Ishin një çift bashkëshortësh që banonin në Nikomedia të brigjeve aziatike të Propontidhës, në kohën e Maksimianit (286-305).
Gjatë përndjekjeve perandori zbuloi të fshehur nëpër shpella 23 të krishterë dhe i dënoi ata në mënyra të ndryshme. Oficeri idhujtar, Adriani (= i Adriatikut), 28 vjeç mbeti i mahnitur nga durimi i tyre dhe i pyeti për shkaqet e dënimeve. Ata iu përgjigjën se duronin për hir të shpërblimeve qiellore të Perëndisë.
Atëherë ai emocionohet dhe kërkon që të përfshihet dhe emri i tij në listën e tyre. Ndaj tirani pasi e mori në pyetje e burgosi.
Gruaja e tij, Natalia (latinisht = lindje), që ishte e krishterë, vajtonte sepse nuk njihte akuzat që e rëndonin. Por, kur mori vesh shkakun, veshi rrobat më të mira dhe shkoi në burg. Puthi zinxhirët e të shoqit dhe i dha kurajë. Më pas vajti përsëri me gra të tjera shpresëtare dhe mjekuan atletët e besimit.
Kur Adriani siguroi leje për të parë shtëpinë dhe shkoi, ajo kujtoi se mos mohoi Krishtin, e ofendoi rëndë dhe e lajashtë në rrugë! Por, kur u bind për të kundërtën ajo lumuroi veten si bashkëshorte martiri.
Pasi tirani e rimori në pyetje urdhëroi ta rrihnin dhe pastaj e hodhën në tokë dhe e goditën me shkopinj në mënyrë të tmerrshme në bark saqë i dolën zorrët. Ndërsa trimëresha e re, Natalia, nga njëra anë i jepte të shoqit guxim dhe, nga ana tjetër acaronte xhelatin, Adriani, së bashku me 23 shenjtorët e tjerë, duroi i pathyeshëm vdekjen e tmerrshme me anën e prerjes së gjymtyrëve. Heroina mbajti njërën dorë të të shoqit si thesar dhe u lye me gjakun si me miro. Një shi i fortë shuajti zjarrin ku kishin hedhur trupat e nderuar.
Një besimtar i çoi në Bizant, ku Natalia kaloi jetën që i kishte mbetur derisa fjeti dhe u varros pranë tyre. Shenjtorja, në mënyrë abuzive, quhet martire, pasi ajo u martirizua jo realisht por vetëm “sipas dëshirës” d.m.th. përsa i përket dëshirës: Dëshironte të martirizohej.
Marrë nga Libri “Nga thesari i shenjtorëve”, që do të botohet së shpejti