EmailFacebookKontakt

Ndajmë një shqetësim të përbashkët

Kjo, letër e përbashkët e Komuniteteve fetare tradicionale të vendit tonë iu dërgua të gjitha autoriteteve më të larta shtetërore, Presidentit z. Alfred Moisiu, Kryeministrit z. Fatos Nano dhe Kryetarit të Kuvendit z. Servet Pëllumbi dhe organizmave e përfaqësive ndërkombëtare. Ajo trajtonte një problem që është më shqetësuesi për to – atë të pronave. Megjithatë, ligji i pronave u aprovua ashtu siç ishte dhe përveç një përgjigjeje positive, por pa efekte praktike të OSBE-së, nuk pati reagim tjetër zyrtar. Por, kjo nuk do t’i ndalojë kmunitetet të ngrenë zërin e tyre edhe më tej dhe të ndjekin të gjitha rrugët e ligjshme për të marrë atë që u takon.

Pothuajse katërmbëdhjetë vjet demokraci në vendin tonë. Katërmbëdhjetë vjet përpjekje, beteja, suksese dhe vështirësi. Mendojmë se është koha për të reflektuar dhe për të bërë një vlerësim, që të shohim se ku jemi dhe se çfarë mbetet ende për t’u kryer.

Ne, përfaqësuesit e Komuniteteve Fetare tradicionale, ndihemi krenarë për historinë tonë të bashkëjetesës paqësore të besimeve në Shqipëri. Ky shembull nuk duhet vetëm të ruhet, por gjithashtu të mbështetet dhe të fuqizohet, në mënyrë që të vazhdojë të zhvillohet dhe të përmirësohet. Kjo detyrë e vështirë, nuk duhet të lihet vetëm mbi supet e komuniteteve tradicionale të besimeve. Ajo është gjithashtu një obligim edhe i strukturave qeveritare dhe ligjore, që të ndërmarrin veprime serioze e konkrete në drejtim të garantimit të lirisë së vërtetë të besimit dhe të së drejtës ligjore. Liria e besimit është shprehur mjaft qartë në Kushtetutën tonë, por nuk ka hapa të mëtejshëm konkretë për të përmbushur atë që kushtetuta garanton.

Nëpërmjet kësaj letre ne do të dëshëronim të theksonim dhe të shtronim një prej shumë çështjeve jetike, e cila ka nevojë për një ndërhyrje të parlamentit, qeverisë dhe autoriteteve ligjore për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare.

Kjo çështje e rëndësishme është ajo e pronave të Komuniteteve Fetare.

Nga këndvështrimi i ynë, nuk do të ketë asnjëhere liri të vërtetë besimi nëse Komunitetet Fetare do të vazhdojnë të varen nga burime financiare të jashtme. Ato nuk do të mund të përmbushin misionin e tyre në se vendet e tyre të shenjta, sendet e tyre të shenjta (si ikona, libra etj.), arkivat e tyre dhe materiale të tjera do të mbeten në duart e qeverisë.

Nuk do të ketë asnjëherë liri të vërtetë besimi në se pronat e komuniteteve fetare do të vazhdojnë të kënaqin politikën. Përmendim rastin e tokës bujqësore, pronë e Komuniteteve Fetare, e cila u është shpërndarë fshatarëve, duke përjashtuar nga kjo e drejtë pronarët e vërtetë. Ligji Nr. 7501 është diskriminues. Ka gjithashtu mjaft raste kur edhe individë të ndryshëm abuzojnë me pronat e komuniteteve fetare dhe sistemi ligjor është i pafuqishëm për të vendosur drejtësi.

Abuzimi me konceptin e kompensimit të pronave duhet të ndalohet. Është e pamundur që vendet e shenjta të kompensohen. Ato janë dëshmi e qindra viteve historic dhe tradite. Në shumicën e rasteve ato përfaqësojnë sakrificat e njerëzve që i dhuruan ato prona. Ato lidhen me përpjekjet e mëdha të brezave në shekuj për t’i ruajtuar ato, të cilat në shumicën e rasteve, përfaqësojnë amanete të njerëzve të vdekur të cilët besuan tek Zoti.

Për këto arësye ne kemi pritur dhe shpresuar që çështja e pronave të komuniteteve fetare, të ishte trajtuar ndryshe, me një status të veçantë dhe me një procedure të përshpejtuar. Por fatkeqësisht, ligji i ri i pronave i propozuar dhe miratuar në parlament do të jetë dëmi më i madh ekonomik dhe ligjor për Komunitetet Fetare. Ky ligj përfundimisht do të sakrifikojë pronat e ketyre komuniteteve për qëllime politike.

Prandaj, ne i bëjmë thirrje çdonjerit dhe në mënyrë të veçantë atyre të cijët potencialisht mund të luajnë një rol në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi, që të përdorin urtësinë dhe vullnetin e tyre në rikthimin e drejtësisë së munguan. Kjo do të thotë që pronat duhet tu kthehen Komuniteteve Fetare.