetrit. Shumë prej tyre donin të rrëmbenin edhe çastet e fundit, për të marrë edhe diçka nga ky aktivitet i shkëlqyer. Përcjelljet e grupeve në mënyrë spontane morën karakterin e festave ku përqafimet, buzëqeshjet dhe lotët treteshin në një. Çdo grup në momentin e nisjes shoqërohej me brohori dhe këngë si edhe makina ndiqej derisa të fshihej nga sytë në kthesën e portës së manastirit. Gjithashtu, një shoqërues i shoqëronte grupet deri në çastin e nisjes në aeroport ose në agjencitë përkatëse.

Ishte hera e parë që një aktivitet me karakter panballkanik organizohej nën mikpritjen e Kishës së Shqipërisë dhe Kryepiskopit Anastas dhe të gjitha shkuan për mrekulli. Vlen këtu të përmendet edhe organizimi i shkëlqyer deri në detaje i kësaj konference nën drejtimin e Zyrës Kombëtare të Rinisë. Një falënderim i veçantë i takon të gjithë të rinjve shqiptarë, që dhanë ndihmën e tyre për mbarëvajtjen e konferencës.

Të rinjtë ballkanas treguan se mund të jetojnë dhe punojnë së bashku. Megjithëse ne nuk e njihnim njëri-tjetrin, megjithëse gjuhët që flisnim ishin të ndryshme, ishim pranë me anë të asaj gjuhe që flasin të gjithë të krishterët, Liturgjisë Hyjnore e Potirit të përbashkët qiellor. Edhe pse në të kaluarën historia na ka mbajtur larg njëri-tjetrit, largësitë u zhdukën dhe me Hirin e Perëndisë nuk e panë njëri-tjetrin si të huaj. Të gjithë, të rinj orthodhoksë të Ballkanit u larguam në vendet tona me idenë për të qëndruar të bashkuar me njëri-tjetrin dhe të bashkuar me Krishtin.

Aleks Çuri