EmailFacebookKontakt

Kampingje rinore me jetë shpirtërore të pasur

Mitropolia Gjirokastër

Kampingje rinore me jetë shpirtërore të pasur

– Sivjet funksionuan 2 të tillë në Glikomil të Dropullit dhe në Çukë të Sarandës –

Dhjetëra të rinj morën pjesë edhe sivjet në kampingjet që prej tre vjetësh nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Fortlumturisë së tij Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë Anastas it, funksionojnë edhe në Mitropolinë e Shenjtë të Gjirokastrës. Madje, këtë vit kishim bekimin e veçantë që një kamping i tillë të hapi dyert e veta pranë Manastirit të “Shën Jorgjit”, ose të Dhemës, në Sarandë. Dy periudha kampingu u kryen atje me pjesëmarrjen e nxënësve të Shkollës së Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar” të Gjirokastrës, por edhe me të rinj nga Lidhja Rinore Orthodhokse, ish-nxënës të kësaj shkolle etj. I ndodhur në një vend shumë të bukur në brigjet e Detit Jon dhe i lidhur aq fort me Manastirin historik të “Shën Jorgjit” ky kamping u ofroi pjesëmarrësve një mundësi më shumë për jetë të përbashkët shpirtërore, për më shumë lutje, por edhe për argëtim dhe pushime me fantazi. Ndërkaq një dimesion tjetër i kampingut është pikërisht fakti i gjallërimit të Manastirit, në kishën e të cilit prej qindra vitesh ndofta ka për t’u kryer aq akolluthi. Edhe ambienti rrethues njëherësh me rastin e kampingut, por edhe me punën e të rinjve pjesëmarrës ndjeu ndërhyrje për çeljen e rrugës, pastrimin nga shkurret, krasitjen e ullinjve shekullorë etj. Është një dimension tjetër i gjithë përkujdesjes me të cilin Kisha jonë Orthodhokse përfaqëson qenien e njeriut, por edhe krijesën mbarë me ndjeshmëri ekologjike. Është shprehje edhe e interesimit të Kryepiskopit Anastas për gjallërimin e Monumenteve të Kulturës, për rikthimin e pronave që kishat dhe manastiret tona kanë zotëruar në shekuj.

Për të gjitha këto dhe veçanërisht për ditët e bekuara që kaluan në këtë kamping pjesëmarrësit shprehën falënderimet e tyre tek Kryepiskopi Anastas, i cili i vizitoi në periudhën e dytë dhe pikërisht të martën e “Profet Ilisë”. Kryepiskopi u dha këshilla të vyera të rinjve për më shumë falënderim përdëllyes tek Perëndia për gjithçka na ka falur gjatë këtyre viteve, për më shumë dashuri mes tyre dhe për të gjithë njerëzit përreth. U kërkoi të rinjve që gjatë gjithë jetës të kujtojnë se për gjithë këtë kujdes që Kisha tregon për ta në një fazë kaq të ndjeshme të jetës së tyre, i kanë asaj një borxh: për t’u bërë njerëz të denjë të dashurisë dhe moralit kristian, njerëz që të reflektojnë dritë dhe përparim kudo dhe sidomos, për t’i shërbyer Kishës si kuadro të saj.

Dy periudha të gëzuara kampingu u realizuan edhe në atë të “Metamorfozës së Shpëtimtarit”, në Glikomil të Dropullit. Në periudhën e dytë ishin pjesëmarrëse dhjetra vajza nxënëse nga të gjitha zonat e Mitropolisë së Gjirokastrës. Edhe ata patën pranë Kryepiskopin Anastas. Vajzat patën rastin të tregojnë arritjet e tyre në përpjekjen shpirtërore që bëjnë gjatë gjithë vitit në grupet e tyre të katekizmit por edhe në ditët e Kampingut. Një pjesë e mirë e gjithë kësaj përpjekjeje bëhet nën kujdesin e vajzave konviktore të Konviktit Orthodhoks në Bularat. Dhe ishte kjo një nga porositë e veçanta të Kryepiskopit që ato të cilat kërkojnë nga Zoti dhe Perëndia ynë: dashuri, paqe, gëzim të jemi të gatshëm t’i ofrojmë tek të tjerët, t’i ndajmë me të gjithë vëllezërit e tjerë.

Ishte një e diel e veçantë ku meshën në natyrë tek kampingu e kreu Kryepiskopi Anastas, i cili pas asaj për orë të tëra ndoqi pjesë të programit të Kampingut dhe bisedoi me dashurinë e atit shpirtëror me fëmijët.

Të mbushur me gëzimin e ditëve të kampingut, me optimizmin e lutjes së përbashkët, me shpresën e një takimi po aq të lumtur në vitin e ardhshëm u kthyen në enoritë e tyre të rinjtë pjesëmarrës.

Korresp. i “Ngjalljes”