EmailFacebookKontakt

Në Evropë nuk shkohet duke i vënë tritolin simboleve të saj

Në ditën kur Kisha Orthodhokse feston Ngritjen e Kryqit, segmente të papërgjegjshme shtetërore i vunë tritolin dhe hodhën në erë kryqin-kambanore të fshatit Xarë, Sarandë, ngritur pranë kishës së vjetër orthodhokse të Shën Dhimitrit.

Kryqi ishte ngritur me dëshirën e fondet e banorëve dhe lejen e komunës kompetente, por kishte mosmarrëveshje me drejtuesit e Parkut të Butrintit. Por, që nga këto mosmarrëveshje deri tek përdorimi i tritolit është një hendek i thellë, në të cilin u hodh tolerance fetare për të cilën aq shumë preferohet të flitet.

Gatishmëria dhe energjia e treguar nga policia ndërtimore e Vlorës në këtë rast, kur dihet ngadalësia me të cilën ajo vepron, sidomos kur cënohen pronat kishtare, lë vend për dyshime dhe është revoltuese.

Cilidoqoftë arsyetimi, të arrish t’i vësh tritolin Kryqit në ditën kur ai festohet nga besimtarët orthodhoksë, është një cënim i lirisë fetare dhe një sakrilegj që fyen rëndë besimin.

Gjithashtu, përdorimi i tritolit, nxit krahasime që askush nuk dëshiron t’i bëjë. U kujtojmë porositësve të këtij akti skandaloz, se në Evropë nuk hyhet duke hedhur në erë simbolet e saj.

Redaksia