EmailFacebookKontakt

Mësime frytdhënëse për besimin tonë në Shkodër

Tani katekizmi zhvillohet në ambientet e kishës “Lindja e Krishtit”, dhuratë e çmuar e Kryepiskopit Anastas.

Komuniteti orthodhoks i Shkodrës, pavarësisht nga raportet numerike të tij, qendron në pozicion të barabartë me dy komunitetet e tjera të besimit. Kjo është realizuar falë punës së madhe që ai ka zhvilluar brenda vetes së tij, për unitet dhe bashkim, si dhe me komunitetet e tjera fetare.

Pas viteve ’90, kujtesa të sjell momente kur të gjitha ceremonitë fetare në këtë qytet, në mungesë të “Shtëpisë së Zotit” zhvilloheshin në mjedise të ndryshme sallash. Pikërisht kështu, filloi të punohej edhe për mësimet fetare.

Fillimet e katekizmit lidheshin me praninë e grave orthodhokse të Tiranës, të cilat në mënyrë sistematike, mbas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore, zhvillonin takime me besimtarët. Kjo punë do vazhdonte në mjediset e “Shtëpisë së Rinisë”, në mënyrë të planifikuar dhe me nivel, nga katekista që vinin nga Tirana. Veprimtaria e tyre u shtri jo vetëm me komunitetin e grave orthodhokse, por edhe me të rinjtë dhe fëmijët.

Duhet të theksojmë se katekizmi me komunitetin e fëmijëve të fshatit Vrakë, ku banon minoriteti serbo-malazes, 6 km larg qytetit të Shkodrës, ka patur ndikimet pozitive të tij. Fëmijët e këtij komuniteti e kanë pritur momentin e zhvillimit të katekizmit me dëshirë. Kjo duket qartë në pjesëmarrjen gjithnjë në rritje të numrit të tyre. Shpesh, nëpërmjet punë së kujdesshme janë bashkuar, nëpërmjet veprimtarive, ku janë shpërndarë dhe dhurata të vogla simbolike, dy komunitetet e fëmijëve orthodhoksë, të qytetit të Shkodrës dhe Vrakës. Në këto takime fëmiëjt janë njohur me njëri-tjetrin, janë miqësuar, por dhe kanë zhvilluar veprimtari artistike së bashku.

Nëpërmjet punë së kujdesshme që zhvillohet në mësimet e katekizmit janë arritur të thellohen mjaft vlera pozitive në të gjithë komunitetin. Sot në gjirin e tij nuk ka as një anëtar të ngujuar apo të përfshirë në fenomenin e vetëgjyqësisë, si dhe të trafikimit të qenieve njerëzore. Ky komunitet është i nderuar dhe ka paraqitur dhe paraqet vlera të cilat kanë shtuar reputacionin e tij në të gjithë zonën.

Luiza Trebicka, Shkodër