(Pjesa e dytë vazhdim nga numri i qershorit)
Duhet t’i mësojmë fëmijës se ai që refuzon nuk ka të drejtë të pretendojë. Refuzon të bëjë një shërbim? Le t’i refuzojmë një shëtitje, të cilën priste, mjafton që kjo të bëhet me qetësi. Me këtë mënyrë i japim fëmijës mundësinë të kuptojë bazën e logjikës. Sigurisht refuzimi nuk do jetë me një fjalë të vetme, që të iritojë fëmijën, por do jepet dhe shpjegimi i duhur. P.sh. fëmija refuzon të veshë pallton. Le t’i shpjegojmë: “Po nuk veshe pallton do sëmuresh dhe do mungosh në shkollë”.
Eshtë mirë të mos bëjmë vazhdimisht premtime dhe kërcënime. Fëmija qan dhe bërtet, përplas këmbët dhe për ta pushuar i premtojmë: “Nëse pushon së qari do të të jap karamele” ose “Po ndenje urtë do të të çoj shëtitje” ose e kundërta “Nëse nuk rri urtë nuk do hash fruta”. Bëjmë një lloj marrëveshje, një lloj kontrate. Kjo është diçka që duhet ta shmangim. Duhet ta dimë se dënimet dhe kërcënimet veprojnë kryesisht sipas mënyrës që i përdorim dhe, nga ana tjetër, është e njohur se edukimi është më tepër rezultativ kur përdoret me të mirë sesa me të keq. Një mënyrë që fëmija të harrojë inatin është që t’i tërheqim vemendjen e tij me diçka tjetër p.sh. me një lodër ose punë, në të kundërt këmbëngulja jonë tek inati nuk sjell asnjë rezultat. Le të mos harrojë askush se edhe me fëmijët mund të flasësh me logjikë, mjafton të gjenden fjalët e duhura që të kuptohen nga fëmijët. Fëmijët dëshirojnë të kuptojnë dhe është detyra jonë t’u tregojmë se i marrim seriozisht. E kemi për detyrë të sillemi me mënyrë të zgjuar dhe sjellje të këndshme kështu që i drejtojmë në rezultatin e duhur duke lënë mënjanë inatin e tij. Një aleat ynë i çmuar është koha. Një pedagog i madh ka thënë: “Edukimi është kryesisht çështje durimi”.
Me këtë rast le të krijojmë forma të ndryshme bisedash. Janë shumë rezultative sepse nuk ofendojnë si një këshillë e menjëherëshme dhe e drejtpërdrejtë. Fëmija gëzon të drejtën të zgjedhë lirshëm dhe të vërë në dispozicion veten.
Një ndikim shumë të madh në shpirtin e fëmijës luan edhe mjedisi, prandaj ndryshimet janë të domosdoshme. Një lëvizje nga qyteti në fshat, ose diku gjetkë, në natyrë, luan një rol të madh dhe kurdoherë çlodh. Nga kjo mund të kemi një përfundim shpëtimtar dhe të zhduket tendenca për acarim. Një ekskursion, disa ditë pushimi janë mjete të mira për të zhdukur çdo acarim të bredshëm ose kompleks tek prindërit ose fëmijët. Fëmija është gjithmonë fëmijë dhe kjo është një e vërtetë, të cilën shpeshherë e nënvleftësojmë. Fëmija zotërohet nga një nevojë e madhe veprimtarie të cilën vullneti i tij e ka të pamundur që ta nënshtrojë, prandaj duhet ta lëmë fëmijën të bëjë si i çmendur dhe në fund të fundit ta lëmë të jetë jo gjë tjetër veçse fëmijë. Djali duhet të mësojë të vritet, të hidhet, të vrapojë, të kacavaret.
Le të kufizohemi dhe, nëse është e mundur, të heqim fjalën “jo”, se kjo e acaron më tepër inatin fëmijëror. Duhet ta shmangim, ashtu siç shmangim ushqimin për një stomak të sëmurë të fëmijës, dhe fëmija le të ketë një qoshe të vetën ku të vendosë gjërat e tij. Me këtë mënyrë fëmija ka “mbretërinë e tij” dhe nga ana tjetër mëson të respektojë gjërat e të tjerëve. Dënimet trupore duhet të zhduken, se dëmtojnë më tepër dhe, një zemërim, e ushqejnë më shumë.
Së fundi, duhet të kemi parasysh dinjitetin e fëmijës. Për një zhvillim normal të fëmijës është e rrezikshme ta përqeshim ose t’i shumëfishojmë inatin. Fëmija, dhe veçanërisht, i inatosuri fyhet shpejt. Të mos guxojmë përpara shokëve të tij dhe përpara personave të tretë të diskutojmë për difektet e tij, kjo e demoralizon dhe i krijon hidhërim. Ndoshta përpiqet që përpara të tjerëve të mos ta tregojë inatin e tij, por tani që e mësuan për çfarë të përpiqet?
Ajo që do na ndihmojë shumë është respektimi i personalitetit të fëmijës dhe ky respektim do të thotë t’i sillemi kurdoherë me edukatë, të jemi kurdoherë të sinqertë kundrejt tij, t’i mohojmë diçka pa e fyer, të bisedojmë me të, dhe sado e çuditshme që të duket, t’i kërkojmë edhe mendimin e tij. Le ta rrethojmë fëmijën me besimin tonë, se kjo gjë prek dhe drejton. Një lavdërim inkurajon, jep guxim.
Librat dhe revistat e përshtatshme janë mjete të çmuara për t’u marrë fëmija, jo vetëm se përmbajtja e tyre u ngjall interes, por edhe leximi i tyre u krijon një çlodhje. Lodrat dhe preokupimi me punë dore pengon rritjen e zëmërimit dhe ndihmon në zhdukjen e tij, por duhet t’u shmangemi me çdo kusht lodrave që krijojnë shpirt luftarak, shpirt kundërshtimi.
Fëmija zemërak është zakonisht fëmija dinamik. Qëllimi ynë është si do ta përcjellim gjithë këtë vullnet në shërbim të së mirës dhe kjo do ndodhë kur ta bëjmë aleatin tonë, prandaj fëmija ka nevojë për butësinë tonë. Le të mos marrim kurdoherë rolin e ndëshkuesit duke e vënë fëmijën në pozicionin e fajtorit, le të mos dëshpërohemi për çdo gabim të fëmijës dhe le të mos i numërojmë gabimet e së kaluarës. Të gjitha këto nuk sjellin përfitim, nuk prekin, përkundrazi krijojnë ose kryengritësin e vogël ose tipin e mbyllur.
Së fundi gjëja që luan një rol kryesor është atmosfera në familje. Një atmosferë e lumtur familjare do na japi fëmijët e mirë, sepse shumë bukur e thotë Dottrens se “nuk ka fëmijë të këqij, por ka fëmijë fatkeq”. Duhet që fëmijët të jenë të lumtur dhe e kemi për detyrë t’u japim këtë mundësi. Një fëmijëri e lumtur është fuqi për jetën e mëvonëshme. Nëse fëmijët na japin gëzim le të ndjejmë edhe ne intensivisht detyrimin që t’u krijojmë një atmosferë qetësie brenda së cilës do lulëzojnë dhe do japin fryte.
Përktheu: Nafsika Melo